Gjella e ciganit / Shkëputur nga libri “Kujtime të një peshkatari” të autorit Mitro Qeparoi

Gjella e ciganit

 

Shkëputur nga libri “Kujtime të një peshkatari” të autorit Mitro Qeparoi

Nuk do ta besoni rrëfenjën e gjellës së ciganit, që për mua –fakirin, ishte më e mirë se gjella e të pasurit. Kthehesha nga gjahu i ndaluar pothuajse përditë jo nga xhadja, sepse trembesha nga spiunat, por nga ullishta, ku bujtnin për disa ditë arixhinjtë me çadrat e dalaboje dhe të larta sa një bojë njeriu. Një cigan i moshuar që e njihja me që bujtëte shpesh në fshatin tonë, atje tek ullishta nën shtëpizën time, ziente gjellë me zjarrin midis dy gurëve të nxirë si dhe“bytha e kusisë”; e cila sepse më dukej më e bukur se sa fytyra e tij? Po ç’gjellë thoni Ju?! Që nga aroma, tregonte për humë më të shijëshme nga ajo që haja në shtëpinë time. Këtu është rëndësia e ngjarjes sime, që mund t’Ju duket ca qesharake, me që mund të më pyesni:- Po ti ore, si të pëlqeu gjella e ciganit?!
Po, më pëlqeu qysh nga aroma, aq sa digjesha nga padurimi ta shijoja. E dija fytyrën time, që nuk ishte më e shëndoshë se sa e ciganit të pa faj. Si ta shpreh? Ndoshta ai gatuante me mish, që ne mishin e shikonim vetëm një vakt në muaj ndër kusitë tona. Nuk e thashë mirë. Në dyqanin e vetëm ushqimor të fshatit me 1000 banorë, nuk kishte të blenim as makarona, as fasule, as oriz, që cigani ndoshta e binte nga qyteti.
Rrëfenja ime bën fjalë për vitet1980-90 për në ato vende ku u katandis populli si skllevër dhe pastaj plasi baloni i kuq. Prandaj dhe na lindën fëmijët gjysmë rakitikë deri në atë vit, që doli dielli edhe për ne kokëzogjtë e katandisur!
Me këtë ngjarje reale dua të protestoj, dua ta ngre Marksin nga varri, ta mbërthej për gjoksi dhe ta pyes: Për cilin njerëzim e krijove atë teori ti me gjithë utopikët e tu, more?! Për të sotmin, apo për të nesërmit? Nuk e shikon, se le pas vampirë të kuq, që ta shtrembëruan teorinë?!
Zakonisht, pasi e përshëndesja ciganin e moshuar, ulesha edhe unë mbi një gur si ai dhe shikoja në duart e tij eshtake lugën e shtrembër, që rrotullohej nëpër avull, si uria ime që ulërin nëpër rropullitë. Më mbërtheheshin sytë tek sipërfaqja e supës së trashë, që ende ziente përmbi dy gurë të nxirë. Mbase ai priste të largohesha unë, që ta nxirte nga zjarri, pasi kuptonte se aroma e gjellës më dehte pa mëshirë; domethënë se qe zier, e mund t’i digjej. Nuk më bënin këmbët të ikja. Mbase m’i paralizoi shpresa, që më tundonte, të ikja, apo të rrija , se mos më hidhte pak supë më ndonjë kapak gavete, pa le të mos qe dhe aq e pastër; mjaft të zbrisja diçka nëpër gurmazin e tharë nga lodhja dhe etja e orëve të gjata të gjahut të pa sukses nëpër harcat e Jonit verior.
Dhe ku të shkoja? Apo të shikoja gjyshen që u skuqte të katër fëmijëve nga dy feta buke të lyera me lëngun e një vetëm një veze të trazuar me miell e ujë? E përsëris, vetëm një vezë për të katër dhe me atë palo ushqim do t’ua presë radakja mësimet?!
Si të ikja nga aroma që vajis stomakun? Ja që stomaku t’i mbërthyeka këmbët e dhëmbët!
Këtë gjë nuk e kuptoja. Më humbisnin edhe fjalët, si ndonjë dashnor adoleshent përpara asaj që adhuron.
Spesh herë po kjo orë dhe rrugë m’i kalonte këmbët pranë gjellës së ciganit që kutërbonte ca duhan e ca ku e di unë, por kundërmimi i gjellës së tij më të mirë nga e jona, se si më bëntë budalla?!
Ndoshta ai nuk po e nxirrte nga zjarri, me qëllim që të mos më jepte edhe mua; E ndoshta edhe ai mendonte të kundërtën time:-hë edhe pak, se mbase ikën ky zagari që po lëpin buzët, si qeni. Pasi e kuptoi qartë se unë po prisja enkas, më në fund e humbi durrimin dhe më bëri një të bërtitur para turinjve të mi, sa në atë çast nuk ia kuptova egërsinë e beftë. Duke i parë dhëmbët kërcënues si të tigrit, u largova vetiu bythaprapazi për në mjerimin tim, për tek gjella sade e sade gjithmonë! Ndoshta ai priste t’i sillja pak peshk, por nuk e dinte se të shumtat e rasteve, që të mos kthehesha bosh në shtëpi, fusja në çantë tinëzisht patëllxhana, nga bujqësia e kooperativës për fëmijët e mi, që ciganit i dukeshin peshq.
Ika dhe i shpëtoi gjella. Nuk iu dogj; por u dogja unë.
Në shtëpi mbaja si të gjithë foton e prijësit të kombit. Por po aq të madhe dhe në të njëjtën kornizë mbaja edhe të Skënderbeut. Kur më pyeste ime shoqe se çfarë t’u gatuante fëmijëve, unë pyesja Skënderbeun:- E di ti me se na ushqen ky dishepulli yt? Enveri buzëqeshte, se qe i sigurtë, që Gjergji nuk dinte gjë!

( Nga libri “Kujtime të një peshkatari”. Mitro@m.o.) 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s