Ndjenja e dhimbjes dhe shenja tragjike në këngët popullore të dashurisë / Nga: Izet Duraku

Ndjenja e dhimbjes dhe shenja tragjike në këngët popullore të dashurisë

 

Nga: Izet Duraku

Këngët popullore të dashurisë përbëjnë një nga kapitujt më emocionalë të lirikës sonë popullore, ndoshta pjesën më të ndriçuar të saj, më të nxehtën, më përvëluesen. E lidhur ngushtë me përtëritjen njerëzore, dashuria shfaqet me një dinamikë të fuqishme, e krahasuar me rrebeshet e me tërmetet që tundin dheun. Në stinën e ftohtë ajo tulatet, pothuajse ngrin. Në ditën e shkurtër të dimrit me borë dhe akull, ritmi i jetës ngadalësohet dhe dashurisë i duhet të presë një mot më të ngrohtë për t’u shfaqur. Po të shprehemi me gjuhën e saj, të presë, të durojë siç duron mali borën dhe siç duron fusha shiun. Dashuria vjen bashkë me pranverën, me shkrirjen e akujve, me largimin e mjegullave dhe të territ.
1. Po qaj verën si po shkon, / vjen vjeshta na vorfnon. (Lumë)
2. Kur t’ shpaloje gjethi, / me gjethin shpaloj. (Lumë)
3. Shkon furtuna duke klarë/ qish kërkon? Kërkon behar/ kërkon prill e kërkon maj,/ djalë për veten e saj. (Çamëri)
Dashuria shfaqet me portetin e femrës së animizuar shpesh si nepërkë, vitë, xhinde e xhindosur, zanë etj., gjithnjë me fuqi të mbinatyrshme. Që të helmon, të shtangë a të gurëzon me frymën e saj. Sytë e dashurisë si dy diej shkaktojnë ngado zjarre, të cilët nuk trembin askënd, përkundrazi grishin secilin, që me flakët e tyre të pranojnë magjinë e djegies. Të krijohet përshtypja se kjo dashuri flakësh zgjat aq sa vazhdon të digjet zjarri dhe të brafullojnë flakët, shuarja e të cilave shënon fundin e dashurisë dhe të jetës. Po a ka kuptim jeta pa ekzistencën e saj?
Në këtë aspekt dashuria dhe dhimbja shpeshherë shihen si bashkëudhëtarë të natyrshëm në këngët popullore të dashurisë. Edhe në pamjet më të kthjellëta ndihet një tis i lehtë ankthi, që ashtu i pezullt e gati i padukshëm, nuk e pakëson aspak, përkundrazi e shton dramaticitetin e ndjenjës. Dhimbja nuk paraqitet si një ndjenjë qaramane. Klithmat e britmat janë të huaja për të. Më shumë e fshehtë, e nënkuptuar se sa e shprehur haptas, ajo të trondit me thellësinë dhe vërtetësinë e saj. Edhe kur në rrethana të skajshme, shpërthen përmes betimesh e mallkimesh, është po ajo, krejt e besueshme në fjalët e saj.
Ndjenja e dhimbjes si dukuri e shprehur në forma të ndryshme nuk kufizohet në zona dhe krahina të caktuara, por është e pranishme në krejt lirikën e krijuar si në Jug dhe në Veri të vendit.
Në këtë trajtesë të shkurtër unë kam marrë në shqyrtim vetëm një pjesë të kësaj krijimtarie në Lumë, Has, Opojë, Dibër dhe Çamëri, ku vërehen ngjashmëri të shumta, por edhe ndryshime që nuk prekin karakterin e përbashkët. Ndryshon peisazhi natyror, ndryshojnë mjediset që, bie fjala, në Çamëri duken më të urbanizuara, por relievi shpirtëror që përfshin karakterin e mentalitetin mbeten pothuajse të njejtë.
Dashuria është një ndër brengat më të mëdha të njeriut, ndaj dhe pengesat ndaj saj janë arsye të mjaftueshme për të shtuar gërryerjen, vlimin e brendshëm, si shenja të sigurta të shpërthimit të dhimbjes.
“Në jetë dashuria ishte në përgjithësi një dramë”, shkruan Ismail Kadare. Kjo dramë shpesh ishte me të shtira armësh dhe shpesh e brendshme. Dashuri donte të thoshte konflikt me shoqërinë, me familjen, me zakonet, me pronën, me gjithçka. Dashuria ishte një rrebesh i paligjshëm, por i tmerrshëm. Në jetën e tij populli në shumicën e rasteve nuk e ka pranuar dashurinë, kurse në artin e tij nuk e ka dënuar kurrë.”
Janë të dëshmuara barrierat e shumta midis sekseve për shkak të mënyrës së jetësë, të zakoneve dhe mentalitetit të kohës. Por dashuria gjen shtegun e duhur për të mberritur cakun e saj. Natyrisht shpejt e pa u hamendur. Në rrethanat reale, kur ishte vendosur edhe një lloj karantine midis të dashuruarve, koha që mund të përfitohej për njohje ishte shumë e pakët dhe si e tillë e çmuar. Çasti i pikëpjekjes së dëshiruar fillimisht është paraprirë i përjetuar në ëndërr, ndërsa realisht për të ndodhur kontakti ka mjaftuar një hapje porte, një shfaqje e beftë pas qelqeve të dritares, një udhë e shkurtër për te kroi i fshatit, një dalje në shpatin përballë, një prani e shkurtër në mjediset e kishës, etj. Do të mjaftonte që largësia mos të bëhej pengesë, që vështrimet e tyre të mund të kryqëzoheshin. Për tu krijuar ajo urë ajrore që do të lidhte shpirtrat. Nisur nga shkreptima e syve, dashuria vjen si një goditje rrufeje.
1. U dolla, doli dielli, / doli nepërka nga dheu…(Çamëri)
2. Del në derë apo s’të lënë, / mos je yll a mos je hënë…
3. Ne porta për nën hje, / dil o moj manushaqe.
4. Të pashë një ditë me tesha në dorë, / si arusha nëpër borë. (Has)
Momenti i njohjes dhe i rënies në dashuri bashkohen në një të vetëm. Vibrimet që shkakton goditja e syrit e mbajnë frymën pezull. Dhimbja përzjehet e tretet me nostalgjinë e një tërheqje të dyanshme, përpirëse. Një tërheqje që të shtang me bukurinë e saj. Pastërtia, sinqiriteti i dhembshur, rrëfimi lakonik dhe dendësia figurative janë tiparet e saj të përhershme, të buruara nga një shpirtë i dlirë, i kristaltë. Përvëlimi i çastit, hutimi dhe marramendja do të kujtohen gjatë.
1. Siri i zi, vetulla gramë, / iknë mendtë e mia, vanë. (Çamëri)
2. Synin me lara, / oj syzezë synin me lara, / dogje fusha, dogje ara. (Opojë)
3. T’i flas mu muar goja, / ta ngas, se ç’m’u tha dora. (Çamëri)
Në situatat e kundërvënieve dhe të konflikteve me dashurinë hapësirat e komunikimit zvogëlohen. Miqtë dhe aleatët gjithashtu të pakët largohen të trembur. Çfarë i mbetet në dispozicion jetës, pra dashurisë, për të përtërirë veten e saj. Ndoshta vetëm vetvetja, fjala e saj e mishëruar tek besa. E mbetur si mjet i fundit, e barazuar me vetveten, tek besa përqëndrohet gjithë shpirti i qëendresës dhe kjo i jep asaj një madhështi sublime. Nga ana tjetër, prania e dukshme e armëve në këngët e dashurisë mund të shpjegohet jo vetëm si shenjë nderi e burrërie, trashëguar nga kohët e vjetra, por edhe si shenja të një rreziku dhe kërcënimi të vazhdueshëm. Armët janë sa simbolikë e jetës edhe të vdekjes njëkohësisht. Të shtënat, si shenjë fitoreje përcillen me hare, por mund të shënojnë dhe hatanë e ndodhur, fundin tragjik. Ata lakmohen si dëshmi e forcës, por kundrohen me drojë edhe për rrezikun që sjellin.
1.…Me martinë no krah, / kçyre sherrin me martinë no krah, / mos e lakmo bij se kryet ia ha. (Opojë)
2. Ngata krëjet nëpër xhama si po binte vdorë, / kapërcej Xhemal i dadës me martinë në dorë. (Lumë)
3. Mandilekuqe me dama, / peleqisur me kama. (Çamëri)
4. A m’ke dhanë besën / na të di do t’desëm (Lumë)
5. T’paçë dhanë besën ene dorën/ n’kofsh i zoti djalë luj pishtolen/ luj pishtolen ene thikën/ s’asht kollaj me grabit çikën. (Lumë)
Armiqtë e dashurisë janë të shumtë dhe të kudogjendshëm. Në këtë qerthull rreziqesh mbrojtja shpeshherë është e pamundur. Për të mbajtur jetën djalit i duhet të punojë duke kapërcyer vende të njohura e të panjohura në dimër e në verë, bjeshkë e vërri, përmes shirave e rrebesheve të motit. Vajza vështron në ethe pas xhamave të dritares e shqetësuar për fatin e të dashurit, por edhe djali nga ana e tij trembet, madje duke mos rënë më poshtë në shqetësimin e tij, droja e tij ngjan të jetë edhe më ngjethëse.
1. Kur dole në Bakull, me dadën,/ xhamadanin akull, me dadën,/ ruju se po t’vrasin, me dadën,/ se kemi shumë hasëm, me dadën. (Lumë)
2. Moj e mira në breg të Drinit/ ma ke nda trupin prej shpirtit/ mos më dil në bjeshkë sivjet/ se kam frikë dikush po të vret. (Dibër)
Lirika e dashurisë me mjete të kursyera vizaton tablo të përgithësuara dhe me një dinamikë të qartë të dhimbjes, që shkaktojnë konfliktet, përplasjet, largimet dhe ndarjet midis të dashuruarve. Krijohet kështu një varg antonimesh me vendet që përfaqësojnë djalin dhe vajzën. Vajza gjendet pothuajse gjithnjë brenda shtëpisë, mëhallës, katundit, ndërsa djali është më shumë përjashtë kullës së tij, larg në dhera të tjera. Vajza është në fushë, djali në mal. Vajza gjendet në vërri, djali endet në bjeshkë, etj.
1. Unë në bjeshkë e ti në vërri/ he m’u thaftë bjeshka pa ty/ he m’u thaftë e bardha bjeshkë/ si nuk erdhe një natë me fjetë. (Has)
2. Marak i djalit/ kur po mo merr merak i djalit/ po dal pi kqyri udhot e malit/ marak i cucos/ kur po më merr marak i cucos/ po dal pi kqyri udhot e fushës. (Opojë)
“Në këngët lirike të dashurisë metaforat ndihmojnë për të depërtuar në botën e brendshme të personazheve lirikë, që përjetojnë ndjenjën e bukur. Për çastet që realizohen me krahasimin e nënkuptuar, ndihmojnë krijimin folklorik për të paraqitur vërtetësinë e dashurisë, veçanërisht figura bëhet interesante, kur ndërhyn për të dhënë përsiatjet e personazheve lirikë. Ndër disa këngë dhe funde të dhimbshme të dashurive të parealizuara, karakterizohen me metafora intensive, të cilat shërbejnë mirë për të realizuar tension të situatës. Thellësia e ndjenjës mbështetet nga metafora për të ardhmen e nganjëherë për vuajtjen. Ka një numër shumë të vogël këngësh dashurie, që trajtojnë rite të ndaluara, marrëdhënie jashtë martesore, të cilat kanë inspiruar një metaforikë, e cila në thellësi mendimi shpreh tronditje, dëshpërim, pendesë, për shkuarjen kundër rrymës psikologjike mbizotëruese, në pamundësi për të mundur vetveten.”
1. Ani kto plakat ngjesin e ngjesin, / si nuk kujtojnë orlet se do t’ desin, / ani prej vorreve do t’i qesim. (Opojë)
2. Moj mike pse s’i ngre sitë/ sitë e tu dhe të mitë/ janë kushëri të ditë. (Çamëri)
Gjithashtu, marrëdhëniet e të dashuruarve i pengon edhe pabarazia shoqërore, shtrëngesat ekonomike dhe një kapitull i veçantë i dhimbjes mund të konsiderohet detyrimi i përhershëm për t’u larguar në kërkim të sigurimit të jetesës larg vendlindjes, largimi si detyrim ushtarak ose për shkak të ndonjë dhune tjetër të shfaqur në mënyra të ndryshme.
***
Në lirikën e dashurisë, dhimbja e pranishme ngado, e shfaqur hapur apo e nënkuptuar, shërben ndonjëherë edhe si parathënie e trishtë për të hyrë në shtegun e zhvillimeve tragjike më të spikatura. Kënga lirike si poezi e popullit shkon kështu në rrjedhën e fateve historike të tij, ku motivet tragjike janë ndër më të spikaturat.
Në relievin e përthyer të kësaj krijimtarie kaq të ngjashmë me vendin ku lindi, krahas maleve të lartë me ngjarje të gëzueshme thellohen honet, dhe humnerat e frikshme që shënojnë humbjet.
Duke ardhur prej thellësisë së shekujve dhe mijëvjeçarve nga fqinjësia me qytetërimin grek e latin, duket se heroi lirik i kësaj poezie ruan edhe një lloj trishtimi të hershëm për fatin e paracaktuar që do ta përndjekë gjithë jetën.
Nëse nisemi nga poezia arbëreshe dhe paralelet e shumta që gjejmë këndej detit, mund të vijmë në përfundimin se pas pushtimit të vendit nga otomanët klima shpirtërore u zymtua më tepër. Proceset e zhvillimit të shoqërisë “u ngrinë” në një përpjekje për të ruajtur identitetin shpirtëror. Fiset në një pjesë të madhe të vendit, kryesisht në Veri, u mbyllën më fort në guackën e tyre duke përsosur mekanizmat e vetëmbrojtjes, ndërsa mardhëniet feudale në Jug, gjithnjë sipas të njejtit mekanizëm, vazhduan të ruajnë fort edhe tiparet fisnore.
E drejta zakonore në të gjithë vendin në aspektin e trashëgimisë së pronës kryesisht të pronës së patundshme: shtëpi, plang, ara, korije, kullota, etj shkonte në favor të linjës mashkullore.
Në kushtet kur lidhjet martesore ndiqnin qëllimin e forcimit të aleancave politike midis familjeve dhe fiseve, fati i femrës shqiptare nuk mund ta kapërcente fatin kolektiv ku ajo bënte pjesë. Që të ruheshin këto interesa të kodifikuara me sanksione të rënda, dashuria e saj ishte e paracaktuar të flijohej.
Prania e dukshme e armëve në këngët e dashurisë mund të shpjegohet jo vetëm si shenjë nderi e burrërie, trashëguar nga kohët e vjetra, por edhe si shenja të një rreziku dhe kërcënimi të vazhdueshëm. Armët janë sa simbolikë e jetës edhe të vdekjes njëkohësisht. Të shtënat, si shenjë fitoreje përcillen me hare, por mund të shënojnë dhe hatanë e ndodhur, fundin tragjik. Ata lakmohen si dëshmi e forcës, por kundrohen me drojë edhe për rrezikun që sjellin.
1.…Me martinë no krah, / kçyre sherrin me martinë no krah, / mos e lakmo bij se kryet ia ha. (Opojë)
2. Ngata krëjet nëpër xhama si po binte vdorë, / kapërcej Xhemal i dadës me martinë në dorë. (Lumë)
3. Mandilekuqe me dama, / peleqisur me kama. (Çamëri)
“Në jetën e tij populli nuk e ka pranuar dashurinë, kurse në artin e tij nuk e ka dënuar kurrë…Kontradikta është e çuditshme, – vwren Ismail Kadare. – Ajo tregon se morali patriarkal, në mos i është imponuar krejtësisht, i është rënduar popullit nga strukturat e prambetura shoqërore dhe se populli në thellësi të shpirtit të tij, ka qenë në konflikt me të.”
Në këtë prizëm, mbase, duhet parë afirmimi i kësaj ndjenje në poezitë e dashurisë, gjithë forcë e bukuri magjepsëse, duke përligjur e përkrahur të gjitha përpjekjet që bëheshin për sendërtimin e saj. Jo përpjekje paqësore, as tinzare, po ballëpërballë me të keqen. Përpjekje ku vringëllijnë armët, luajnë thikat e jataganët.
1….Ju mor djem që vëzhdroni, / ja pëllcisni, ja duroni, / ja mirni armët e shkoni. (Çamëri)
2. T’paçë dhanë besën ene dorën/ n’kofsh i zoti djalë luj pishtolen/ luj pishtolen ene thikën/ s’asht kollaj me grabit çikën. (Lumë)
3. Ki Miço çobani, / të hodhi në kalë, / forra Miço, forra, / forra jataganë. (Çamëri)
4. Tuj fry veri, tuj ra borë, / mu ka ngri martina në dorë. (Has)
5. Krevin porpjet, / xhi po shkon rrugës krevin porpjet, / shtija zarmin, mor djal, tej e portej. (Opojë)
Motivet tragjike janë të njohura në epikën legjendare. Vdekja e heronjve shkaktohet në beteja të përgjakshme nga faktorë të mbinatyrshëm, orë e zana që, ashtu si perënditë e Olimpit ndërhyjnë me fuqinë e tyre duke paracaktuar fituesin dhe humbësin. E megjithatë kjo nuk sjell ligështim e përhumbje tek heroi legjendar, përkundrazi fati i keq sfidohet në beteja të pandërprera. Shtatë bij të Mujit me të njejtin emër, Omer, lindin dhe vdesin që të shtatë nga shpata e të njejtit armik, por cikli i qëndresës vijon. Vajtimi i Ajkunës, natën në vetminë e bjeshkëve, në prani të hënës e yjeve, mbetet një monument i papërsëritshëm artistik.
Përsa i përket formave të ngjizjes së tragjikes, Alfred Uçi nuk vëren dallime të mëdha midis llojeve të epikës shqiptare.“Eposi ynë popullor, nënvizon ai, njeh vetëm një formë të tragjikes, tragjiken heroike… Me vetëdije të plotë mbi qëllimet e larta për të cilat veprojnë, heronjtë kreshnik shkojnë drejt vdekjes duke kënduar.”
Edhe në balada si ajo e murosjes “ përligjet vetmohimi i ndërgjegjshëm në emër të qëllimeve të mëdha, përligjen me vetëdije të plotë të karakterit tragjik kundër rrethanave të disfavorshme.”
Ashtu si në balada, dhimbja tragjike si shenjë e humbjes shfaqet me tërë forcën e saj edhe në lirikën e dashurisë. Fati i heroit të dashuruar nuk paracaktohet nga orët dhe zanat, as nga pozicioni i hënës dhe yjeve. Shkaku tragjik fshihet në rrethanat e jetës që e pamundësojnë realizimin e dashurisë. Duke qenë e papranuar në jetë ekzistenca e saj varet nga fshehja, ruajtja e vazhdueshme nga përgojimi e spiunimi i vazhdueshëm. Përveç mendësisë së njohur patriarkale, armiqtë e saj i shumon zilia, cmira e ligësia njerëzore. Humbja në vargjet e kësaj lirike mund të përcillet edhe si një ankth, parandjenjë për mënxyrën e nesërme.
1. …Ajo rekë,/ xhi po vjen turboll ajo rekë, / dy to mirë kurr s’jan pjekë. (Opojë)
2. Mos më dil në bjeshkë sivjet, / se kam frikë dikush po t’vret. (Lumë)
3. Më vjen gjumi, bije e flë/ në rërë të lumitë, / vjen një zogëzë e më ngrë, / “Ngreu o trim të keqenë, / se vallë piqemi më. (Çamëri)
4. Ani moj Nasybe me sy t’zes, / ani t’më qajsh fort kur t’ vdes.(Dibër)
Po kështu sipas A.Uçit: “Në këngët historike heronjtë tragjik frymëzohen përsëri nga qëllime të rëndësishme shoqërore. …Vdekjen e heroit tragjik populli e koncepton si një humbje të madhe, të ndishme, të pazëvendësueshme, si humbje për gjithë kombin…” Ndërsa në këngët historike të mërgimit ushtarak, për shkak të mungesës së një misioni heroik vdekja në dhe të huaj, për interesa të huaja, i shndërron heronjtë në “viktima të një fati tragjik”, humbja e të cilëve, megjithatë, është konceptuar sërish me një dhimbje të thellë therëse…
Humbja tragjike nuk mungon as në lirikën e dashurisë, ku përveçse tërthorazi si ngjarje e mundshme, vdekja shfaqet edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shkaqet e vdekjes janë të shumta, ndërsa dhimbja mbetet gjithnjë e ndjeshme. Është tragjikje vdekja në moshë të re e çdo njeriu. Për më tepër pafajsia e dy të rinjve të dashuruar, të vdekur për shkaqe natyrale a të ndonjë dhune, e shtojnë anën tragjike të humbjes së tyre. Teksa kënga kthehet në vaj, dramaciteti arrin kulmin.
1. …Si to vdes e re, / nano mori nano, si to vdes e re, / Gërshetin e shpinos ma le pormbi dhe. (Opojë)
2. Çou o Rexh e shif nga Grama, / dasm’e mort po t’i ban nana! (Lumë)
3. Seç u mblodh ki fshati, / po të bijnë varr, / pleqtë po rënkojnë,/ beqarët po klajnë. (Çamëri)
Duke hyrë më thellë në shpirtin e kësaj lirike, që për nga bukuria dhe emocionet që përfton shënon një ndër kulmet e krijimtarisë popullore, zbulohen gjithnjë thesare të reja. Në këtë optikë kërkimesh mund të shfaqen motive, aspekte e pamje të tjera tragjike edhe në lirikën e dashurisë.

Literatura
1. Ismail Kadare, “Autobiografia e popullit tonë në vargje”, Tiranë 1980, fq.71-72.
2. Alfred Uçi, “Estetika e folklorit”, Tiranë 2007
3. 3. Mijaser Dibra, “Metaforat në këngët popullore shqiptare”, Tiranë 2007, fq.195-196.
4. Mijaser Dibra, “Ceremoniali i dasmës në qytetin e Shkodrës”.
5. Mbledhës të folklorit, 2 ,“Lirikë popullore nga rrethi i Kukësit”
6. Mbledhës të folklorit 3,“Këngë popullore nga Çamëria”
7. Naim Plaku, “Krojet e Zanave”, Folklor nga viset e Dibrës, Tiranë 2010.
8. Mbledhës të folklorit 7 ” Folklor nga Dibra”
9. Yrjet Berisha, “Lirika popullore e Opojës”, Prishtinë 1977.
10. Sadri Fetiu, “Poetika e baladave të popullit shqiptar” Prishtinë 2007

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s