Poezi nga Seti Vladi

Poezi nga Seti Vladi

 

PERËNDESHË E LIRË

Si shkëmbi që digjet në qiellin e zjarrtë,
digjej dhe fjala me psherëtima dhimbjesh,
latohej në fitore , loti i mjerimit,
në shpirt i ndrisnin ekrane vegimesh.

Në vargonjt’ e territ vallen e hodhi,
kënga murohej, sinorin të kalonte,
me traktorin në ara vargu të ishte,
me grushtin lart filmi të mbaronte.

Thyhen butaforitë në piedestale,
zbardhen agimet në zemrat rinore,
me fustanin nusëror,ti fjalë u veshe,
ballit kurorë rrezet diellore.

U ngjite Olimpit nëpër yje e hënë,
pëllumbeshë e bardhë në hapsirë,
mes perëndive hyjnore vendin ke zënë,
ti, perëndesha fjalë, me krah’ të lirë.

seti pezaku vladi@…18/2/2017

 

DIMËR

Ky dimër i përhimtë e mjegullorë
erdhi me potere e mbylli çdo shteg ,
toka e kërrusur fshihet nën borë ,
zjarri nëpër vatra pyllin e djeg.

Bardhësi polare , e ftohtë , e bukur ,
vajtojnë lisat me krahë të prerë ,
me jorgan akulli krojet strukur ,
dridhen shelgjet përroit në humnerë.

Mbi oxhaqe tymi spiralet përdredh ,
nga millet e shpatave dalin rapsoditë,
nga qielli ky dimër zemërimin po derdh,
ulen pranë zjarrit Gjergj Elez Alitë.

Zbarkojnë fjollat e borës dendur me nxitim ,
nga larg e lehura e një qeni, tutje në mërgim.

Seti Pezaku Vladi@… 16 /01/ 2017

 

BINOM

Dilni e shihni detin…!
Janë rritur pishat.
E ndjeni aromën e tyre?
Po zhurmën e valëve?
…, melodi e një kënge të lashtë…
Valët spërkasin pishat,
pishat u bëjnë hije valëve.
Kënga e valëve
dhe aroma e pishave të blerta,
binom relaksi
për Romeo e Zhuljeta.

seti pezaku vladi@… 14/2/2017

 

PRANVERË PA CICËRIMA

Gjithmonë
në qytetin tim
pranvera sython në krahë të zogjve.
Me cicërima
çelin petalet e bardha ,
pikturohen perëndimet ,
kometa e zogjve
gdhend lirikën e mbrëmjeve në qiell.

Hipur
mbi zemrimin e fundit të dimrit
pres
trokun e simfonisë së blertë…
Më ngriu
buzëqeshja e fjalës në vargje!
Pranverë e trembur, pa zymbyla ,
pranverë e braktisur nga cicërimat!

Përtej tyre
pashë pemët e prera të qytetit
ku zogjtë vinin e çerdhonin.

Çudi ,
a ka pranverë pa cicërima!?

seti pezaku vladi@… 13/2/2017

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s