Poezi nga Leonora Lokaj
Pa frikë jetoj
Ulur në honin e kujtimeve,
shpalos qetas ëndrrat e murosura
përkëdhelur nga erërat lozonjare,
verbova sytë për të mos parë,
agimin e përflakur të mëngjeseve braktisa,
edhe muzgun e mbrëmjes
e urdhërova të shkoj në arrati,
sonte ..
Nuk trembem para asgjëje,
e ndjej në zemër se nuk kam frikë.
Zhytur në oqeane të shteruara
etjen do ta shuaj,
leckosur si Maratonomak
vrapin s’do ta ndal,
në maje të Olimpit
për ëndrrat e kryqëzuara,
shpresat do t’i varë.
Nga notat instrumentale të dhembjes,
vargjet e Unit horizonteve lindin,
dollingritur me kupë vere plot jetë
sonte festoj,
dhe me ujëvarashprese murosur në damarë…
Pa frikë…
Po! Pa frikë jetoj.
NË PËRVJETORIN E DASHURISË
Melodia e një kitare
Bëhet rojë e dashurisë
Pikturë e vizatuar në sytë e mi
Shpirtin tënd të fjetur
Zgjoj me përkëdhelje shiu
Faqeve të dashurisë rigojnë kujtimet
Mos u tremb nga vargjet e mija
Ëndrrat tona luajnë me flutura
Qiellit kaltërosh valle hedhin
Syrit tim lexoje dashurinë e moteve
Gjeje strehën ku mund të pushosh
Në tonin përvjetor të dashurisë.
Mbretëreshë e jona mes malesh të larta
(Deçanit)
Mundohem t’i mbledhë kujtimet e lëna peng,
po koha mashtruese i hëngri pa mëshirë,
rrugëve të jetës shpirt dhanë.
Eci ngadalë mbi kurrizin ku pushon vetmia,
mos me mbajë mëri pse e njëjta më nuk jam.
Era përvajshëm serenatën e dhembjes këndon,
për të na kujtuar kthimin në gjirin tënd,
merguar ndër kreshtat e hipokrizisë, t’kemi braktisur,
o qyteti im, vegim në vargjet e mija,
pse heshtja kështjellë në zemër të ka ngritur?
Mbi këmbë vetmie pa thënë asnjë fjalë,
Si foshnje e përgjumur na shikon,
lakuriqësinë e trupit tënd të njomë
me jorgan dëbora e ka mbuluar,
dimri më dhemb prej akulli të kafshon.
Derisa shtegtojmë si kalorës të dehur
koha ikën me vrap Maratonomaku,
la gjurmë në kokat tona thinjat e arta.
e ty të ka murosur të nusëruar,
o mbretëreshë e jona mes malesh të larta!**
Shpirti nuk shitet
Thellësi e mendimit matet
si thellësia e detit,
edhe kujtimet shumëzohen
si hojet e bletëve…
Por, shpirti nuk shitet!..
Vdis në etjen e syve të mi
Kur të gjithë flenë
shpirti zgjuar më rri,
nudo sorollatet natës,
etshëm përpëliten shikimet
natës mistike të kërkojnë ty.
Fjalët janë ndezur flakë,
nga shpirti i zhveshur po çuditen,
dashuria në heshtja mbytur
druan nga lakuriqësia e shpirtit,
ndoshta s’ka durim ta pres dritën.
Nata harron të zhduket,
shpirti çmendurisht proteston,
pritjen e varë në degë lisi.
Nuk mundem më pa ty!
Me lindjen e diellit të lutem eja
…eja vdis në etjen e syve të mi.
Deçan, 2017