Shtëpia Botuese ” Muzgu” publikon librin me poezi dhe përkthime ” Me pendën e shpirtit 3″ të përkthyeses Flora Kuqani Malo dhe parathënie të botuesit Mark Simoni.

Posted on March 28, 2017

0


Shtëpia Botuese ” Muzgu” publikon librin me poezi dhe përkthime ” Me pendën e shpirtit 3″ të përkthyeses Flora Kuqani Malo dhe parathënie të botuesit Mark Simoni.

Në një botim të “Enaudit” pata lexuar përrallën e vjetër të keltëve, titulluar “Gjurma”, ku një djalë i vogël, duke ecur sokakut, shkelte me rradhë gurët e kalldrëmit. Çdo gurë i jepte shputës së këmbës së djalit nga një ndjesi të veçantë. Në tërë rrugën djali provonte dhjetra ndjesi të bukura. Kjo përrallë mu kujtua sot teksa lexoja librin e Flora Kuqanit Malos, që ma solli për ta botuar tek MUZGU. Çdo faqe e librit është një ndjesi, një gur kalldrëmi ashtu siç shëtiste dikur djali i vogël kelt. Gjeografia e gjendjeve, brenda hartës përsonale që ka kjo poete, është shumë e gjërë, plot larmi ngjyrash, mbushur me stinë, toka të bukura, lagështirë liqenesh e lumenjësh, ajër që lëviz, fllade, vende të shkelura e të pashkelura nga fantazia, qytete e mëhalla plot nostalgji, oborre dhe pjergulla, habitate dhe areale të çuditshëm.

Flora Kuqani Malo

Ashtu si në hidrocentrale, ku katarakte ujrash të bardhë rrëzohen tatpjetë e bëhen dritë, edhe fjala në letërsinë e Florës përndrit vezullime e llamburit ndriqime artistike. Leonardo Da Vinçi thoshte se linja tek skulptura dhe imazhi i linjës tek poezia, bën hyjnore të dyja këto arte. Ka shumë plastikë poezia e kësaj autoreje, lakore, rafinim e kujdes deri në imtësi, ndjesi lëvizje, imazhe dhe pamje, linja të lehta e harmonike, që të bëjnë të ndjehesh rehat brenda botëve të poezive. Nuk është i mjaftueshëm fakti që vetëm të njohësh artin e fjalës, por të dishë që ta prodhosh atë me frymëzim, si dhe ta administrosh këtë art me shumë kujdes e pa tu shprishur në dorë. Në këtë intuitë qëndron dhe magjia e shkrimtares, që poezia duke dalë nga agregati estetik e artistik i saj, shkon deri tek lexuesi po aq vezullitës, i bukur, harmonik, me një përndritje gati hyjnore. Në stilin e kësaj poeteje të talentuar edhe gjërat e thjeshta e prozaike marrin zë, bëhen poezi, mbushen me zilka e muzikë interesante, që shkojnë deri në sugjestion, ashtu si oktavët. Një dimension tjetër, (përveç poezisë), në këtë libër është përkthimi i autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore. Në këto përkthime Flora ka futur ndjesinë dhe frekuencat e gjuhëve që interferojnë me njëra tjetrën. Përkthyesja e ka përkthimin jo thjeshtë njohje gjuhe, por mbi të gjitha përputhje karakteriale me çdo autor, futja në të njëjtin regjistër letrar, përngjasim shije, harmoni vokacionesh të brendshme me shkrimtarët e përkthyer. Umberto Eko ka shkruar gjatë mbi teoritë dhe praktikat e përkthimit. Bota ka shembuj dhe eksperienca të mrekullushme, ku përkthyesit bëhen dorëzanë mes autorëve të një gjuhe dhe lexuesve të gjuhëve të tjera. Përkthyesit janë misionarë të besimit me të cilin lexuesit marrin të mirëqenë vepren e autorëve të gjuhëve të tjera. Ky pakt delikat është dhe shumë fatlum kur përkthimi ia arrinë të shkojë bukur në atdhetë e popujve të tjerë. Këtë gjest mirësie ka provuar dhe Flora Kuqani Malo. Ajo na ka sjellë në shqip vepra brilante, që vijnë me të njëjtin ndriçim, pa u zbehur e shprishur aspak. Flora ka kapur në karakter autorët, ka zbërthyer metaforat dhe mesazhet e veprave të tyre, ka përvetësuar shkollat dhe teoritë më të mira të përkthimit., dhe me gjuhën e saj i ka elaoboruar mjeshtrisht.

 

Mark Simoni