Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Posted on March 29, 2017

0


Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

VITET STIVOSUR

( Vetes për ditëlindje )

Koha marshon, e jeta veç sa tkurret
dhe vitet ikin, njëkahshëm n`pakthim
rëndon mbi supe, e moshës i mburret
se ecën kryelartë n`shtigje pambarim,

Bota ecën tutje, ndër rrugë të universit
një jetë n`miniaturë nuk i lë përshtypje,
që mbushur me ëndrra i rreket suksesit
kërkon veç agime pa menduar ngrysje,

Vegimi mashtrues e përshkon këtë botë
rendim, qëndrojmë, duajmë e urrejmë
por mundi i tërjetshëm në fund vate kot
e gllabron e kaluara, ne fare s`e vërejmë,

Ca vite stivuar, mbi kurriz rëndojnë
orën më tregojnë, në ç`shkallë jete jam
numrin, në të rritur, çdo vit e tregojnë
tatpjetë, rrokopujë, zënë shtigjet i kam,

Kam zënë këta binarë, si çdo njeri tjetër
të gjithë në një kahje do udhëtojmë, tok
bota, njëkohshëm, është e re dhe e vjetër
nuk ngarend revan, as nuk ecën në trok

Në datën e lindjes do marrim ca urime
edhe kur pleqërisht ne hapat i hedhim
sedrën e përkëdhelim në t`kota miklime
për sa kohë që n`ëndërrime do bredhim…

 

NDJESI E LAJTHITUR

Çfarë ndjenë kur bredhë metropolesh të botës
e shijon përthyerje shkëlqimi n`xhama pallatesh,
kur kërkon nder e lavdi nën fytyra të maskotës
apo kur rrëfehesh hipokrisht, për larje mëkatesh ?

Ç`djenë kur ngjitë shkallët në lashtësi piramidash,
apo në lartësi kullash të hekurta, që hijerënda rrinë
ç`ndjenë kur shpirti përhumbet në labirinthe sfidash
e çiltërsinë e virtytit në akullnaja t`egoizmit e ngrinë ?

Ç`shikon nga dritaret e ambicieve, të lëshuara azat,
ç`pamje merrë njerëzimi ndër tablo të imagjinuara,
nga t`përkulur t`përjetshëm ndihesh me shumë fat,
që ushqen naivët nga shujta cinizmi, të dhuruara ?

Ç`mendon për udhët dhe rrugëtimet e kaluara,
që pas ke lënë, veç në fasada t`lustruara të mendjes
thua, t`kenë ikur, përgjithnjë ndër motet e shkuara
a do rishfaqen ngahershëm nëpër shtigjet e rendjes ?

S`bëhet dot stani nga vatha e braktisur përbuzshëm
sado që ndër kujtime kurthërohen mendimet për të
ndër togje fjalësh s`gjenë dot guximin e mundshëm
të shpërfaqë vetveten në kohëra, denjësisht e me zë

S`mbulohet dot dielli nga shosha, tërë vrima e shpuar
se rrezat gjejnë rrugën, që t`shfaqin veten tejdukshëm
ta ndriçojnë botën, kohët, dhe ndonjë fytyrë t`mbuluar
maskat t`i shkrijë, që n`të sotmen krekosen paturpshëm…

 

PASDITE

( Riformësim )

Ylli i pasditës sime
feks n`horizont,
bënë sikur ndriçon
muzgun e perëndimit,
por re të dendura mbulojnë
vezullimin shkëlqyes.

Vegimet mashtruese
t`pasditës së lodhur,
përkëdhelin kotësisht
akordet emotive,
në kanconatë iluzioni
nanurisin,
ndijimin e kotur.

Pluskojnë dëshirat
si ëndje përjetimi,
si ndjesi t`ringjallura,
në bredhje somnambule,
që dalldisin vetëmashtrimin
në shpresa t`kapitura.

Vitet e stivosura
në deponi t`rrëgjuara,
mendjen shtytin;
në hapa vesimesh freskie,
në shije t`paarritshme,
ku shpirti nakatoset
në kohë pakthim,
tatpjetshëm rrokulliset.

Pasditë e murrëtyer
e qiellit të vrenjtur,
përthurë në imazhe
ngjyrimet e terratisjes,
e qetësinë e tretur
përcjellë në gremisje,
dhe ëndrrën degdisë
në mugëtira trishtimi…

Posted in: POEZI