Poezi nga Zhuljeta Grabocka Çina

Poezi nga Zhuljeta Grabocka Çina
 
 
Perlë a vajzë!?
 
Një vals po luajnë valët lozanjare të Detit,
nën tingujt e violinës së erës.
Vrapojnë mbi Breg të hapin krahët,
ku këmbë e zbathur e një Vajzë
të zeshkët me shtatin si selvi
gjurmën e lë mbi rërë!
Dielli nga lart e ul kokën:
– Perlë a Vajzë është ?! – e pyet qiellin.
Që ta dallojë, e paskërka të vështirë!
Si rrufe, zjarr e shkrumb bie mbi ujëra
i thyer nëpër valë në miliona copa
e tretet me marraz në perëndimin pluhur!
Vajza përulet lehtë mbi rërën e lagur
të mbledhë madreperlat plot shkëlqim,
që Deti ia fal prej fundit të zemrës së tij!
 
 
 
Pengu
 
Unë, atë vend
as nuk e kisha parë,
as nuk munda ta vizitoja.
 
Ma sollën të gjallë kujtimet e tua
me sytë e mbushur me lot e mall.
Një përrallë që nuk lodhesh së treguari!
 
E mbeta e rrobëruar në largësi
me njerëzit, imazhet, tingujt e ngjyrat
me stinët e motet ku rridhnin ditët e tua!
 
Si një hije e padukshme endesha dhe unë aty
në kurthin e gjithçkaje, sikur me ty t’i kisha jetuar
fshehur tek unë pengu, tango e luajtur nga nostalgjia!
 
 
 
Shtriga me sy të qeqlta…
 
Eh, Shtrigë me sy të qeqlta s’di sa kohë ke,
që Ti, kështu mua po më thërret ?!
E mbetur peng e magjive të brishta
si një rruzull i larë në ar
po më largon prej Teje
në një tjetër univers!
Nën shkëlqimin e zbetë të Hënës
ka kohë, që Toka të huaj po më ndjen.
Si një gotë kristali
më thërrmove në mijëra thërrmiza
as vetë s’e kuptova, përse!?
– Merre një thërrmizë!!!
Shkëlqimin e dritës së syrit tim në të do të shohësh
Aty, diellin e fshehur do ta gjesh!
Në syrin tim të qelqtë
përlasen të gjitha erërat e globit Jug – Veri
Përherë e më i bukur është mëngjesi im, dhe Lindja!
Perëndimi i ditës bie mbi muzg edhe më i përmallshëm,
si ëndrrat që thurra dikur për ty!
Në horizontin e zhgënjimit tënd krahët i hapa
flladet e oqeaneve për Ty i mbështolla
kur era i përplaste dallgët e mërive tona mbi to.
Në qelqin e syve të mi Ti ktheheshe
si mbi brigjet e shpresave e kështjellave të ajrit
të ndiznim zjarrin, që kurrë s’perëndon…
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s