Ajo / Nga: Marjeta Shatro

Ajo
 
 
Nga: Marjeta Shatro
 
Në qiell hëna e plotë u mbështoll nga retë. Më pas u dëgjua shpërthimi i bubullimave. Papritur nisi shiu, i cili krijonte gjithmonë atë gjendjen e padëshirueshme, i cili të mbyllte brenda, thuaj në vetmi të plotë. Figurat e çrregullta të vijëzimeve të shiut në xham, ngatërroheshin me pleksjen e mendimeve të trazuara. Ajo ishte një vajzë e re, plot ëndrra të bukura dhe shpresë për jetën. E shikonte jetën e grave të tjera, si të kodifikuar prej burrave të tyre, ,të cilët vendosnin për to rregullat statike dhe ato ishin të detyruara të ndiqnin këtë ritual, ndoshta të mësuar dhe nga nënat e tyre. Fati i tyre lidhej me gjërat e shkruara prej burrave, që i detyronin të ishin të bindura gjithë jetës dhe amvisa të mira.
Ajo ishte ndryshe, lirinë e saj e kërkonte përmes studimeve, udhëtimeve dhe refleksioneve. Bënte lojëra të ndryshme, teste psikologjike për të parë se sa ishte në gjendje të përballej me realitetin mbytës mashkullor. Idetë e qarta në kokë dhe njohja e mirë e psikologjisë njerëzore impononte ndjenja të forta dhe mbillte në shpirt e saj rrebelim. Shoqet e saj i dukeshin të mpira, në krahasim me ato çfarë kish lexuar nëpër libra, apo parë dhe nëpër filma. As vetë se kuptonte se si e pse ato bëheshin kaq të devotshme pas kësaj tribuje shoqërore dhe ndihej vërtet keq. I ndoshte shpesh të ndihej si e burgosur dhe fantazmë e pafajësisë. Shpirti i saj fisnik torturohej pafundësisht dhe humbiste pas orvatjeve të kota, të cilat dukeshin se ecnin bashkë me kaotizmin dhe përditësinë jetë. Nuk pranonte dot mentalitetin e shumicës, e cila rënkonte nën thundrat e një kodi gati hermetik, larg përgjegjësive, mbretërisë së sekreteve e ëndrrave të fshehta dhe sjelljen e modifikuar deri në tjetërsim. Kishte raste kur ndihej e depresuar dhe vetëm kur largonte këto mendime të trishta qetësohej e humbiste pas lumturisë së gjërave apo koncepteve të saj.
I pëlqente ndjesia e të qenit e lirë, të komunikonte dhe të qëndronte sa më larg shtjellave të ankthit. Takimet me mjekun i shikonte si mundësi për të diskutuar gjërat që shkonin ndoshta përtej vetëdijes së saj dhe mezi priste takimin e radhës. Largohej prej andej me një ndjenjë lehtësie dhe energji pozitive. Miku më i ngushtë i saj ishte libri, fillimisht prekte kapakët lehtë, sikur do i lëndonte, ose do thyente diçka përmes atyre kuptimeve e zhvillimeve, e më pas humbiste pas fabulës së ngritur. Përjetonte emocionet e karaktereve, njëlloj si të ishte vetë personazhja kryesore. Lexonte shumë dhe nuk e konceptonte dot veten pa botën e tyre. Emocionet e përshinin të tërën dhe ajo përpinte gjithçka me një frymë. Sa herë përfundonte leximi, mbyllte kapakët, e vendoste në raft, e shikonte dhe njëherë me vështrim ligështues e mbështetej në parvazin e dritares, sikur kërkonte të mbushej me frymë. Shpesh ndihej e lodhur, e pafuqishme dhe e përgjumur.
Në mendje i vërtitej mendimi i errët: “ Ndoshta jam e sëmurë”
Mjeku i saj nuk arrinte të kuptonte shkakun apo motivin, pse ajo ndihej kështu, ndërsa ajo vlonte përbrenda për pranimin e saj, si qenie më e plotë dhe me gjithë të drejtat e rikthyera ?! Paragjykimi, apo fjalët e grave, kur servinin kafet para shkallëve të tyre e irritonte edhe më shumë. I dukeshin si qenie të lidhura, me kufij të paracaktuar dhe me të vetmen mundësi argëtimi; thashethemet para portave apo hyrjeve të tyre dhe një kafe turke. Revoltohej dhe i dukej, se duhej të përgatitej për luftë. Donte të ishte një “Olimpe de Gouge” ku gruaja të lindte e lirë e të fluturonte në qiellin jetë e lumtur.
Ajo ëndërronte dhe të tjerët e shihnin, si vullkani i fjetur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s