Poezi nga Rudina Mërkuri

Poezi nga Rudina Mërkuri
 
Poezia e Rudinës kalon përmes ideimeve fluide dhe depërton në shtjellën e mendimeve të thella filozofike, përshfaqje kjo që në koncept, formë apo paraqitje grafike sjell atë akuariel ngjyrash, ku çdo përndritje deshifron gjurmë ndjenje e shpirti, në refleksion me vetë jetën sikurse vjen, plot ritëm apo dritëhije dhe e natyralizuar me simbolizmat apo gjuhën e imazheve, ajo di të prekë me frymën fjalë dhe të grishë lexuesin përherë me gjetjet dhe beftësinë e saj krijuese.
                                                                                   Agron Shele
 
 
 
UNË E DI…
 
Unë e di që më do,
sepse ndryshe do të ishe,
një snob mjeran.
Unë e di që adhuron buzëqeshjen time,
lindjen krah zbardhur të një Zogu fluturak,
pranë baçes,
që luan në karroca luksi,
kur dashuron.
Unë e di që ti qan me mua,
mundohesh të mbash atë lotin e ngrohtë,
që rrëshqet padashur në fytyrën e trishtuar.
E di që kemi biseduar gjatë që fëmijë,
aty ku loznim dhe rrëzoheshim padashur,
në kalldrëmet e qytetit.
E mora vesh që dashuroje,
atë vajzën e bukur,
tek bridhje lëndinave i hutuar,
si Azgan.
E kupton pse më do,
sepse ti,
je unë,
je zemra e shpirti ku rrëfehesh,
trashëgimnia e zjarreve të kuq,
ku fryn murlani,
E hap kafazin e Zogut,
që desh të fluturonte…
 
 
 
PSE LËKURA DHËMB NË FIJET E HIRIT PA PEMË….
 
Po treten pikat e botës,
Po dalin fitilat e udhëve të liga,
mbi rrjedhën e pastër që gulçon.
Dëshiroj të kap shkopin e drejtimit,
pa përmbysje varke ,
si timonier i regjur,
të derdhem në shkulma shpirti,
t’a marrë të bukurën përdore,
tek ecën kokëulur në pamje hëne.
E nëse logjika do ulërinte,
nga kanalet e zeza jo njerzore,
t’a dini kunjat do ngulen fort,
mbi trutë e rrjedhës së turbullt.
E di kam ngelur shënues,
në shenjën e memorjes,
aty në gjenezë,
ku pyetet ende guri,
pse dhëmbë lëkura ,
në fijet e hirit pa pemë..
 
 
 
SI “PUSHTOHET” JETA.
 
Po ecën ti jetë gënjeshtare ,
në hyrje të lumturisë sime,
ku breth çasti,
pas dyerve që mbyllen me shpejtësi,
je futur kaq mizore,
në indet e poret e mia,
lundron endacak pas ujërave që na ndotin,
kërkon të shfrysh atë tollombace mediokër,
që ecën jargavitur në pasqyrat e pastra.
Më ke vënë në kandar,
sa e lartë është kostua,
nga iluzionet që na servir.
Po më heth afër…larg,
më puth kur akordi im shënon 0,
më shtyn kur ëndrat,
ngelen në majën e malit.
Sot të kam shpallur luftë,
do shkul perden te sytë,
kukullën e ngrirë pas një dritareje,
nga ndiesia për të qënë e paqtë,
do futem në përrallën,
si “pushtohet “jeta…
 
 
 
KËTU AFËR…
 
Këtu afër banon ajo,
sy pa fjetur deri në agim,
kish folur në përrallë,
si Desdemonë shpërflak,
xhelozinë e trillit tim.
Mendoj t’a rrëmbej,
shtatoren në agim,
vitet ti braktisë,
jehonë e valëve përplasje e shpirtit tim.
Mos u tremb nga dallgët,
sirenat në kuvli,
unë mbetem Romeo
djegje në nostalgji.
Dhe mos kuvendo me yjet,
natën të gënjejnë,
prit kuajt e agimit,
trokun e prushit që të djegë…

One thought on “Poezi nga Rudina Mërkuri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s