Poezi nga Fejzi Murati

Poezi nga Fejzi Murati

 

MALLI REFUGJATIT

U bë me shtatë ngjyra si drita ylberi,
u bë fllad pranvere dhe agimet çeli.

U bë dridhje shpirti në puthjen e parë,
u kthye lot dhimbje i derdhur mbi varr.

U bë ninull nëne përmbi krye djepi,
aromë magjepsëse, qeshje e çiltër bebi.

U bë ep legjende, mit i bukur bjeshke,
e gjetën agimet përmbi valë e dete.

Kaloi kontinentet nga njëri te tjetri,
po për refugjatin, prapë lot malli mbeti!

Asnjë dhe i huaj, mallin nuk ja treti!

 

ATËHERË…

Ish natë kur u puthëm për herë të parë…
Ish një natë e bukur, nën qiellin e larë.

Ishim poshtë një bliri, i gjithë lulëzuar
kishim frikë se ndoshta na kishin përgjuar.

Kishim frikë nga hëna e fshehur pas gjetheve,
kishim frikë nga flladi që na përkëdhelte.

Kishim frikë nga vetja, kishim frikë nga nata,
kishim frikë nga ndjenjat, që kishin marrë flatra!

Përmbi flokun tënd yjet kishin zbritur
hëna edhe bliri, shihnin të mahnitur.

Ish natë kur u puthëm për herë të parë…
zjarr nga zjarri ynë nata kishte marë!

 

SAPO KISHTE ARDHUR PRANVERA

Sapo kishte ardhur pranvera,
dhe natyra ndrinte kudo!
Ti luaje me petale luledele si e dehur…
“Më do, s’më do, më do!”

I dehur isha edhe unë,
po me numërim petalesh
nuk luaja…
i marrosur nga dielli i dashurisë,
në sytë e tu të bukur lundroja!

Sapo kishte ardhur pranvera,
edhe ajo si ne kish rënë në dashuri,
me lulet,
me fluturat,
me zogjtë,
me qiellin plot diell e kaltërsi…

Pranverat ikin dhe vijnë vit pas viti,
por vitet pamëshirshëm
s’kthehen më!
Lojën me luledele e kujtoj përherë
dhe qaj në heshtje,
i trishtë,
pa zë!
Është një lojë që s’mund ta luajmë më!

 

SHI I TRISHTUESHËM

Pikon papushim ky shi pranveror
me një gjuhë ëndrrash më flet për ty.
Mëngjesi i veshur me ngjyra ylberësh
më fut në një botë plot magji.

Një perde lotësh më lëbyr sytë
padashur, emrin tënd pëshpërit,
flas si në ëndërr, si në jerm:
A do të shihemi prapë ndonjë ditë?

A do të vish mëngjeseve, e bukur,
imazh drite mes lotëve të mi?
Apo do lesh zemrën gjak të më pikojë
siç pikon trishtueshëm ky shi?

ME SHUMË DASHURI, PËR VENDLINDJEN DHE TRADITAT E SAJ… (Autori Ibrahim Kadri Malaj, botoi 12 libra me këtë tematikë) / Nga: Prof.Murat Gecaj; publicist e studiues

ME SHUMË DASHURI, PËR VENDLINDJEN DHE TRADITAT E SAJ… (Autori Ibrahim Kadri Malaj, botoi 12 libra me këtë tematikë) Nga: Prof.Murat Gecaj          publicist e studiues   M. Gecaj 1. Jemi njohur bashkë në vitet 70-të, të shekullit kaluar, kur … Continue reading