NEXHI BAUSHI, OSE SHPIRTI QË FRYMON MES POEZISË / Nga : Sokrat Habilaj

NEXHI BAUSHI, OSE SHPIRTI QË FRYMON MES POEZISË

 

Nga : Sokrat Habilaj

Të flasësh për këdo që shkruan poezi, është gjë e bukur, por të flasësh për dikë që poezinë e ka më shumë se hobi të saj, e ka pjesë të shpirt të saj, kjo bëhet dyfish edhe më e bukur.

Ka kohë që poezia rrjedhë brenda shpirtit të Nexhi Baushit, thuajse si fryma e saj, thuajse si pjesë pa të cilën ajo nuk mund të kuptohet. Poezia shfaqet me tërë dimensionet e saj, herë si një gurgullimë e qeshur, herë si një pikë loti e heshtur, herë plotë vrull e herë pa tinguj zhurmues. Nëse do të donim të evidentonim një dukuri të poezisë së Nexhi Baushit, do të thoshim pa frikë se poezia e kësaj autoreje, është si vetë jeta e saj. E bukur si një imazh gruaje e hedhur në një telajo, ku gjuha e të folurit është vetë prezenca e saj, e heshtur, si heshtja e një gruaje që kësaj jete i ka dhënë më shumicë më të bukurën e shpirtit të saj, por jo gjithmonë i është kthyer kështu, pa bujë si imazhi i po një gruaje që mes kësaj bote plotë zhurmë jeton jetën e saj, thuajse stoike. Stoike deri ne dhimbje.

Në këtë botë ku jetojmë, ku të bërit poezi është si epidemi ngjitëse, ku lloj-lloj autorësh, ndoshta të shtyrë nga monotonia në të cilën jetojnë, ndoshta të shtyrë edhe nga pasioni, i cili shpesh nuk ngihet dot në nivelin e artit poetik, Nexhi Baushi shfaqet krejt ndryshe. Në heshtje, në heshtje thuajse të plotë, ajo shkruan për veten e vetë.

Ndryshe nga të tjerët, ajo, thuajse nuk do t’ia dijë se çfarë thonë për të, rri larg debateve dhe duke e konsideruar poezinë si lot të shpirtit të saj, i duket tepër që të mësojë se çfarë mendojnë të tjerët për vargjet e saj. Ajo shkruan jo se do që emri i saj të shënohet në radhën pa fund të poetëve, por thjesht që të derdhë pjesë të shpirtit të saj, në një shteg ku ajo ecën pa bujë.

Nexhi Baushi

Është kjo arsyeja që temat e vargjeve të saj, nuk kanë të bëjnë aq shumë me atë që ndodhë rreth vetes, apo tej saj, por thjesht ato evidentojnë luftën dhe ndjenjat e saj të brendshme, thellësinë e saj. Poezia e Nexhi Baushit nuk është një poezi periferike, por buron nga vetë qenia e saj.  Duke qenë e tillë, nuk e teprojmë po të themi se poezia e Nexhi Baushit është e veshur me një ndrojtje që nuk ngjason me asnjë, me një ndrojtje që është tipike femërore, por nga ana tjetër  është tipike e saj, ashtu si është në fakt vetë bota jonë e brendshme kur ne guxojmë dhe e zhveshim lakuriq para botës. Tej ndrojtjes së saj, tej imunitetit e të qenit femër, Nexhi Baushi, ka guxuar që të zbulojë para nesh pjesë të shpirtit të saj që deri dje i njihte vetëm ajo.

Tej kësaj ndrojtje, ajo shfaqet guximshëm. “…Jam këtu…”..thuajse ajo klithë në një nga poezitë e saj, botuar në librin e saj më të fundit poetik.

Jam këtu…Jam këtu…sepse boll kam heshtur.

 

“…O zemër e shkretë, sa duron,

Sa e gjerë je, e sa e thellë!

Sa shumë mban brenda vetes,

Një tokë, një hënë, një diell…”

 

Natyrshëm, thuajse sikur fletë me vete, poetja Nexhi Baushi, paralajmëron poetikisht se ajo që e shtynë drejt poezisë, është një ndjenjë dhe ngarkesë e madhe emocionale. Ajo që e shtyn drejt poezisë, mbase është e fshehta e fundit e shpirtit të saj, të cilën deri tani e ka mbajtur te mbuluar diku në skutë të këtij shpirt dhe tani ka vendosur ta ndajë me ne. Kjo është një ndërmarrje e vështirë, e cila për shumë arsye nuk rezulton e suksesshme. Nuk rezulton e suksesshme sepse së pari, ato që ti ke fshehur brenda vetes, mund të mos kenë interesin e duhur për opinionin publik dhe së dyti, mund të mos kesh dhuntinë e duhur për ti treguar ato.

Nexhi Baushi i ka kapërcyer të dyja këto. Ajo vetëm ka se çfarë të tregojë, mbledhur për një kohë të gjatë brenda vetes, po ajo di edhe t’i tregojë bukur. Ajo ka besim edhe tek ato që do të tregoj edhe tek mënyra se si do t’i tregoj.

 

Dhe këtë ajo e zbërthen më bukur tek poezia e saj me titull: “Unë dhe vargu”

 

“Shkruaj poezi,
që të ndihem,
grua,
vargu,
të ndizet,
bashkë,
me mua…”

 

Më tej, poetja Nexhi Baushi, nuk harron që të  evidentojë edhe faktin se vetë qenia e saj femër, është një shans më shumë që ajo të jetë poetike deri ne detaje. Ajo është krenare që të thotë se një grua është dy herë poete. Vargu është dashuria e saj më e madhe, është malli i saj si grua dhe si poete, është e fshehta e saj, që sot e shpall bukur se më në fund e ka gjetur dashurinë e saj.

 

“Si dëlirësia
e një femre,
si frymë
që vjen
së largu,
le të digjemi,
në një shtrat,
unë

dhe vargu…”

 

Kjo është deviza më e saktë dhe më e sinqertë e poezisë së saj. Në qiellin e bukur të poezisë, natyrisht që ka të bëjë dhe mënyra apo klasi me të cilën shkruan, ky apo ai autor, po para kësaj ajo që ka më shumë rëndësi, është sinqeriteti me të cilën shkruan.

Sonte dyshoj që yjet shuhen

Ka plotë ndjenja që janë të përbotshme tek të gjithë njerëzit si dashuria, urrejtja dhimbja, gëzimi, trishtimi, po mënyra si thuhen dhe shprehen ato ndryshojnë nga një njeri tek tjetri. Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, poetët i dallon  fakti se këto ndjenja dinë t’i kthejë në art poetik. Nexhi  Baushi, përpiqet, që ndjenjat e saj, jo thjesht t’i pasqyrojë bukur, por edhe thjesht me një gjuhë të kuptueshme.

Ka një fill të dukshme poezia e autores Nexhi Baushi dhe kjo devizë është lidhja e saj me të zakonshmen, me përditshmërinë e saj. Nexhi Baushi nuk dallohet për rendjen pas temave të mëdha, por ajo rrokë grimca nga jeta e saj e përditshme dhe këto mundohet t’i përgjithësojë në art. Dhe në këtë përpjekje të bukur, ajo thotë sinqerisht se…

 

“…Dua,

të jem,

unë!
vetja ime,
e zhveshur,
nga fijet,
e shpirtit,
që endet,
i heshtur….”

 

Sa ja ka arritur që kjo autore të jetë vetë vetja, këtë e tregon krijimtaria e saj poetike e konkretizuar në disa vëllime poetike të botuara. Nga një poezi në tjetrën nga një libër në tjetrin, autorja Nexhi Baushi, është rritur artistikisht, është bërë më e guximshme dhe e ka përvetësuar më mirë artin e të shkruarit poezi.

Arti i bukur poetik është një art i vështirë, është një art që shpesh herë duket si një kurth, duket si një lojë. Është kurth, sepse në pamje të parë duket si një art me të cilin mund të merren dhe mund ta ushtrojnë shumë njerëz vjersha shkrues.

Për këtë vështirësi mendoj se Nexhi Baushi është e ndërgjegjshme. Është e ndërgjegjshme jo thjesht për faktin se ajo mundohet të eci në udhën e vetë, thuajse pa bujë, por është edhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të shkruaj më bukur. Kush e ka ndjekur krijimtarinë e saj që nga botimi i poezive të para e deri tek vëllimi i fundit, nuk mund të mos ta vërej se ajo është rritur. Është rritur artistikisht.

Poezia e saj rrokë tema nga më të ndryshmet. Ajo i këndon mallit, i këndon dashurisë, i këndon dhimbjes së ndarjes, dhe këtë e bënë duke qëndruar në një pozicion diku përball, duke i shikuar këto ndjenja në sy, si të mos kishin lidhje me të, drejt për drejt. Duket sikur këto ndjenja janë tek njerëz të tjerë, po në fakt nuk është kështu. Gjithçka rrjedhë në poezinë e Nexhi Baushit, e ka burimin nga brendësia e shpirtit të saj. Ajo dashuron, vuan, gëzohet, loton, po duket se këto ndjenja ajo i baraslargon pak nga vetja, më qëllim që të jetë më e drejtë, më objektive në gjykimin ndaj tyre. Me qëllim që t’i shikoj më mirë në sy.

Dhe këtë gjë ajo e realizon bukur artistikisht.

Si rrjedhojë mund të themi se autorja Nexhi Baushi është duke na dhënë në poezinë e saj më të mirën e saj. Ne duhet të besojmë se ajo ende ka shumë për të dhënë. Ne duhet të besojmë se brenda shpirtit të saj, flenë ende vargje poetike të cilat së shpejti do të mundet që t’i lexojmë.

Ky nuk është thjesht urimi ynë për të, por edhe bindja se në vijim poetja Nexhi Baushi, nuk do të resht së shkruari vargje edhe me të bukur.

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s