Poezi nga Anjeza Dielli
Shkëputur nga vëllimi poetik ” 77 poezi”
* * *
Rreziku hapi derën e errësirës.
Ndrikullat mbledhin shpirtrat e kafshuara,
e njerëzia vërviten mbi tela me gjemba.
Hija e një kodrine që shtrihet dyshimtë,
mbulon anemonat shumëngjyrëshe.
Zëri yt i brishtë
përskuq mollëzat e saj.
Tutje turmës
ajo qetësohet
nën gërshetimin lejla të kapilarëve,
e çka i dhemb
shërohet sakaq.
Si vitet e valëzuara të detit
që përfundimisht
do ta sjellin në përqafimin tënd.
Veç zhurma e valëve do të mbesë!
* * *
Diçka përpiqem të shpreh.
Diçka që ngjan me mëngjeset e lagështa.
Diçka që vërtitet si hije
kthinave të fshehta të trupit rinor.
Diçka që vdes në buzët e virgjëra
të një gjysmë mendimi.
Nis të shkruaj diçka,
një të vërtetë,
fjalë ndryshe që qëndisin mbrapsht shpirtin tim.
* * *
E zëmë se jam ujë!
Itinerari im, deti.
Nëse bëhem bulëz,
kush më thotë me siguri
se do të mbërrij
në fytin e tharë të një bujku të etur?
E vërteta do të shfaqet një ditë!
Ajo do t’i ngjasojë detit!
* * *
Nën marshimin e zhurmshëm të shkreptimave,
pikat e shiut shpërbëhen
në mijëra tinguj
pellgjeve.
Shkëmbinjtë e magjepsur
thithin aromën e tij.
Diku vdiq një i moshuar
e një dorë e vogël
ia mbylli sytë përgjithmonë.
Më pas shpëlau gishtat
në ujin e turbullt që i lagte këmbët.
Shiu lëpihet mureve
si arratisjet e hënës
netëve.
I harrova përkëdheljet
sepse më rritën papritur.
Tani kam një çantë supesh
mbushur me melankoli,
e shkoj drejt shiut
dhe e shpërndaj si erë
luginave…
Le të bëhet pyll!
Anjeza Dielli