Poezi nga Agron Shele

Poezi nga Agron Shele

 

Ne jemi, po ata njerëz…

Ne jemi, po ata njerëz…,
si dikur, zjarrit përndritur të Prometeut
flakadan i ndezur përjetë
në mendjet tona diellore
dhe rrugës së gjatë
në rendje,
mbetur përpos hirit
rrëmbyer ndoshta nga të tjera rrjedha
degëzuar përmes honesh të egra
përhapur më pas tisit frymë,
në një copë qiell të grisur.

Ne jemi, po ata njerëz…,
të ardhur nga kryqëzime hemisferash
përplasur botëve
dhe memories tonë të mjegullt
gjithmonë në kërkim
të një fije drite,
a fije shprese,
për të ndritur hapat e padukshëm
hedhur hapësirës boshe
drejt askundit, eter
dhe gjithçkasë, harlisur
në trungun e shkretuar nga veriu i ftohtë
lastarëve të çelur në pranverë.

Ne jemi, po ata njerëz…,
që mëngjeset i nisim me nxitim,
pa kohë
pa kokë,
vrapit të çmendur
rutinës ditë
harrohemi përpjekjes jetë
deri sa shikojmë mbrëmjen,
që varet e terrët
me shirita perëndimi
larguar horizonteve
e zhytjeve të reja
ëdrrave të zbehta
për një rifillim
zgjuar agimit të bardhë
e sosur muzgjeve.

Ne jemi, po ata njerëz…,
që ndjekim të pakapshmen
orëve të durimit
dhe syve të heshtur,
pas asaj, që ka ikur largësive të panjohura
e mbetur kujtimesh,
tek një rrudhë më tepër
e thinjës së shtuar
pasqyruar në gotën e boshatisur të verës
me të vetmen shenjë
përhitur të kuqes ngjyrë
vjedhur nga darka e fundit në Olimp.

 

Unë e di…!

Unë e di,
se një ditë do kuptosh,
pendët mbetur shenjë të zogut fluturim
rrahur krahët fort
e humbur tutje verdhësisë horizont,
pa kthim,
pa fole
zemërimit nga përtejretë,
rendur sa më larg
ankthit të hijes ndjekur.

Unë e di,
se ky shtegëtim nuk ngjan me atë të stinës së shirave,
as me rikthimin e luleve në lëndinë
është një ikje e pazakontë,
kohës, kur ajri si në eter mbytës
kundërmon dhimbjen e tokës
vdekjes, së gjetheve pafajësi poshtë këmbëve të thëllimit
dhe zhveshjes së pemëve kufomë, gjer në marrëzi.

Unë e di,
se kufijtë e errëtisë mbjellin natë
pa shkëlqim,
pa dritën, që lahet syve të shpresës
me ëndrra të plagosura lirie,
pa të nesërme,
por me një agim varur hijeve të jetës
në kaos,
dejeve të helmatisur
nga pesha e vullneteve të ndrydhur.

Unë e di,
se klithma e egër do i shembë muret e ngritur
kufizimit memorie
dhe gërmadhat e mbetura do kthehen në relike,
të asaj që blatuan mërisë më të thellë
në rrjeta merimage
turmat e etura herezi,
dhe mbretrit e vetëshpallur, pa kurorë!

 

Kjo natë

Kjo natë
është diçka më shumë se një vegim
ardhur nga të tjerë qiej,
të tjerë zota
frone të braktisur perëndish
rendur pas një hëne,
që shquan kupën qiellore
dhe thyen meridianët hapësirë
ikuinokse pranverash
çelur gërmadhave kohë
fillikate
në një botë të rreme
mbetur ankthit të saj
e hijesh të stërgjatura siluetë njerëzore.

Kjo natë vjen pas perëndimit të plakur
qepur me cepa yjesh
fshehur pas resh
dhe një imazhi trajtash në lëvizje,
që shkul flokët erë
dhimbjes së dritës pafajësi
humbur gjurmëve të diellit
tashmë larguar horizonteve të tjerë
në pritje
të rënies perde terr
e rilindur sërish.

Kjo natë
është eteri që rrethon tokën
me fasha të zbehta misticizmi
shtyn jetën në të thellin gjumë
e ringre shpirtrat në qiell
takuar në tjetër galaktikë
shprese e ngyrash të reja
përpjekjes
gjyrmëshiritash të prerë
ranishtes det
rrëmbyer erenish.