Një ditë plot të papritura. / Tregim nga Marjeta Shatro

Një ditë plot të papritura.

 

Tregim nga Marjeta Shatro

Alarmi i zgjimit ra fiks në  orën 6. Zbriti nga shtrati, hapi dritaren dhe derën e dhomës së gjumit. Dëgjohej zhurma e televizorit dhe një këngë e re e Soni Malajt, “Tulipan i bardhë”. Shkoi me ngut në kuzhinë. Pa tavolinën e shtruar me kujdes, tasin me fruta të thërrmuara, kosin e freskët, fetat e thekura të bukës, mjaltin, kafen aromatike dhe të shoqen që po pinte një lëng frutash. Iu afrua e përshëndeti dhe e puthi në buzë.

-Pse nuk më zgjove edhe mua? Je zgjuar shpejt zemër? Kam qenë i lodhur dhe nuk të ndjeva kur je zgjuar.  Po fëmijët janë zgjuar?

-Ende jo -u përgjigj ajo.

-Unë po bëj një dush, kurse ti merru me fëmijët.

-Po zemër po të pres. Duhet të bisedojmë për diçka serioze bashkë.

-Po fillon të më trembësh, çfarë ka ndodhur?

Mbaro punë dhe flasim, ok!

Pas disa minutash ai i afrohet dhe e merr në prehër.

-Fol zemër, po të dëgjoj. Kan ndodhë diçka, që…

Ajo ia mori dorën dhe ia vendosi poshtë gjoksit të djathtë me gishtat e tij, ku  ai preku diçka të fortë si një kokërr arre. Ajo me sytë e përlotur i tha se dyshonte për diçka të keqe, ndoshta jeta e tyre do të ndryshonte. Ai e përqafoi fort dhe i tha se jeta shpeshherë i vinte njerëzit në prova të vështira, por ata nuk duhej të dorëzoheshin. Ia fshiu lotët dhe i premtoi, se do e përballonin gjithçka bashkë. Papritur u afruan fëmijët dhe të katër u shtrënguan fort me njëri-tjetrin. Çaste të tilla ishin jetëdhënëse për secilin. Zoti nuk mund t’i ndëshkonte për dashurinë e tyre të pastër, veç t’i bekonte me lumturi. U ulën të hanin mëngjesin, pasi ishin vonë në kapjen e ritmit ditor.

Dolën nga shtëpia dhe morën makinën e tyre nga parkingu. Në fillim çuan fëmijët në shkollë, pastaj të dy prindërit njoftuan për mungesën në punë me motivin e njohur probleme shëndetësore. U nisën drejt spitalit dhe u regjistruan për takim me onkologun pas një gjysmë ore. Po prisnin në radhë ndërkohë që shumë pacientë hynin dhe dilnin pa reshtur. Ajo i urrente spitalet, të pakta kishin qenë vizitat në ato ambiente, përjashto rastet kur i duhej të shoqëronte ndonjë të afërm. Era karakteristike e spitalit, mungesa e kushteve të higjenës e kishin bërë të shprehej tek të tjerët: “Mjerë kë zë halli në spitalet tona!” Tani i duhej të përballej vetë me realitetin dhe problemi i shëndetit e kishte bërë të harronte kushtet e spitalit. Priste në ankth  takimin me mjekun. Erdhi radha e tyre dhe të dy morën frymë thellë, atij iu desh t’i thoshte se gjithçka do të shkonte mirë dhe shqetësimi i saj ishte i kotë.

U përshëndetën dhe gruaja filloi t’i fliste për problemin e saj. Mjeku e dëgjonte me vëmendje dhe urdhëroi infermjeren të merrte një kampion masë për analizë të menjëhershme dhe u shpjegoi se nëse masa ishte e parrezikshme mund të hiqej me një operacion të thjeshtë kirurgjikal. Gjithçka do vendosej pas rezultatit të analizave. E lanë të takoheshin pas një ore. Dolën të dy dhe u drejtuan drejt lokalit përballë spitalit, porositën dy kafe të zakonshme dhe filluan bisedën. Ai i tha se rezultatet do te dilnin mirë, por ajomë shumë e fiksuar dhe e frikësuar i tha se, nëse Zoti kishte vendosur ta merrte pranë tij ajo ishte gati, vetëm se i vinte keq për fëmijët që ishin ende të vegjël dhe kishin nevojë për të.

-I dashur të kërkoj të kujdesesh për fëmijët.

Ai i zgjati dorën dhe ia vendosi mbi buzë.

-Të lutem hesht zemër, mos thuaj asgjë, do ta shohësh që gjithçka do të shkojë si jo më mirë.

Ora e pritjes, ishte ora më e gjatë e jetës së tyre. Dolën nga lokali dhe u drejtuan drejt spitalit, ku do të takonin mjekun, për të marrur përgjigjen e analizave. Hynë brenda jo pa ankthin që pushton në të tilla raste, ndërsa doktori po i priste fare i qetë. Një ndjenjë çlirimi dukej sikur i lehtësoi.

Doktori ju drejtua të dyve dhe u tha se masa ishte e parrezikshme dhe mund të hiqej lehtë, mjaftonte të vendosnin për operacionin.

Ai e përqafoi fort dhe i tha se sëbashku kishin një rrugë të gjatë për të bërë. Falenderuan mjekun dhe dolën të dy me fytyrat që u qeshnin nga gëzimi. Ajo e kishte ndier praninë e Zotit dhe e falenderonte në heshtje. Kjo ditë kishte qenë më shumë se një sprove e vështirë për  jetën e tyre. Kishte kaluar ora 1” dhe duhet të merrnin fëmijët nga shkolla. Kur i panë fëmijët u çuditën, pasi asnjëherë nuk i merrnin të dy, ndaj kureshtarë i pyetën se çfarë kishte ndodhur.

Ata panë njëri-tjetrin në sy dhe njëzëri u shprehën se motivi i jetës së tyre ishin ata, prandaj duhet të kalonin më shumë kohë pranë tyre. Të katër hipën në makinë dhe u nisën drejt Dajtit,  lokali të tyre të preferuar, për të kaluar momente lumturie në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe të harronin gjithë çastet e lodhshme të asaj dite të gjatë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s