Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Qiell i grisur

Këmbë e urës, ballë shtrati,
Si jastek një fabrikat
Dhe pse s’di se ç’është mëkati,
Për dyshek, pak bar të thatë.

Hije netëve i vërtiten.
Japin marrin kënaqësi.
Herë ngjiten e herë shqiten,
Po vogëlushi nga këto s’di.

S’kish nga dinte ç’ishin dhelet.
Njomështi s’i kish lëkura.
E mbuluar krejt nga zhelet,
Shtëpi e tij ish kjo nën ura.

E në ndodhtë, dikush t’ia shembte
Gardhin ngrehur me kartona.
Lusja Zotin mos ta trembte,
Era vuuu… netëve të vona.

Për mbulojë një qiell të zi.
Grisur, shqyer mijëra yje.
Ëndrra sheh, si një fëmijë.
Ëndrrat grykën zënë si nyje.

E në paftë të tjera hije,
Që harxhojnë epshe nën urë.
Pa jetuar kohë rinie,
Para kohe bëhet burrë.

Ze zbret nata, minj tërë brymë,
Qentë pazot i merr në duar.
E gëzon ngrohur me frymë.
Natë e ditë bashkë të mësuar.

S’mbante mend ta thirrnin n’emër.
E ç’emër!?Ngjizur me dhimbje.
Shelg – lotues mbi të rri shtrembër,
Gjethe vjeshte që në lindje.

Dhe përsërit me mijëra herë,
T’vetmet fjalë që mirë i di,
Që nga dita kur kish lerë:
“Send, ndoj send na fal, Zotni…”

 

Këngë të vjetra

Sa here më flisje për dashurinë,
S’e përmbaja zemrën time.
Me këngë më shtije në ëndërrim:
Ishe qielli, deti, bluja ime.

Qenë këngë të vjetra, shpesh i kujtoja,
Bashkë i dëgjonim, atje në kuzhinë:
Ëndërra baballarësh mbuluar nga droja,
Shpirtrash të humbur përherë në kërkim.

Për miqësi që s’u panë kurrë,
Për dashuri të mbetura në klasë,
Këngë që sillnin radiot portative,
Pas biçikletave, mbërthyer në kasë.

Mos është më lehtë të rikujtosh,
Se sa të kthesh kohën e shkuar?
E sidomos kur ka që thonë :
“Ajo që shkoi ish koh’ e shquar?…”
Mos ësht’ më mirë të rrimë, vallë?
Mos ësht’ më mirë, këtu ku jemi?…
Të vjetrat këngë kanë vetëm mall,
Po mallin veç një kurth e kemi…

 

Kam provuar

Kam provuar një gjë të madhe në jetë:
Të shërbejë dhe pa më shërbyer, pa tamburë.
E ndonëse tërë kohës mbeta në këmbë,
Piedestale s’kërkova kurrë.

Qiellin pa shpërblim jua solla në duar,
Ta shijonit dhe diellin e shkurtit, qoftë anemik
Dhe me lirinë përherë përqafuar,
Të mos kishit kurrë frikë.

Jetova më absurden skenë në këtë jetë:
Xhelatët të kthyer alienë, rrethuar me aureolë.
Zoti, falur më kish, shpirtin e vet…
Do ta mundja ankthin-tritol.

Dhe lumturi të pamasë kam provuar:
Kur me të mirën, fitoja mbi humbjen, ligësinë.
Me të vërtetën- armë t’u mbaja zgjuar…
Vargu im mos të kish kokainë.

 

Sinqerisht…

Sinqerisht…
I nisëm përsëri bisedat e dhimbjes sonte.
Pranë njëri tjetrit. Ato do të kalojnë si retë.
Pas shiut, një rreze dielli do të na mjaftonte.
Dashuritë provohen, në të përpjetë e tatëpjetë…

Sinqerisht …
Thuam, kush e qetësoi për ty detin e vdekjes?
Kush tjetër ndezi hëna e yje nëpër net?…
Ishin gishtat që dridheshin nga magjia e prekjes.
E kjo s’do të kish të sosur, tërë një jetë…

Sinqerisht …
Përse, tërë kohës krahut tim s’m’u shqite,
Kur betejave të humbura në kalendar u ktheja fletë?
Ishe ti, që me një puthje trishtimin ma fashite,
Ti, që më ktheve befas buzëqeshjen e vërtetë.

Ndaj, sinqerisht…
S’trembemi dhe nëse ters na shkon “një nesër”.
Do të marrim trastat në kurriz dhe do të shkojmë.
S’do t’donim kurrë që fati ynë të varej nga një tesër.
Ç’të bëjmë?! Tangenteve fatale të botës do t’qëndrojmë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s