Poezi nga Vera Istrefaj

Poezi nga Vera Istrefaj
 
 
DIMRI
 
Dimri
përqafoi fuqishëm
brishtësinë e supeve
 
Peshë e bardhësisë
rëndueshëm
ngrin vështrimet
 
Pas hapave nëpër qytet
mbetet heshtja,
heshtje që klith
ngricave të shpirtit
 
Tutje në horizont
ngrirë shpresa
 
Degëve të blirëve
hallet nxijnë
 
 
 
ABSTRAKSION
 
Tutje darë e mendimit,
librin e ëndërrave
mos ma shfleto!
 
S’po i gjej dot një varr
trishtimit
 
 
 
IMAZH
 
Mbi liqe
ngrica e zezë zuri vend
 
U terruan shpresat
 
Dridhet zemra
si gjethe vjeshte
furtunave të shpirtit
 
Po fundosen ëndërrat
 
 
 
Ç`TRISHTIM
 
Kjo mjergull
si mjekra e plakut të moçëm
na është varur shpirtit
 
Na i ftohu ëndërrat
e na njomi trishtimin
 
Në dhimbje eshtrash
shtriqet kjo mjergull,
mjegullon vështrimin
 
ç`trishtim
 
 
 
SHPRESË
 
Buzëqeshjes
mos ia mbyll derën
 
Lëre të dritojë
nëpër shpresë
 
Mbi trishtim lëre,
si lule me vesë
 
 
 
KUJTIME
 
Mbi tym mendimi
nje tufe dëborë
flokëve si kurorë
 
Deshpërimit
noton zemra
 
E në shpirt mbeten
gjurmë të paemra
 
 
 
VJESHTË NË SHPIRT
 
I kanë ikur gjethet
pemës së shpresës
 
Lulja zhuritur
mungesës së vesës
 
Nisur në udhëtim
vjeshta e vonë,
shpirtit të trazuar
 
 
 
FLATRA NË FJALË
 
Le t’i nisin fjalët
pranga për to s’kam
 
Po më rimon shpirti
si ky shi mbi xham
 
Vargu flutron
petal më petal
 
Me rrezet e shpirtit
ngrohur e kam
e udhëtimin e tij
asgjë s’e ndal
 
 
 
Ç`TI JAP ETJES?
 
Shpirti,
kjo letër ku dhembja shkruan
 
Zemrës
i jep flatra veç gëzimi
 
Nga mendimi
truri vuan
 
Më pushton trishtimi
 
Ç`ti jap etjes?
 
 
 
AKULLI I KOHËS
 
Në skërmitje dhëmbësh
akulli i kohës
më mundon,
e zjarri i zemrës, bubulak
shkrumbon
 
Sa pak kërkoj nga jeta,
sa pak!
 
E s`më ofron
asgjë
 
 
 
KRISTAL NË SY
 
Më mbetën sytë
drejt derës
 
Pres të më vish
si syth i pranverës
 
Mureve të zemrës
përplaset etja për ty
 
E portreti yt,
kristal në sy,
imazh
 
 
 
NË PRANVERËN E SHPIRTIT
 
Livadhet e ndjenjave
më blerojnë
çdo pranverë
 
Pas cdo dimri
zemra me çel
 
E pranvera e hershme
bleron shpirtit
 
Si një kopësht me lule
ku dehemi ne të dy
 
 
 
VALË ZEMRE
 
Këngë e pakënduar
valë e zemrës time
 
Në pentagram
dridhjet e shpirtit
 
Kujtimet
vallëzojnë trazirave
 
Nostalgjia,
ra mbi zbrazëtinë
e etjes sime
 
 
 
IMAZH NË IKJE
 
Pendë të argjendta
zogjtë e shpirtit
 
Edhe kalimin dembel
nga teli në tel
 
Gjalica rëndon
nën të bardhin mantel
 
Dimri po rrëshqet
duke mbretëruar
nën këmbë tona
 
 
 
ACAR
 
Kjo vjeshtë
la gjurmë në shpirtin tim
 
Etjen
nuk ma shoi
shija frutore
 
E tani,
etjen ma ngriu në buzë
një flokëz dëbore
 
Një putje e acartë
ngriu qiellit,
puthje e kristaltë
 
 
 
KRAHASIM
 
Stinën e mjergullës
të gjatë e pati ky vit,
mjaft të gjatë
 
E ftohtësinë
lak në fyt.
 
Tymnajë
në kokat e njerëzve,
tymnajë.
 
Ç`ti japim qiellit
në këtë etje shekulli?
 
Përpëlitet etja
në funde oqeanore,
e tymnaja jonë
na tërheq për dore.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s