E PANJOHURA E CVAJGUT JAM UNË / Nga: Eliverta Kanina

E PANJOHURA E CVAJGUT JAM UNË

 

Nga: Eliverta Kanina

“Kam dashur të të shkruaj”
“Po përse nuk e ke bërë?”
“Sepse desha të përsosem më parë, që të të meritoj…”
Buzët u puthitën dhe përgjigjia mbeti brenda tyre, pa zë. Sa naive! Iu gëzua kyçjes së buzëve, si asnjëherë tjetër. Dashuria vjen kur pushojmë së qenuri të përsosur- e kundërshtoi gjysmëvetja.
Nëse do ti shkruante, siç njëmiljon herë e kish menduar, nuk do të përcillej dot e tëra, për shumçka ndiente. Me ç’fjalë? A do mjaftonin? Si do nënkuptoheshin prej tij? Ndërkohë që heshtja nënkuptohet si të do qiefi, shkrimet kufizohen në ato fjalë që përdor. Sikur të mundja fjalët ti gjeja, sa herë që nën magjepsjen tënde jam!

Nëse do ti shkruante, ai mund të mos përgjigjej. Ndoshta ajo do të mbetej përsëri ajo mjellma fisnike, një princeshë poezish. Por nuk do të ishte njësoj. Mospërgjigja e tij do ti shndërrohej në një bizele, që do tia bezdiste ëndërrimin ku ajo nanurisej magjishëm.

Pasi i kishte dhuruar një qiell ëndrrash, ai kishte heshtur. Ajo lëshonte zogun e imagjinatës, në këtë qiell, dhe jetonte përditshmërinë. E ndjente atë flatrim në hapësirën mes brinjëve dhe barkut, sa herë e kujtonte fytyrën e tij. Kur i përplasej me zemrën sikur prekte majën me borë të Everhestit, drithëronte e tëra. Kur i përpëlitej në fundbark, e përvëlonin afshet, sikur po kalonte Saharanë. Si shpend i shterur, mbetur pezull, pikonte e gjitha një trishtim të ëmbël.

Nëse i shkruante dhe ai do ti përgjigjej? Ky do të ishte fillimi, i një fundi të papërsosur. Çasti kur nga engjëll, mëkati të kujton sa njerëzor je. Më mirë jo! Kënaqësia e fluturimit do ti kthehej në një zog të pjekur. Sado i shijshëm, pavarsisht garniturës dhe klasit të servirjes, mbetej një konsum gjithsesi. Këtu imagjinata e trembte, i ndërpritej…

Duke e përfytyruar fytyrën e tij, ajo zbriste në honet e vetvetes. Nën ata shkëmbinj, në atë breg ishulli, ku ajo e mbante të fshehur, të lakuriqtë, larg botës, vetëm për vete. Pasi e puthte gjithandej, ajo i gëzohej si fëmija lodrës më të çmuar. Edhe aromës prej mashkulli, edhe shijes së njelmët të dermës, edhe qimeve të toraksit që i gudulisnin ballin kur ajo i mbështeste kokën aty . Pasi luante sa lodhej me të, ajo mbyllte sytë dhe priste si çamarroke lojën e tij. Ai e shtrinte mbi një rërë rozë, butësisht, me delikatesën e një perle. I pëshpëriste në vendin e parapëlqyer pranë bulës së veshit. E penetronte me frymën e ngrohtë, sa ajo harlisej nga kënaqësia. Ia depërtonte poret, dhe ajo ndiente deri në palcë metamorfozën qelizore. Harronte të hapte sytë, mjaftohej me magjinë. Kur besonte se e kishte brenda të gjithin, një dallgë mes jeshiles dhe të kaltrës ia merrte. Duke i lënë mbi trup vetëm shkumën e bardhë…

Eh! Edhe pa i shkruajtur, ai ndoshta e kujtonte. Ndonjëherë mbase, teksa fërkonte mjekrën, në këmbë para bibliotekës, në dilemë për librin e rradhës. E mendonte?! I duhej ta mendonte kështu!
E dëshironte këtë. Madje edhe e besonte. Një ditë, ai do ti shfaqej si Zoti. Nga ai qiell ëndrrash ku ajo e adhuronte në heshtje, do ti hidhte një palë shkallë për ta marrë pranë vetes. Shkallë? Mbase me rrjeshta të shkruar, në një letër, vetëm për të…
Uronte që kjo të ndodhte sa më vonë. Kur ti ishin shterur të gjitha sikur-et, por-et, jo-të, që i rëndonin torbën e argumenteve. Të lehtësohej njëherë e mirë. Nga të gjitha prangat e kësaj bote…
Deri atëherë duhet të përsosej…
Në heshtje…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s