Poezi nga Nikollë Loka

Poezi nga Nikollë Loka

 

Në vendlindje

Në vendlindje
na kursyen erërat,
shiu dhimbshëm na lagu,
kishin ngjyra lulesh vetëtimat,
pranverat na dukeshin si vajzat.

Në vendlindje
lulet ishin erëmira si frutet,
deheshim me rrush nën pjergulla,
kur kalonte rrugës kalimtari,
pa na njohur uronte: “Tungjatjeta!”

Në vendlindje,
shpirti ngarkohet me gurë,
e qielli mbulohet me mall.
Malli vjen prej larg
e s’shqitet më,
në kohë mërgimtare
që ikin pa i parë.

 

E gëzofshim këtë natë!

Dielli është shterrur
pas një dite të nxehtë,
perëndimi shuhet me pendesë,
horizonti fshihet pas resh,
ishte a s’ishte,
atje ku takohet qiell e det.

Mallkimi rrugët kishte fshirë,
dhe yjet terratisen e fiken.
E gëzofshim këtë natë që zgjat,
e nuk e prisnim!
Në një qiell memec
lodron një murmurimë,
që i sjell rrufetë
mbi çdo trung lisi.

E gëzofshim këtë natë
që zgjat!
E patëm fat,
mos i rëntë gurit as lisit!

 

Një ngutje

Pranvera
e ka një ngutje,
me lutje,
frymën e mban
kur fryn erë.
Era me ëndërra
gjethesh e lulesh,
bën tutje,
e në sythe shpërthen.

Pranvera
e ka një ngutje,
pa lutje,
shelgu lotues
i rri për skaj.
Mësoje
gjuhën e luleve,
e përktheje në shqip
me ngadalë!

 

Dhimbjen e ndaj përgjysëm

Gaboj kur kujtoj se jam përsosur,
dheun e shkel dhe qiellin e mbaj mbi krye,
fundin e kohës s’e shoh,
por mendjes ia heq zinxhirët,
besoj në një zog,
që më thotë se toka ka shpirt.

Kapërcej me mendje meridiane,
mbi dheun e ngrirë, gjashtë muaj bën ftohtë,
keqkuptohem me kohën,
shpirtin e ndaj përgjysëm,
me gurin në zemër e dhimbjen në kockë.

 

Dy vija…

Krejt javën
vizatohet koha
në rrathë horizontesh.
Projektohet rruga
mbi ura,
mbështetur në të djeshmen
dhe të sotmen.
Rishfaqen me dhimbje,
pa vetëdije,
gjurmë vetmie,
përmbi fusha orësh,
në kapërcime urash,
në kapërcime kohësh…

Dy vija…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s