Fshati digjet, Kadarea… krihet! ( Reagimi im ) / Nga : Edmond Shallvari

Fshati digjet, Kadarea… krihet!

 

Nga : Edmond Shallvari

Reagimi im

Ja çfarë tha, mes të tjerash, gjatë intervistës së tij Kadarea në Kosovë:
“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, që spektatori shqiptar t’i shohë sot ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit”.
Po shkruaj jashtë sferës së talentit Kadare, prandaj mos shpejtoni të më sulmoni me epitete të ulëta, duke kujtuar se mos qëllimi im është injorimi i këtij talenti. Përkundrazi, e kam thënë e stërthënë dhe po e përsëris, që tjetër gjë është talenti Kadare në letërsi dhe tjetër gjë njeriu Kadare në veprën dhe fjalën e tij jashtë talentit letrar.
Ajo që kam vënë re prej kohësh tek njeriu Kadare, është përpjekja dhe mania e shfaqjes tjetërlloj e jetës dhe veprës së tij përmes bisedave dhe intervistave. Kaq me yrysh e ka marrë këtë vrap shfaqjeje, sa zor t’ia ndalin vitet e pleqërise që mbart mbi supet dhe shpirtin e tij.
Pa devijuar nga tema në fjalë, pasi ky yrysh kadarean të çorienton aq keq, sa kujton se ke të bësh me një njeri dhe shkrimtar puro disident, ajo që më habiti deri në çakëritje të syve, ishte deklarimi i tij në intervistën e fundit në Kosovë, ku sulmoi në mënyrën më të dobët të përçmimit, filmat shqiptarë të kohës kur ai, më tepër se ata filma, i thurrte elozhe dhe himne po asaj kohe dhe po atij regjimi, përmes penës së tij të talentuar.
Do e besoja vërtet këtë qëndrim të sotëm të Kadaresë, nëse nja dy dekada më parë, por edhe më pas, do deklaronte e shpallte të njëjtin qëndrim ndaj një pjese të veprës së tij, të asaj vepre kur ai kërkonte me aq pathos dhe emocion rrënjët e Partisë, duke e krahasuar aq bukur poetikisht me “një rap madhështor mbi këtë vend të lashtë” dhe ku me aq bindje komunisti i siguronte asaj Partie pavdekësinë, sepse që të shkulej ai rap, Partia dmth, duhej “të ngrihen nga varret dhe të rivriten të rënët”, etj, etj.
Por Kadarea, që kujton se njerëzit e hanë sapunin për djathë, e le mënjanë këtë pjesë të veprës së tij letrare në shërbim të regjimit, duke u marrë me pjesën më të prekshme dhe të ndjeshme të artit kinematografik tek njerëzit, siç është filmi.
Pa dashur të hyj në analizën e filmave shqiptare të asaj kohe, ku dihet tashmë e meta e tyre në shumë drejtime, nën tutelën censuruese të realizmit socialist, ajo që dua të theksoj në këtë shkrim, është përdorimi i sëpatës së dardharit prej Kadaresë, që kujton se me një të rënë të saj, jua pret kokën gjithë filmave shqiptare të asaj kohe. Kadarea nuk le asnjë version tjetër qëndrimi ndaj tyre, por shfaq atavizmin e mbetur të diktaturës, që me sa duket i ka mbetur skutave të shpirtit të tij. Të njëjtën gjë a nuk ka bërë dhe dikur, kur me të njëjtën sëpatë ka goditur dhe prerë veprat e Fishtës dhe të autorëve të tjerë të dënuar nga Partia? Të njëjtën gjë a nuk ka bërë, kur me të njëjtën sëpatë ka goditur dhe prerë veprat e autorëve të huaj, deri në nobelistë, sepse sipas mendjes së asaj kohe kanë qenë reaksionare, revizioniste, etj, etj?
Harron apo bën sikur harron Kadarea, që edhe pena e tij ka qenë pjesë e artit propagandistik në shërbim të regjimit, jo më pak se filmat e të njëjtës kohë me të?
Harron apo bën sikur harron Kadarea, që jo pak vepra të tij u bënë filma dhe nëse gjithë filmat duhen ndaluar, atëhere duhen ndaluar edhe veprat mbi të cilat u bazuan dhe u xhiruan ata filma?
Prandaj, nëse tek talenti Kadare, ka mbetur sadopak njeriu Kadare, e para gjë që duhej shpallur botërisht prej tij, do ishte qëndrimi ndaj asaj pjese të krijimtarisë në vargje, prozë dhe fjalime, që siç e theksoj më lart, kanë efekt disa herë më negativ, se shumë prej filmave shqiptarë të asaj kohe.
Së fundi, ajo që me çudit nga kjo intervistë, është se Kadarea, që ka kohë që hesht ndaj problemeve thelbësore të shoqërisë shqiptare, të shtetit dhe politikës shqiptare, paska kohë dhe dëshirë të merret me tema kaq anësore dhe jo problematike kohës së sotme, në Shqipërinë e mijra e miliona halleve të jetës.
Ndjehem keq sinqerisht, që tek lexova këtë deklaratë të Kadaresë, më erdhi në mendje thënia e njohur, “Fshati digjet, kurse kurva krihet”.
Kadare, nuk të ndihmon dhe as të zbukuron sadopak, asnjë lloj krëhëri nga tualeta e kurvave!

@Edmond Shallvari
Thessaloniki, 11 prill 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s