Poezi nga Anila Qirjazi Mihali
Mëngjes i roztë
I roztë ky mëngjes me sy karafilash
Në buzëçelje gonxhesh humbet dita,
Dashuruar pafund me sinfoni bilbilash,
Me fletët e njoma strehzën e ngrita.
Tik-taket e orëve digjnin frymën tonë,
Flakë e kaltër e qirinjve shtratit humbi,
Me dritëputhje e mbushëm mesnatën vonë,
Nga qerpikët tanë arratisur gjumi.
Në gjokse shtërngonim akrepat e orëve,
Ta ndalnin atë tik-takun e tyre monoton
Por ai s’mblidhej në shtërngimin e duarve
Mëngjesi me karafilat rozë nxiton.
***
Të mbajta gjatë në ngjizjen e zemrës
Ti rrënjët mbolle në shpirtin tim.
Përpëlitesha shtratit me ankthin e femrës,
Në kodin e lindjes pa deshifrim.
Të prisja në zjarrminë që digjte si furrë
Me pyetje që lodhin në lindjen e parë,
Të shihja fytyrën mbuluar me nur,
Të shihja shpirtin që ndrinte fanar.
Drithërima e nënës nurit tënd iu ngjit
Fluturimthi të dyja iu afruam parajsës
Ti erdhe që mua t’më ndezësh në shpirt
Ishe vetë Zoti,nga Olimpi fjalës.