Poezi nga Sofia Doko Arapaj
S’ më qortove kurrë
E ç’ nuk bëra, kur kujtova,
se të humba atëherë…
Thërrisja retë, ku ishin e s’ ishin,
i ushqeja me hidhërimin tim,
i përplasja kokë me kokë
dhe… çliroja rrufetë e shpirtit!
Ndërsa ti, ti s’ më qortove, kurrë!
Buzëqeshe dhe më ktheve,
Përsëri ne qiejt e Ëngjëjve…
Bëj t’ ju lë
Them t’ ju lë ,
T’ ju harroj njëherë e mirë,
zini shtigjet, gardhet thurni,
kyçni portat n’ ërresirë…
……po….po…!
Po ka ngelë zemra aty,
këmba, dora edhe syri,
se po flenë ëndrrat aty,
fustanbasma prej floriri,
Bëj t’ ju lë, them t’ ju lë,
më tërhiqni edhe më…
***
Unë e di nga lind dielli,
e di, lind atje ku nderet buzëqeshja shpirtgjerë,
atje ku unë prek e përkedhel atë kokën që dhemb,
atje, ku unë zhytem si rreze e shfaqem si dele,
kullos dhe ngopem në livadhin tënd të butë
mbi atë gjoks trëndafilash, që çel vetëm për mua…
Mos ik, mos ik, se rrëzohet dielli,
nuk mund të më lësh, pa më thithur palcën…
Shih si rrotullohen milingonat, shih, u iku mendja fare…