Poezi nga Vasil Çuklla

Poezi nga Vasil Çuklla

 

Këngëvaj…

Këpucët në duar, hëna përmbi kokë
Marrur e ke rrugën, o bir e o djalë!…
Shkon t’i falësh detit, një trup e shumë lotë,
Kthyer gjoksin dallgës… era trazon flokë
Jetën më s’e deshe, si s’ma the një fjalë?!

Këpucët në duar, hëna përmbi kokë
Në kë valë, e mjera, të vij të të qaj?
E kriposën detin, ah, të nënës lotë!
E hepojnë valën, e shndërojnë në dallgë
E shndërojnë ninullën, në kujë, e në vaj!

Këpucët në duar, hëna përmbi kokë
Cila valë, kush dallgë, o bir, t’u bë stromë?!
Djalë, o djalë i nënës, që s’më kishe shok
Më thinje, më trete, shpirti bërë hon
Kujgrisur shkëmbenjve e mbetur jehonë!

 

Vala, është një!

Vala rend ngadalë, si çupëz e drojtur, krahpërqafimit me bregun!
E valë përmbi valë… duket, shkojnë e vijnë e pëshpërisin fjalë.
Vala shkumëbardhë, gjetur e ka shtegun!

Vala rend ngadalë dhe ashtu virgjërore, gjinjtë mbushur mall!
Drit-hënës që ndrin… pëshpërit – “të dua” e bregut një puthje i fal!
Vala fustanbardhë… Ç’duket, janë palë!

 

Krishti u ngjall!…

Edhe 364 ditë, kemi të shqyejmë trupin e Tij,
të ushqehemi…
Edhe 364 ditë, kemi të pimë, gjakun e Tij,
të dëfrehemi…
Edhe 364 ditë, kemi të shqyejmë, të pimë, po Atë,
le të prehemi…
– Krishti u ngjall!… – Vërtet u ngjall!…
le të dehemi…
Fjala u Ringjall!… Andaj mbemë… pa fjalë!

(Mateus: kapitulli i tretë!)

 

Rojtari i tempullit

Ka kohë, sa vetë koha, jashtë tempullit ruan
U tret, pak nga pak, në tejkohë, në tejlarg.
Që tempulli mos përdhoset,
kështu qe e shkruar…
La hijen të ruaj, rojtari në prag!
Ikën fund-ditës në të perënduar,
kthehet rrezediellit, agimesh dhe prap!

 

Sikur i dëgjoj…

Heshtni!…
Vetëm tani, mos flisni!
Lotët, që prej syve na hepojnë,
janë kallpë!
Sikundër kallpe është tani
dhe britma jonë
ngujuar, shkrehur, kapur hunde me hallkë,
se ligjërojnë “këmbët”
dhe na thonë – prisni!…
Gjithkush prej jush do të flas,
vetëm aherë, kur të vdisni!

Ne!…
Unë.. edhe ju, Lirinë,
tok e vramë!
Ne, që u rropatëm,
t’a sillnim të bukur.
Krahëshkruar,
të brishtë porsi flutur…

Ne,
që dhe malet, mbi supe i mbamë!
Po, po!
Ne!…
Unë… edhe ju, Lirinë,
tok e vramë!

Ne,
q’u munduam të vinte
e virgjër, si vet virgjëria.
Ne,
që s’u trandëm nga krismat, buçimat
e shkrepash na u thinj djalëria.
E lamë…

Të përshpirtet, të vdesë,
duarve tanë
si vdes me turp, paburrëria.

Kujt i duhet tashmë, kjo kuje e vranë,
kur heshtëm njëzëri?!…
Kujt i duhen tashmë,
jargët tona,
lotët kallpë, mesmbrëmjes së mbramë,
kur gjaku i martirëve,
ulërrin tek flamuri?!

Liria s’u vetvra!
Ne e vramë,
me heshtjen mallkuar, fshehur në zë burri!

Pra heshni tani!
Heshto, thjesht,
për skrupuj!
Liria, kjo lule mavi,
edhe vrarë…
Aromëzon, më beso, ende bukur!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s