Poezi nga Kaltrina VB Hoti
Pres kohën
Dua të pikoj në buzën tënde
Dëshiroj të bëhem ujëvalë e vrullshme
Në sytë e tu të shoh veten time
Në sytë e mi ti të gjesh dëshirën tënde.
Por plaga e vjetër m’a robëroi zemrën
Do të pres kohën t’a ringjall jetën time.
Vijë ngadalë në heshtje
Mos më thuaj jam e vështirë
Unë i ruaj fjalët e natës
Dhe pres takimet e premtuara
Kur më thërret
Vijë ngadalë në heshtje.
Silueta në largësi jam unë,
E dëgjon pulsin e zemrës
Mos u frikëso nga qetësia shpirtërore
Mundohem t’të ruaj nga vetmia
Ajo më sulmon para se të futem në sytë e tu
Me ëndrrën tënde shpatë krijova
Nga dora t’a mora kafshatën e fundit
Në shigjetë e shndërrova
Me flokun tënd tingullin krijova
Vetmisë me gushën tënde, luftë i shpalla
Unë qetësia jote shpirtërore!
Të ruaj nga vetmia
Fituese të shpalla.
Pika e shiut
Shiu puthet me pëshpëritjen e gjetheve
Aty diku jam strehuar
Dhe pres një pikë
T’a shuan etjen time
Për puthjet e tua.
Me fjalën tënde
Në shtatë pjesë gurin e zemrës e copëtove
Loti i ngrirë në puthje u shndërrua
Buzëqeshjen e humbur e vodha
Nga jeta e jetuar
Me fjalën tënde e shtrova shtratin e dashurisë
Bëhu erë e malit të luash me flokun tim
T’a di që nuk jam në ëndërr.