Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

HIJA IME

Nga dritarja e brengës shikoj hijen time
që endet nomade,
me një çadër ëndrre të plagosur,
duke kafshuar mendimet e të djeshmes
për të sotmet e përgjakura.

Si zogjt e trembur zbrapsen hijet e tjera
dita, me turpet e natës mbi shpinë shetit lakuriq,
sytë lakmitarë kullojnë rrëshirë!
Zgjuar kujshëm tragjedit e vjetra,
nga klithmat e korbave ngadhnjimëtarë,
ringjallen piskamat e elegjive.

Qiejt, pushtuar nga marrëzia,
rrëzojnë eshtra ortekësh
mbi çatinë e kullave të braktisura,
flugerët dhunohen pa mëshirë nga tufanet e kalbur.
Hija ime endet e vetme nëpër ditënatë;
por unë e sodis nga dritarja,
i pafuqishëm t’i shkoj pas.

Në karrocën e shpresës
hingëllin kali i etur për lavdinë e mortit,
dhembët e heshtjes përtypin pendimin e vonuar.

Poetët ngjyejnë penën në dritën e lotit.

 

PAGJUMËSI

Në këtë orë të natës së vonë
Gjumi ka humbur udhën për tek unë
S’di ku ka shkuar, s’di çfarë kërkon
Ndoshta edhe gjumi po fle gjumë!

Heshtja ndër mure endet e ftohtë
Ëngjëjt e di, janë nisur për aty
Përtoj të ngrihem e mbush një gotë
Gjumi fle gjumë në qejfin e tij!

E nisa dhe një gjysmëëndërr
Tek shtrati yt të afrohet pa zhurmë
Të të puth lehtë tek gusha e ëmbël
Jo dallgë pas shkëmbi, siç bëj unë!

Edhe pak frymë nga fryma jote
Ta kem si gjurmën e nxehtë të puthjes
Atëhere s’do ia prish qejfin një gote
Dhe gjumi të vij do e largoj tutje!

Dhe kur ti të çohesh në mëngjes
Do shohësh gushën në pasqyrë
Atje lodron një si lule e zbehtë
Si djalë çapkën do i shkelësh synë.

Ndoshta atëhere gjumi do trokas
Mbi qepallat e mia të rënda
Endrrat e bukura duan vetëm natë
Ditën ndizet fjala edhe kënga!

 

SIKUR…
(Marr mbi vete përgjegjësinë, -thonë mëkatarët e politikës, por…..!)

Sikur përgjegjësia të ishte një gur i rëndë
Apo një thes që do të kullonte baltë?
Do guxonte vallë ndonjë burrë në këmbë
Të ulte shpinën e të bëhej si kafshë?

Sikur përgjegjësia të ishte portë ferri,
Apo zinxhir i ndryshkur lidhur në qafë,
Do guxonte burrë të dorëzonte nderin
Do kishte sy që të mbyllej në natë?

Sikur përgjegjësia të ishte send tjetër,
Të varfërit-në bunkerët e kështjellave!
Por ja që mbetet “pronë” për mbretërit
Flamur që nuk përkundet nga era!

Ashtu si mbreti i shahut që kapet peng
Mbi kufomat e një ushtrie të tërë
Mbretërit e tokës kanë ligjin me një nen:
“S’kemi përgjegjësi për ç’themi e bëjmë!”

Dhe ikin vitet, brezat do ndrrohen,
Falmujt tjetërsojnë ngjyrat me eskorta
Mbretërit nuk humbin, jubileve nderohen
Kështu i ka ndërtuar ligjet bota!

Sikur përgjegjësia të ishte mal me dëborë,
Apo zjarr që duhej të mbahej me dhëmbë,
Asnjë mbret s’do guxonte të vinte kurorë,
Asnjë hije nuk do qendronte në këmbë!

Pyjet rrisin lisa-folezogjësh për këngë
Dhe për trarë të fortë që të mbahet çatia
Duke krasitur degët, shëndoshet çdo rrënjë
Rilindet gjelbërimi, merr krahë liria!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s