Magjia e vargjeve përplot figura dhe ngjyra ( Referim rreth poezisë së autores Fatbardha Sulaj) / Nga: Safet Hyseni

Magjia e vargjeve përplot figura dhe ngjyra

( Referim rreth poezisë së autores Fatbardha Sulaj) 

 

Nga: Safet Hyseni

Jetë dhe përjetësi. Spektër fjalësh dhe ngjyrash pa përjashtuar asnjë nuancë të jetës. Poezia e sjellë nga Fatbardha Sulaj është fjala me pasion shpirti, me ngjyra jete, fjala e cila me fuqinë e saj depërton  në brendësi të ndenjës… Me poezinë dëshmohet talenti nëpërmjet fuqisë së fjalës, zbulohet shpirti nëpërmjet ndjenjës, thithet mesazhi nëpërmjet bukurisë, dhe  thuret dëshira humane nëpërmjet idesë… Fjala  shëtitet nëpër jetën e përditshme që sfidon nënkëmbëzat e saj për të kumbuar e lirë në kupën qiellore, sprovon shumë forma dhe stile nga më të ndryshmet, josh shpirtin e lexuesit, udhëton bashkë me të për të përjetuar një ëndërr, përqafuar një dëshirë… Sot kur ka shumë poet disa nga to ikin përtej kornizave të ca rregullave duke krijuar një formë tjetër të shprehjes, arti thyen gjithçka, por…  por e ruajnë origjinalitetin, apo krijojnë lirinë që duan vetë, lirin e shprehjes së ndjenjës mbi jetën dhe fenomenet, por në një formë tjetër. Një nga poetet që bënë dallim në thurjen e vargut dhe radhitjen e fjalës së lirë në krijimet poetike është dhe Fatbardha Sulaj, e cila nuk përcaktohet asnjëherë për një titull, mbase kjo e lë të mundshme që lexuesi të futet vetë në analizën e mendimit për të thithë atë që dëshiron nëpërmjet artit,  për të marr mesazhin apo për të shijuar ndjenjën dhe pasionin e vetë. Kritiku dhe vështruesi do duhet që përmes vargut pa përmendur asnjë poezi (titull) të zhbiroi vargjet që sillen në mënyrën  unike nga Fatbardha. Jeta, kjo dhuratë e bukur në çdo moment është në kërkim të përjetësisë, njohjes mes veti e kur kjo arrihet ka një magji që na e thotë në një varg me metaforën e qëlluar; “Në çdo hap që hedh/ unë ndjej që jam Ti…”. Autorja me vargun e saj wshtw nw mbrojtje tw dashurisw si vlerw shpirtërore. Atje ku s’ka dashuri e gjitha ndodh për të vrarë shpirtin, për të krijuar rrathë vuajtjesh, rrënojnë të shenjtën duke shkel thërrmijat e bukës në tryezën e fisnikërisë.  “Në sytë e mi/ ti nuk mund të depërtosh/ nëse s’dua unë? Magjistarët vdiqën/ në inkuizicionin e dashurisë fatale/ Sa keq më vjen/ tani ka vetëm predikues/ në dashuri sektesh”, një goditje e ashpër për depërtimin e kulturave të huaja në indin shqiptar, në rrënimin e familjes shqiptare… T’i bësh inkuizicion dashurisë është çmenduri, të njollosësh të shenjtën, hyjnoren, vetëm pse mund të dukesh në lojën erotike më e/i zo../i, apo për hir të ndonjë urrejtje të përqafosh atë është shkatërrim… Autorja e vargjeve që spikatin  për artin dhe metaforat e bukura thotë se; “Nuk më pëlqen të hesht/ kur s’di të hesht/ as t’i fshihem dritës kur me ka parë/ veshur dhe zhveshur/… me kaq mjeshtëri e godet mëkatin apo mëkatarët që duan të fshehin mëkatet e natës e ditën të duken engjëj. Dritës nuk mund t’i bësh lajka. Andaj ajo iu jep grushtin e fundit mëkateve; “Nuk i fshihem dritës/ kur ka mjaftë errësirë/ rreth meje…” ngase errësira është pjesë subkoshiences së individit.  Ata që me shumë sakrificë e dije kanë krijuar identitetin nuk ndryshojnë dhe din t’i  kapërcejnë me ego sfidat e jetës. Këtë me shumë art dhe filozofi na e thotë autorja në vargjet; “Asgjë s’më ndan nga ç’dua/ nga ç’kam/ Ti s’je kurrë unë/ dhe unë ti/ kurrsesi s’jam/ asgjë s’më ndan nga ç’dua/ nga ç’jam/ as mendjet e liga/ as shpirtrat nopran…”. Ajo nuk tronditet nga fenomenet e kohës dhe e plotëson me shumë shije lojën e aktorëve që mundohen të futen në labirinte të pamerituara. Por me shumë art dhe shije të traditës dhe metaforës popullore. “Ylberi pa shi u shfaq/ tej mbi kodër/ tokën puthi/ ngjyrë ngri/ Ylberi i ditës/ pa ngjyra/ pa shi…”, me këto vargje autorja bën një tjetër  goditje të fort me fuqinë e artit dhe metaforës, se as Ylberi pa shi nuk i ka ngjyrat meritore. Ylberi pa shi vazhdon të lartohet por nuk i ka as teshat e mjegullës dhe as lotin e shiut, nuk e ka as ngjyrën e qiellit dhe as vallëzimin e detit. Mendimi filozofik i autores më së miri shprehet tek vargjet; “…nuk di pse/  Në ujëra lumenjsh u pamë/ Pse ndoqëm degëzat e thata/ Se di…/ Në shtratin e tyre mbytëm hënën/ dhe nisem ta shpëtonim/ përsëri…”. Ajo na e dëshmon se dashuria nuk bënë gjumë dhe këtë na e thotë bukur me ujërat e lumenjve se vetëm ato nuk flenë. Por mjeshtëria e saj shprehet tek vargu “Pse ndoqëm degëzat e thata/, … po shumë mendim i thellë se çdo ndjenjë njerëzore vdes siç vdes dhe njeriu… por ajo e përjetëson në varg. Pendimi vije më pas, por na e len të hapur si ide që çdo njëri që do e thithë këtë mesazh paraprakisht të mos e mbysë hënën… Fatbardha depërton fuqishëm edhe në ndjenjat e tjetërkujt, aftësia e poetes është se syri i saj lexon lehtë gëzimin, lumturin, hidhërimin, kënaqësinë, dhimbjen, pikëllimin…

Fatbardha Sulaj

Po të lexosh me vëmendje vargjet, përpara të del një pikturë e cila të futet dhe të fletë në sy. Është magjike të shijosh ngjyrat e këtyre vargjeve; “Ai luante me violinën/ njëlloj sikur dehej/ nga çdo tingull që prekte ajrin/ Ishte ashtu i shkujdesur/ duke vrapuar pas muzikës/ Duke qenë ndryshe, duke marre fryme ndryshe…/ …ai vazhdon të dojë,/ vazhdon të thurë ëndrra/ madje ëndrrat i pleksen/  me realitetin/ Ai vazhdon të dojë,/ vazhdon të bëj thashetheme/  mbi dashurinë,/ mbi epitafet/ mbi kritikat/ Ai vazhdon të dojë… Po me atë sharmë mendimi në vargjet në vazhdim na jep mesazhin se gjithçka fillon nga vetja, e keqja e mira, e bukura e shëmtuara… e jo nga njeriu për ballë. Sikur na e thotë; “Njihe veten që t’i ruash të tjerët nga vetja” thënie filozofike e Sartrit. Fatbardha ka ndërtuar identitetin e saj. Ajo pranon përgjegjësi, jep mesazh jete, ajo këshillon. Si duket ka thithë nektarin e kulturës tonë antike që nga Iliria e deri më sot, dhe këtë kulturë bukur na e dhuron përmes artit të fjalës së shkruar. Krahasimet dhe figurat e saja janë të gjalla, autentike dhe poezia e saj i ngjan një romani që vete autorja me personazhin identitet dhe dashuri hedh vallen për ta ndjekur lexuesi hap pas hapi. Inteligjenca dhe talenti i saj nuk është dëshmuar vetëm ne “Skica letrare” dhe pikturë andaj unë për të dëshmuar këtë që thash më lart për lexuesit kam sjell një cikël vargjesh pa tituj por që përmbajnë një tërësie të një identiteti prej artisti.

 

***

Në çdo hap
që hedh
ndjej sa më do
Ndjej si merr frymë
Si ndryshon ngjyrë
Si rrudhesh
Si plakesh
Si rilind nëpër stinë
Në çdo hap
që hedh
Unë ndjej
që jam Ti..

 

***
Në sytë e mi
ti nuk mund të depërtosh
nëse s’dua unë
magjistaret vdiqën
në inkuizicionin

e dashurisë fatale
Sa keq më vjen
tani ka vetëm predikues
në dashuri sektesh

 

***
Nuk më pëlqen të hesht
kur s’di të hesht
as t’i fshihem dritës
kur më ka parë
veshur dhe zhveshur
të lyer dhe të palyer

Nuk i fshihem dritës
kur ka mjaft errësirë
rreth meje…

 

***
…nuk di pse

Në ujëra lumenjsh u pamë
Pse ndoqëm degëzat e thata
Se di…
Në shtratin e tyre mbytëm hënën
dhe nisem ta shpëtonim
përsëri…

 

***
Asgjë s’më ndan nga ç’dua
nga ç’kam
Ti s’je kurrë unë
dhe unë ti
kurrsesi s’jam
asgjë s’më ndan nga ç’dua
nga ç’jam
as mendjet e liga
as shpirtrat nopran…

 

***
Ylberi pa shi u shfaq
tej mbi kodër
tokën puthi
ngjyrë ngri
Ylberi i ditës
pa ngjyra
pa shi…

 

***
Ai luante me violinën
njëlloj sikur dehej
nga çdo tingull që prekte ajrin
Ishte ashtu i shkujdesur
duke vrapuar pas muzikës
Duke qenë ndryshe,
duke marre fryme ndryshe…

…ai vazhdon të dojë,
vazhdon të thurë ëndrra
madje ëndrrat i mpleksen

me realitetin
Ai vazhdon të dojë,
vazhdon të bëj thashetheme

mbi dashurinë,
mbi epitafet
mbi kriptikat
Ai vazhdon të dojë…

 

***
Gjithçka fillon nga vetja,

dashuria, urrejtja,
e tashmja, e ardhmja….
gjithçka pikturohet me një imazh
dhe ti vendos veten atje.
Ndoshta më shumë në të ardhmen

le të tashmen pas dore
kështu ti po jeton atë që ende s’ka ardhur…
Gjithçka fillon nga vetja

asnjëherë nga njeriu përball teje…

 

***
Majtas ndjej praninë e syve shtegtar
nga sipër marr përshëndetjen e mbrëmjes
krahët përplasen furishëm
për të tërhequr vëmendjen time
buzëmbrëmja mblidhet
me shall të vesuar mjegulle.
Majtas një tufë zogjsh
Ikin zhurmshëm…

 

***
E kuqe,
Pastaj akoma
më e kuqe
Hipnozë,
në anën tjetër je ti
në anën tjetër po unë
Ëndrrat i grisem
afër mëngjesit
tani jemi në stacion…
e kuqe
pastaj akoma
akoma më e kuqe
në anën tjetër ti bën rrathë
në anën tjetër unë gjej qendrat….Hipnozë…

 

***
Mbi mendime shtrihet nata
qetësisht murmurit ninullën e hënës
Yjet si temina i shkëlqejnë trupit
meteori i pare ra
u shua në shi
nata përgjumet dhe zgjohet
prej dritës…

 

***
Dhe perëndimi ra mbi qytetin antik
kaq i art, kaq portokalli
Sikur të ndalte shkëlqimin
Enkas mbi artin gri
Mbi murin e Viktorinit
dhe mbi bazilikat post Krishtlindje

Ishte perëndimi më i bukur
mbi çdo perëndim
Ku rrezja thyej si perëndeshë Olimpi
mbi qytetet Ilirian
Unë, perëndimi dhe qyteti gri

E gjitha një ndërthurje kohërash
më beri të ndiej frymëmarrjen e tij..

 

***
Me duket sikur ika larg
kaq larg sa dhe shpirtrat u ndanë
Kaq larg sikur përmes vakuumit s’ka me jetë
Mu duk sikur ika larg
Larg rrezes ku shtrihet mbrojtja juaj
dhe ndjeva të më dhembte shpirti
ndjeva të vdisja
të harrohesha
ndjeva fillimin dhe fundin
kaq larg jush…

 

***
Të fundit buzëqeshje
mori nata
nurin e mbrëmjes
gjithashtu
aromën e cigares
Shallin blu
murmuritjet e Hermesit
Zjarrin e Prometeut
trishtimin e Zeusit
dhe epshin e Hadit
Kredhur në ison
E oqeonaideve…

 

***
Në rrugën time
hija ime më shoqëron
që kur linda,
më len në kohë të vranët
Në netët terr
Në rrugën time
hija ime
me do…

 

***
Ishim poezi,
gota tekilash në mjegulla cigaretash
Ishim lutje
në kultet tona pa strehë
ishim fjalë
në pergamenat e pashkruara
ujëvara bjeshkësh
në horizonte të gjelbër
ishim bekim
me kryqe,
yje dhe hëna
Ishim ne
Unë, ti
dhe e paqena…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s