Poezi nga Arjola Zadrima
Eva
Më pëlqen me e marrë jetën rrokopujë.
Lamshet e ditës me i stivue në mendjen e stuhishme,
tue i perzie tërbimin , andrrat e të tana zhgënjimet.
Më vlojne deshirat,
zjermi i pyjeve më digjet ne sy,
mu ruej, zhari të baj.
A e ke pa si dridhet toka sa here qesh me shpirt,
te ulem në zemër,
pa e çvesh, kët grue prej jetës.
Qesh me vitet e mia mbi supe,
ende ja arrij me të stepë.
Arrij me ti çue malet ne fyt,
tue të shkri,
tue të dashtë,
dashnisht tue të myt.
E kjamja m’asht vrulli i tallazeve të detit,
aq të frikësoj,
iki,
zhdukem,
ta la lamtumirën e fundit amanet,
sa rrugët e vetmisë tunden e shkunden nën hapat e mi.
Po të kam rrejte,
kam ecë në drejtimin tand,
kambëshpejtë,
Mungese e pranishme, tue vdekë, a tanë jetë,
të jam kacavjerrë supeve, e frymën, u kam injektu damarëve të fishkun,
goditjen e fundit , t’çekiçave që të rrahin në krye e kam dhanë mbi buzët tueja të qumështa,
t’lmueta, pergjakshëm te kam puthë…
Jam andrra që të marr para, e diellta,
E çmendun,
vetja , qielli e toka,
jam ajo që kacafytem me kohën, tue u ngjall përditë vetëm e jotja…
***
Kam me t’kërkue në çdo formë,
atje ku jeta lulzon andrra lejlekesh,
kjoftë edhe si fjalë
shkrue zezë mbi te bardhë,
për
Ty.
***
M’fol,
me heshtje ,netëve pa hanë,
me at’ za hyjnor.
M’fol për udhëtime pa cak
që gërvishtin veç kohë e m’prit edhe pak.
Kam zemër jetime,
fle në rrenoja andrrash, nën qiell të murrmë.
Thyeje heshtjen tande kristal,
n’bordura t’natës teme prehet ftyra yte e paqte, anipse të ndjej larg, ndër livade mendimesh.
M’fol lehte,
butë, si dora jote mbi supin tem nje nate te larget,
asht njajo zhurme që mban ndezun
zjermin,
në qytetin bohem të fateve,
zemra jeme.
***
T’ kam thanë se dashnia I gjen t’marrët ,
edhe në kjofshin shekuj dritet larg.
Luen me ‘ ta,
I përhim,
I kapërdin në humnera heshtjesh,
dersa lshon rranjë.
Mandej lindin ,
shumohen të marrët, e në ketë vorbull
betejash të përgjakshme
marrin guximin me dashtë.
I marri jem…TI