UDHËTAR ME VARFËRINË / Poezi nga Seti Vladi

Poezi nga Seti Vladi
 
 
UDHËTAR ME VARFËRINË
 
Albumi i kujtesës
më hedh në trajektore kohërash.
Trokëllijnë shpatat.
Mbi kalin e bardhë,
me rripin e kuq lidhur kuror’ ballit
fluturonte Arbëria.
Këputen fletët e kalendarit.
Janari vishet në zi,
acari dhimbjen ngrin.
U thinjën malet,
harku i qellit përkulet mbi atdhe,
kokën ul shqiponja.
Lamtumirë Ante!
 
Pesë shekuj robëri
me diell të rrëzuar,
gjysmëhëna zveniste mbi bedena.
Shqiptar këmishëdjegur
në zjarre betejash,
në brirë drerësh e vare shpatën,
zhgënjim e peng i fatit,
udhëtar me varfërinë!
Sa hërë të kanë vrarë,
të kanë coptuar,
gjithmonë je ngritur
me ashtin tënd prej shkëmbi,
me shpirtin tufan
derdhur në shtizë flamuri.
Me ëndrrën e bardhë
mbështjellë me psherëtima,
me buzëqeshje të përgjakura,
fluturove
me dy kobure në brez,
me shpirtin prej ere
nëpër meridiane e paralele.
Diku,
përplase grushtin,
diku bërtite:
— Lëshomani diellin!
Në Paris edhe qëllove.
 
Frynin erërat,
këputen fletët e viteve,
vitet e shekujve…
 
Flente verbëria
nën mashtrime reklamash,
skuqte nëpër gjokse shkronja “S” ,
lehnin gjurmët që lije nga mbrapa,
pemët çelnin sythe vëzhgimi,
përgjumej syri radhëve të mesnatës
nën këmbët e mëkatit ngritur statujë,
në copa e thërmuan gurgullimat e bardha,
epitafin ia shkroi epilogu i zemratës.
 
Çelën ëndrrat,
dielli të lindi në gazin e syrit,
me fjongo të bardhë erdhi liria.
U ngjite nëpër shkallët e qiellit,
këpute fufa yjesh,
me to,
mbi sfondin e tij blu
shkrove fjalën, Demokracia!
Erdhi si ylber me ngjyra
pas një rrebeshi të gjatë…
Mashtruan me ty, demokraci,
më shumë deshën se nuk ditën,
e di.
Në emrin tënd
sajuan “çekun e bardhë”
dhe një palo “terapi shoku”.
Shembën
çerdhet e lejlekëve
oxhaqesh të larta.
Vajtuan bilbilat pyjeve të prera.
Arratija
u ngrit mal mbi dete,
piramidat u bënë predha,
gruri në fusha u bë drogë,
pranvera e luleve skuqet në Gërdec.
 
Shqiptar ëndërrgrisur
puthur me varfërinë!
Ti mbete viktimë
në udhëkryqe pazaresh,
mbete
Sizif i mitologjisë,
mëkatar pa mëkate
me gurin e rëndë mbi shpinë,
brum i fatit tënd
ngulur si gozhda në mur,
ngjasuar
me pëlhurën e Penelopës
që nuk mbaroi kurrë!
 
seti pezaku vladi@…10/4/2017
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s