Poezi nga Aqif ISAKU
S`DUA TË TA SHOH LOTIN
(Në vigjilje të shënimit të tetëmbëdhjetë vjetorit të rrënies së heroinës së kombit, Antigona Fazliut)
Emrin tim, nënë puthe
Në lapidar shkruar
Ta ëmbëlsosh, nënë
Zemrën e përvëluar!
Do të puthë dhe unë
Diku në mesnatë
Kur në krahë të tyre
Engjëjt kanë me m`bartë!
Dhe ashtu në ëndërr
Kemi për t`u çmallur.
Të të them unë Gona
Në vizitë t`kam ardhur!
S`dua më as lotin
Të ta shoh në sy
Nëse do të lumtura
T`jemi nënë e bijë.
Se n`botën tjetër
Aty në amshim
Në mes të hyrive
E rris shtatin tim!
Dhe një ditë sërish
N`ëndërr kam me t`ardhë
Me vello nusërie
Hipur mbi kalë t`bardhë.
Të ta kënaq shpirtin
Ashtu si ti doje
Se në gjumë kur flija
Këngë ti m`këndoje!
– Eh, armik i egër
Eh, bishë e tërbuar
Pse një shpirt lëndove
Pse zemër ke përvëluar!?
A vritet një engjëll
Në lulen e rinisë
Kur vatanin mbronte
Në prag të shtëpisë!?
Jo, ti nuk ke vdekur
Jeton n`zemrat tona!
S`do të fshihet kurrë
Emri Antigona!