Poezi nga Fejzi Murati
PRANVERA
Vjen me teshtima,
e mbytur në lotë nga dimri
që kërkon ta mbajë peng të mërisë së tij,
ndjell hënën dhe diellin e ngrohtë
dhe i përshëndet me sythe të bukur,
të rinj.
Me sythe që me frikë nga trungu nxjerrin kryet,
me sythe që luajnë me flladin mbrëmjeve vonë,
me sythe që i shkelin sytë e gjelbër njëri-tjetrit
dhe mëmës pranverë
buqëqeshje i dërgojnë.
Gjithsesi vjen e bukur,
edhe pse ndonjëherë vonon!
HUTIM PRANVEROR
E thirra pranverën
dhe ajo m’u shfaq në sytë e tu të bukur!
I hutuar,
në vend që të të drejtohesha ty,
i kërkova asaj një të puthur!
PIKËLLIM HËNE
E pashë hënën të zverdhur,
të mjerë,
e pashë një natë,
gjysëm të ngrënë…
Dashuria për diellin e kish tretur,
sa një bri kaprolli e kish lënë.
Lotonte, lotonte me lotë përvëlim,
pikëllim pikonte
mes yjve të zbehtë,
pikëllimi i saj, qiellin pikëlloi
në shami të grisur u shndërruan retë.
TRANDAFILI
Trandafilin e parë që këputa këtë pranverë
ta dhurova ty,
ashtu siç ishte,
me vesë nate i larë,
pa guxuar t’ja prekja petalet e magjishme,
pa guxuar erë t’i marr!
Doja të të vinte i virgjer
si vajza – nuse në natën e parë!