Poezi nga Iliaz Bobaj
DITËN E ARTË E SHKOJ ME TY
Sa çel mëngjesi, bëhem tjetër,
s’më mban shtëpia kurrsesi,
më merr nxitimi, më nxjerr jashtë,
e di, pas portës më pret ti.
Midis vetmisë e shkove natën,
duke dihatur ankth e shpresë,
e gjithë në pritje e shndërruar,
gjersa të vijë sërish mëngjes.
Dita është jona, një parajsë,
që s’mund të na i prekë njeri,
në dehje rrojmë të dy bashkë,
sa të vijë mbrëmja përsëri.
Aty pas portës sapo mbrrijmë,
ti shndërrohesh, pritje bëhesh prapë,
unë brenda hyj, ku tjetra pret,
ta shkoj me të natën e gjatë.
Dyzuar si në një legjendë,
jetoj me këtë rregullsi:
me tjetrën shkoj natën e zezë,
ditën e artë e shkoj me ty.
KALI I EGËR
E ndanë nga tufa e kuajve të egër,
i kufizuan rreptësisht lirinë
dhe i mësuan me durim,
mjeshtërinë e nënështrimit,
me mjetet e fortë të dobësisë së tyre:
litarin, frerët, thuprën, samarin.
Kali kujtonte kohën e jetuar,
kur çati kishte qiellin,
me varkat e lehta të reve mbi krye,
hingëllimën në telat e violinës së ajrit,
ritmin e trokut mbi daullen e tokës,
që nxirrte nga thundrat yje,
pelat flatruese si fluturat e malit,
mbi mozaikun e butë të lulnajës.
Gëzimit të jetës së shkuar,
ia thithte me etje pikëllimin,
aty ku liria e kishte harruar,
të lidhur me prangat e litarit.
Njerëzit, me kënaqësinë e tyre,
reklamonin robërimin e kalit.