Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

DËSHIRË ABSURDE

Në bisedë me një mikun tim të hershëm,
dëgjova një nga dëshirat më të habitshme,
të shprehura ndonjëherë nga njeriu i ndershëm,
në çastet e mbilodhjes nervore të përditshme:

-Ka raste kur dua të ndjehem kafshë naive,
tha ai me seriozitetin tronditës gjer në kulm;
madje një kafshë e egër, por jo agresive,
katërkëmbësh në paqe me dykëmbëshit e shumtë.

Nëse mund të kthehesha mbrapsht në origjinë,
tremijë e ca vjet të shkuar, në lashtësi,
do të kisha mjaft avantazhe mbi ideologjitë,
do isha më i qetë si kafshë, nga ç’jam si njeri…

Duke qenë një kafshë e egër parahistorike,
do kisha lirinë e gjerë që u mungon njerëzve në jetë,
do isha i pandjeshëm nga shkallmimet e përbindshme,
që na bëjnë politizimet e sotme, në tru direkt.

Fjala vjen, më mirë të isha kafshë, në fushata zgjedhore,
të mos dëgjoja tullumbacet e fryra me premtime standarde,
kur politikanët na drejtohen ne, si krijesave foshnjore,
të na mbushin trurin me refrene ninullash bajate;

Se në çastet kur dërdëllisin deputetët parlamentarë,
do vrapoja livadheve, si kalë i askujt, krejt i harbuar,
do ndiqja pelat vraparake, teksa kullosnin bar
dhe do bëja seks me to, si hamshor i tërbuar;

Sidomos kur disa liderë, të ardhur nga hiçi,
kacafyten e kërcënojnë me fjalorin e sintaksës rrugore,
do t’i rrija pelës përsipër, gjithë ditën kalikiçi
dhe do bëja me të, shtatë palë qejfe kafshërore.

Ti mund të thuash, pse ke acarime kaq emotive,
deri në këto dëshira absurde, krejt të padenja,
të ndjehesh njëthundrak me instinkte krejt naive?…
-Sepse s’dua të çmendem, si intelektual me logjikë e ndjenja.

 

RRËFIMI I NJË AVENTURIERI

Kam pasur boll dashuri të përkohshme,
por më kanë braktisur, si njëra dhe tjetra.
E filloja si një lojë kukafshehtas moshe,
me vajzat që u ngjitesha, njësoj si ethja…

Me këtë lloj virusi shtriva, disa dhjetëra përtokë,
por kur shëroheshin, iknin, sikur të kisha zgjeben.
Ato më thithnin gëzimin dhe më linin trokë,
aq sa mbetesha vet i infektuar me ethen.

Kur vendosa të dashuroj njërën seriozisht,
ajo zbuloi virusin që kisha ngjitur në të tjera.
Pyeti për sëmundjen time të pseudodashurisë
dhe iku si prej murtajës, kur përhapet nga era.

Tani kam mbetur njësoj si një i sëmurë kronik,
në gjendje të rënduar, nga lëngata e zgjatur në vite,
izoluar aq keq në karantinën e sëmundjes me rrezik,
sa nuk më afrohen, as vejanet e mbetura qyqe…

 

LAMTUMIRЁ NDRYSHE

Kur fryma të më thotë lamtumirë, dua,
mos derdhet as një pikë loti për mua.
Përjetimin tim, ta qajë vetëm nëna,
në parajsë, ku ndodhet shpirtargjendja.

Sytë të më bëhen, rreze drite për yjet,
gishtat të më bëhen, degëzime për pyjet,
këmbët, kërcinj të shpejtë për drerët,
krahët, flatra të fuqishme për skifterët.

Zemra të shndërrohet në kambanë alarmi,
për çdo padrejtësi, që vuan shqipo mjerani,
të jehojë sa të merret vesh në qiell e tokë,
çdo krim, që i bën njerëzit të derdhin lot…

Të më digjen eshtrat dhe hiri në një kuti,
të vihet, ku prehen të vdekurit pa shtëpi.
Lëkura e regjur së tepërmi nga koha,
të më bëhet daulle e madhe, për lodra;

T’i bien lodërtarët, sa të oshëtijnë malet,
të ndizen vallet, e asnjë çast të mos ndalen,
sa valltarët të gjakosin thëmbrat e të thonë:
vdiq ai që la amanet, të vallëzojmë gjithmonë!

Të heshti daullja e lëkurës oshëtimëmadhe,
vetëm kur vuajtjet, t’u bëhen gëzim të gjallëve,
kur zyrtarët të bëhen skllevër të çdo zyre
dhe populli pronar i plotfuqishëm i tyre;

Kur Kosovë e Çamëri, të bëhen siç ishin në Arbëri,
ka mundësi të kthehem, “Krisht” në poezi!…

 

PO TROKASIN NË DERËN TIME…

O shokë, o miq, jam në hall,
filluan trokasin në derën time,
kërkojnë të më bëjnë mall,
të shitem si plaçkë për votime!

Trokasin, më mërzitën jetën,
me një dorë para të pista,
më tundin para syve fletën,
numrin e kartës të jap te lista,

Ose emrin e qenies sime,
të ma çojnë në supermarket,
të marr ca qeska me ushqime,
të bëhet dikushi deputet…

Këtë lloj tregu nuk e kuptoj,
dikushi thotë, ma jep patjetër,
se kam para dhe të detyroj,
të shesësh lëkurën e vjetër.

Vërtetë kam pension fryme,
dhe kam nevojë për pak gjak,
po si të shitem në këto votime
të mbetem gjithmonë në batak?

Të më mbetet syri pa gjumë,
me mendimin, se s’jam i lirë,
por një plaçkë e shitur për turp,
të më duket vetja i pështirë?…

O shokë, o miq, jam në hall,
kam frikë të dëgjoj trokitje,
mos joshem, e më bëjnë mall,
po vuaj dhunën psikologjike!…

 

PUSHTIMI I ARMIKUT PAQËSOR

Prisnim armiq nga toka, ajri e deti,
me ushtri apo avionë të armatosur,
me luftë pushtuese kundër shtetit,
dhe me vrasje njerëzish të gjakosur.

Po na erdhi një armik mjaft paqësor,
pa asnjë lloj arme për luftë agresive,
pa ushtarë e pa asnjë sulm gjakësor,
pa shkatërrimet dhe djegiet e shtëpive.

Ky armik kombëtar, tepër i rrezikshëm,
hyri thjesht si farë, që çel gjethe të blerta,
duke rritur një shtat bimor të hijshëm,
ushqyer me diellin dhe ujin për vreshta.

Me dashurinë magjike, na bëri për vete,
na pushtoi trurin e na flakëroi gjakun,
na eksitoi të rinjtë dhe i harboi netëve,
derisa i bëri robër e u lidhi në fyt lakun.

Më tej, dashuria për këtë armik bimor,
futi njerëzit në garë më keq se në Lazarat,
fshatarët lanë mbjelljen e grurit në territor,
thirrën argatë nga qyteti me pagë të lartë.

Kush të mbjellë sa më tepër farë armiku,
kush ta përcjellë e shesë në fqinjët shtete,
derisa mes njëri-tjetrit, krisi automatiku
dhe ranë “dëshmorët” e luftës për gjethe.

Kërcitën prangat, u mbipopulluan burgjet,
nga Vermoshi, deri në Konispolin jugor.
Shqipëria u pushtua, po çlirimi nuk duket,
pasi ka hyrë shumë thellë, armiku paqësor.

Ndonëse kapen tonelata armiqsh, të paketuar,
duke çarë kufijtë tinëz, nga toka dhe deti,
regjimentet e armikut bimor, s’kanë të mbaruar,
dislokuar në strehimet e sigurta të pushtetit…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s