Poezi nga Leonora Lokaj
Miti i dashurisë
Ti Dalilë, bukuri e drunjtë,
mendove që ishe hyjneshë
kur preve flokët e Samsonit,
bukuri e helmosur si fatet e njeriut.
Kur e puthe atë…
fatin e zure me pranga për dore
tu duk vetja se Zeusin e Olimpit
në rrjetë të merimangës e ke zënë.
Ti Romeo prej përralle
me verë të fortë
dehe mitin e dashurisë,
si perlë në sytë e vdekjes
këmbëfati mbi erë vrapove
dhe me një copë ironi në duar
bërë ta besojnë dashurinë,
bukurinë e përrallosur.
Edhe Unë si Ju
Edhe Unë si Ju
i kam kënduar dhimbjes,
kam thithë pluhurbardhin
e shekullit të ri,
kam ngrënë turp çdo ditë,
etjen shuar kam
nga djersë e vegjëlisë.
Edhe Unë si Ju
jetova fatin e hebrenjve,
me lot krokodili qava
tragjeditë e Homerit,
shpirtin e varur
në kryqe të stuhive,
në mermer të akullt
e kam shndërruar.
…edhe Unë si Ju,
besova ringjalljen e Krishtit,
ringjalljen e Mësisë.
Sonte…
Kujtimet e thinjura
ranë në gjumë me vetminë,
etja u shumëzua,
…e malli u ngrit në katrorë.