Poezi nga Remzi Limani
KËTU MBARON…
Heshtja jote më thotë:
Nuk kam thellësi,
për të shkuar mëtej,
këtu mbaron lumi.
®emzi Limani
DASHURIA PREJ LETRE
Thonë:
Mbi fjalë nuk shkelet
Dhe fjalët mbetën,
të puthura në letër.
Dhe, të puthitur, deshën ta lindin,
një sy dashurie.
Mesnatës hënore, së pari, deshën ta ngjizin,
pikën e zemrës,
pastaj t’i japin,
frymëmarrjen e parë
Gjymtyrët ia vizatuan në letër paketimi
®emzi Limani
PARISI DHE TË DASHURIT E TIJ
Ata që e donë qytetin e tyre
I donë dritat dhe
urat mbi lumë
Cfarë të dua unë?
Asnjë dritë, asnjë urë,
ku mund të bëj gjumë
Dhe, shikoj lumin, Sena
Kurorat e urave të shumta
Sy dritash,
gjithandej të ndezur
Të pastrehët,
nën ura shpërndajnë
gjumin e ikur
Mes tyre ndanin dhimbjet
e ditës së thyer
Aty pashë mbretërinë e urave
dhe mbretin e pastrehë
Askush, pa lejen e tij,
s’guxonte t’i bënte vend
askujt tjetër
Mbreti i urave,
hante peshk të gjallë
Kutinë e ilaçeve për gjumë,
e mbante ai
Një tabletë gjumi,
shkëmbehej për një këngë
Pos mbretit të urave
Askush tjetër s’kishte mandat,
të mbante tableta gjumi
Gjumi e ka çmimin e vetë!
®emzi Limani
HESHTJE
Ti je heshtja ime e lavdishme
Lëvizjet e gjetheve para shiut
flasin me drithërimën e vetmisë
Kjo je ti, e dashur,
e varur në pemën e
kujtimeve ëmbëlake
Dhe, si të të mos dua
Heshtja jote.
zë qielli pikon mbi mua
Ndaj,
vazhdo të më puthësh në heshtje
Ti je heshtja ime e lavdishme
®emzi Limani
ÇDO DITË
Edhe sot si çdo ditë,
të shoh nëpër vrimën
e shpirtit tejshpuar
Nuk e di, nëse e ndjen
dihamën time, veshur
trupit tënd
Nëse është kështu,
mbaje frymën, gjokseve tua bardhoshe
Në qoftë se nuk më ndjen,
mbylli dritaret, lëshoj perdet me fleta rrushi
Çdo skenë dashurie,
shlyeje nga faqet e pasqyrës
Nëse do, fshije edhe buzëkuqin,
të të mos e ndjej…
®emzi Limani