“PËR NJË MËNGJES NDRYSHE” – Ose bukuria femërore e letërsisë së ALBINA IDRIZIT / Nga: Mihallaq Qilleri

“PËR NJË MËNGJES NDRYSHE”
– Ose bukuria femërore e letërsisë së ALBINA IDRIZIT-

 

Nga: Mihallaq Qilleri

Sigurisht letersia nuk është vetëm një histori njerëzore e rrëfyer artistikisht. E krijuar nga mendje jo aq të zakonshme, ajo ka shprehur gjithmonë shqetësimet e bashkëjetesës së autorit me mjedisin shoqëror të vendit të vet, pse jo, edhe të vendeve të tjera. Natyrisht i gjithë rrefëmi letrar është një dashuri e madhe e shkrimtarit për krijesat e veta, ato të vërtetat, gjysëm të vërtetat, të imagjinuarat, irealet.

PËR NJË MËNGJES NDRYSHE

Romani më i ri i shkrimtares nga Kosova Albina Idrizi me titullin “ Për një mëngjes ndryshe”, shkrihet në gati 20 vjet ngjarje, por, ashtu, magjishëm, lexuesi nuk e ndjen aspak këtë lumë të furrishëm të kohës sepse lënda lidhëse që përdor autorja është shumë e padukshme, imtësisht letrare, gati-gati fine. Ema, – peronazhja kryesore e këtij libri, – lëviz kështu lirisht para syve tanë dhe kohës që nga fëmijëria e deri në moshën kur si grua e nënë i duhet të marr vendime të vështira për jetën e saj. Disa nga lexuesit e parë duan të besojnë se “Për një mëngjes ndryshe” është një roman për dashurinë. Unë mendoj se romani i Albina Idrizit është një vepër për historinë njerëzore të kosovarëve në periudhën e fundit para lindjes së Pavarësisë së shtetit të tyre, ashtu sikundër një grua ndjen dhimbjet e praglindjes,- madje ashtu siç ndodh edhe në paslindjet e vështira,- romanin e trazon si një litar i mpleksur gryerjet e para që i ndodhin kësaj robërie mbi 100 vjeçare nga lëvizjet e fuqishme e shqiptarëve të Kosovës.

Albina Idrizi

Gjithçka që shkruhet si për një njeri të dashur, ashtu sikundër për një popull të tërë është padyshim dashuri. Duke nisur nga ngjarjet e stuhishme të mesviteve 1980 e deri në pasluftën e “droguar”, Albina Idrizi merr përsipër të mbart te lexuesi gjithë këtë qerthull ideal për letërsinë e të vështirë për të vërtetat.
Sigurisht romani frymon më shumë e rritet artistikisht kur personazhet e tij Ema dhe Guri nisin dramën e rëndë të jetës bashkëshortore. Tashmë jemi në terrenin konkret të realizmit, fantazisë, dashurisë dhe vuajtjeve, keqkuptimeve, jemi në qerthullin e kur bien gjethet e romantikës, e dashurisë pa shqetësime, kur nis të shtrëngohet ekonomia e familjes dhe, natyrisht, kur mbi mjedisin e kësaj celule intelektuale bie hija dhe helmi i drogës.
Nuk e di përse por duke e lexuar romanin pikërisht këto ditë, këto kohë, kur Kosovës po i zbrazen qytetet e fshatrat nga një ikje masive dëshpëruese, mendova se sa shumë do t’u vlente ky libër të rinjve të saj për të pasur një pasqyrë të saktë për emigracionin, të arratisjes prej vendit pa dokumenta, të vështirësive që has i huaji edhe në vendet e zhvilluara. Përmes këtij romani mund të përfytyrohet qartë se jo të gjithë ikamanët do të mund të jetojnë ndershëm e me djersën e tyre, sikundër mund të bien pre edhe të kriminalitetit e veseve të tjera aq të kudondodhura në perëndim e në lindje të botës.
Padyshim që ” Për një mëngjes ndryshe” është një roman në qendër të të cilit është një grua, Ema. Autorja e ka përmbajtur këtë afinitet, këtë “privilegj” për personazhin e saj jo vetëm sepse përmes saj është në gjendje të shpërfaq edhe shpirtin e vet, mendimet e veta, botëkuptimin e vet ndaj botës, dashurisë e martesës si institucion, por, gati-gati, nuk e lëshon prej vedit duke e rrëfyer gjithë romanin në vetën e parë. Kjo mënyrë e njohur, sigurisht, mendoj se ka kufizimet e veta të shtrirjes së sipërfaqes së analizës së personazheve. Gjithsesi kjo është zgjedhja e autores.
Ajo që Albina Idrizi ngul këmbë me forcë është ideja se mrekullia e një gruaje kalon përmes forcës dhe besnikërisë së saj, prej sakrificës deri në fund jo për atë që mund të quhet nder, a besnikëri bashkëshortore, por për të ravijëzuar një karakter njerëzor të pamposhtur prej dilemash. Ema e pret për shumë vite bashkëshortin e saj të arratisur prej familjes e të droguar, Gurin, deri në “detoksikimin” e tij përfundimtar.
Dhe lexojmë kështu faqe me të vërtetë të bukura, takojmë mes tyre karaktere të spikatura, siç është ai i zezakut Zhan në Paris, ndjejmë si tërmet pragun e shkatërrimit të personalitetit e të ardhmes së një fëmije, mallëngjehemi e tkurremi njëherësh për bukurinë e shpirtit të madh e të palëkundur të nje gruaje.
Romani “Për një mëngjes ndryshe” është një hap tjetër në krijimtarinë në prozë të shkrimtares Albina Idrizi. Edhe për shumë vite të tjera historia e fundshekullit XX e Kosovës do të jetë në qendër të krijimtarisë letrare e artistike mes autorëve të atyre anëve, sikundër është ende edhe sot problematika aq e ndërlikuar e këtij shteti që, edhe 16 vite pas Luftës Çlirimtare, ka plagë të thella për të mjekuar..

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s