Poezi nga Shpend Sollaku Noé
Mëzi pas karrocës*
Çʼe paskan lidhur pas karrocës
një mëz që turfullon.
Vështrimin bredh, por këmba sʼecën,
ndaj jelen flakëron.
Sʼi duron dot në gojë frerët,
shkarëzehet si rebel,
e nuk e ndjen syrin e pelës
plot lëng që e përkedhel.
E karrocieri flokërënë
bën sikur sʼsheh asgjë.
Më fort në gishta shtërngon frerët
e mërmërin pa zë:
Këtej, këtej, kalë i parritur,
nga freri të drejton. Në sʼtë pëlqen rruga e nisur
ky fre të detyron.
Me zor ustai shtrëngon frerët,
në baltën pa mbarim.
Si dy vullkanë të vegjël flegrat
shfryjnë afsh e pikëllim.
Advertisements