Poezi nga Evgenij EVTUSHENKO
DREQI E MORI, JAM PROFESIONIST
Jam profesionist, dreqi e mori.
Gjëra të bukura mund të krijoj
me lotët që shoh kudo dhe më lodhin,
mbush stilografin tim si të jetë bojë.
Mjeshtëri e poetit ësht’e turpshme
se nis me rima rrëfen siç ka qef,
kur të tjerët e nxjerrin të gëzueshme,
ai dhëmbjet e jetës nxjerr në treg.
Gjakun e tjetrit pi kush është poet,
por jo se e ka qëllim në vetvete,
urrej dhe veten për këtë pushtet
që ka fjala kur me dhëmbjen ushqehet.
Ti, si u ngrite, o lavdi të ndyrësh
mbi sa eshtra, mbi sa lotë të hidhur?
Mallkuar qofsh, o mjeshtëri vampirësh,
që poshtërsisht me poezi je ngritur.
Për k’të mjeshtëri falje s’mund të ketë.
Gjak i tjetrit u ngjan si trëndafil…
Këtu veç njihet poet i vërtetë,
kur për vetë fjalën ndjen neveri.
© shqipëroi Maksim Rakipaj (nga rusishtja)