Poezi nga Eliverta Kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

PRANVERA

Është prehër i blertë, mes lulesh e gjethesh
Dremit ëndrrash, kur në të prehesh
Është një kupë e kristaltë ajri
Që të deh me aromën e barit.
Është përtypja e ëmbël e akacies së bardhë
Një grusht xixëllonjash është
Fëmijërisht fërķuar në ballë.

Është ky diell çapkën, princ prej ari
Është kësulëkaltra që çel dashuritë
Larg e afër të ngjethen nga malli
Gurgullima e ujrave si qeshje të marri
Është shiu që të qull përgjysëm
Kur vjen e ikën me të katra
Dhe gjysmën ta plas nga vapa.

Pranvera, janë fëmijët e mi
Që nga të gjitha këto dehen
Dhe në shtëpi harrojnë të kthehen
Trillit pranveror ia shtojnë sekretet
Zhurmojnë nga dëshirat si bletët
Roitin , mua më lenë vetëm
Peng i mjaltit të tyre ende mbetem.

Pranvera, është edhe kjo dallandyshe
Rreth meje në ballkon, bën piruetë
Me bishtin e saj si gërshërë
Gërshetat e mendimeve mi pret
Me ciu-ciu më mbush mendjen
Se fëmijët shtegëtojnë, e kthehen shpejt
Për folenë ka gjithmonë një shteg.

Pranvera, jam unë e pagjuma, ag e muzg
Duke gënjyer veten në pritje
Që e bukura të më fusë në kurth
Është edhe kjo mori yjesh
Që bëj ti numëroj e me dorë ti kap
Kur ata bien afër meje të magjepsur
Unë çmendurisht ngjitem lart, lart…

 

KËRKOJ NJË FJALË XXL

Dua ta heq fjalën mall nga ty
më rri e ngushtë në atë që ndiej
dhe në atë që dua të bëj
nuk ma jep arsyen për më tepër…
Dua diçka që të na përfshijë e bëjë bashkë
edhe kur km na ndajnë
të na gudulisë si frymë ,si buzë ,si mesazh
e jona të mbetet , ne të na përkasë .
Diçka dua që të na përfaqësojë
edhe kur jemi të njëri tjetrit
pa cm ndarëse ,pa kufij truporë
por që na përpëlit si në distancë,njësoj.
Të shpreh dua gjithçka
edhe atë që nuk thuhet për çastet
që si shirita bosh shkojnë
pa imazhe ,pa mesazhe
duke na respektuar privatësinë
që e paplotë, e cënuar , mbetet gjithsesi…
Një fjalë dua të masës XXL
që kur shpirtrave tua veshim
të ndihemi të lehtë pendë
Tokë-qiellit duke u hedhur,si mbi susta
ëndrrat t’ia rrokim jetës , pa peshën e mallit
që si këmishë hekuri e veshëm ndër vite
të ulur në karriget elektrike
të burgut-jetë ,që fati na kish rezervuar
si siamezë ndjesish që përngjajnë
edhe pse të palindur bashkë …
Të pulsojmë dua , brenda asaj fjale
pa u tjetërsuar nga motet dhe malli
ata që vetë nuk e mundën as në ëndërr
le të na quajnë pa mend
edhe të çmendur…

 

Ç’I THOTË NJË FEMËR VETES

Unë jam vetë perëndesha e bukurisë
jam parajsa ,njëkohësisht dhe ferri
jam mjalti dhe verem i dashurisë
jam paqe sunduese dhe shkak sherri.

Jam ylli i këputur prej fatit
jam qendra e gjithë Universit
në shpirt jam engjëll krahëbardhë
në mendje jam motra e dreqit.

Jam ëndrra e paplotësuar e një burri
për një fëmijë jam shpresa e pafund
jam puthja lënë peng për nesër
dhe veten në ëndrra syhapur përkund !

 

SIKUR…

Për çdo pikë shi
Pikojnë vargje të panumërta poezish
Ndaj s’dua tu shtoj asnjë presje të trishtë
Zemrave që qiellit ia varin brengat e tyre
Duke e ngrysur edhe më …
Veç një dëshirë prej sepetit të shpirtit nxjerr
Sikur të mund të shihja qiellin
Si vezë gjigande struci të kriste mbi kokat tona
Dhe ne le të ngjyheshim me të verdhën e diellit
Deri në shpirt të ndiheshim të artë
Prej tij më të begatë
Për një çast…

 

DHIMBJA MË SQEPON

Lejlek që zgjatet e më sqepon
Dhimbja ma ka bërë benë
Herë në trup duke e ndierë
Herë në shpirt ma ngre folenë.

Pranë saj nuk lodhem së jetuari
E vuaj, pa i bërë bisht, natë e ditë
Së gjati shtrihem kur më vjen në trup
Së gjëri rritem kur më prek në shpirt.

Lejleku i dhimbjes kur më sqepon
Reagoj si det me tallaze
Vete e vij ta tall e ta mposht
E marr me të mirë, i bëj naze.

Më përgjon dhimbja-lejlek duke pritur
Ta hijeshojmë e rrisim njëra tjetrën
Drejt meje zgjatet, për një qyp a një pjatë
Unë luaj me të dhelprën…

O lejlek që sqepon e s’më ndahesh!
Të pranoj, por nuk ndihem e trishtë
Si bashkëudhëtarë, fabula qetësi s’gjen
Derisa me vdekjen të më bësh çift…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s