Poezi nga Xhemal Gora
PARADOKS
Të ka ndodhur, të të pyes vetja…?
Kur del derës, udhës, zbathur jashtë…
Bota ështe mbushur me gënjeshtra,
Mbi gënjeshtra ecim, si mbi kashtë!
Sipërfaqja lyer me pak shpresë,
Rreth gënjeshtrash bota rrotulluar
lumë ëndrrash, (na thahen si vesë),
Të na ven në gjumë të mashtruar.
Një grusht horrash ngjitur në pushtet
Dredhia, krimi u shërben ç’do ças
N’ekran qeshin ç’do mbrëmj’ e mëngjes
Daulle suksesi shurdhojnë nga pas…
Hall mbuluar…me zor i heq zvarrë…
Bota nuk t’i sheh, mbytur në mërzi
Nderin…shpirtin…me kohe t’i kanë marrë
E sheh veten… dhe s’e njeh tani…
Shpesh të pyet vetja, me të qarë :
(tek sheh deputetë tërë luks e sqimë…),
“ Udhës do të vdesësh…urisë… O qyqarë…,
Pse s’specializohesh për mashtrim…?!”
Hapash lidhur hallet…si litarë…
Një lëmsh dhimbjesh…ecën nëpër udhë…
“Tani endu udhësh…si lipsarë…
Se mashtrues, s’u bëre dot kurrë!”
ACARI I KOHËS
Vu….vu… vu u u u…
Gjuhë e shurdhër,
e prerë,
merr me vete gjethe të verdha
dhe lisa shekullorë
dëbuar nga ethet e tokës,
të detit, të zotit.
ç’do të më thuash?
stuhitë që shkuan,
tërmetet që vijnë?
Jehonë kujesh,
shpërthen dyert, dritaret
dhe çatitë e shpirtrave.
Na drithëron
dhe mblidhemi brenda vetes.
Kambanë e acarit të kohës…
Të ndjejmë deri në dhimbje…
Vu…vu…vu u u u…
Nëpër kanatat e shqyera të shpirtit…