Poezi nga Nazim Hikmet
U zgjove ti, e bukura ime
Karriget flenë në këmbë …
dhe tryeza,
… Qilimi është shtrirë sa gjerë e gjatë në shpinë
me gjithë qëndismat e përdredhura.
Fle pasqyra,
Sytë e dritareve i kanë ulur qerpikët,
Ballkoni fle me këmbët e varura në zbrazëtirë,
Mbi çatinë përballë flenë tymtarët,
Flenë akaciet anë trotuarit,
Reja fle
me gjithë yllin në kraharor,
Në shtëpi dhe jashtë saj fle drita.
U zgjove ti e bukura ime,
U zgjuan karriget,
Nxituan të zënë vendet e veta,
U zgjua tryeza,
Qilimi u ngrit ndënjur
Qëndismat e tij celen petalet,
Pasqyra u zgjua si liqeni në ag,
Dritaret shqyen sytë pafundësisht të kaltër,
U zgjua ballkoni
e mblodhi këmbët e varura në zbrazëtirë,
Tymtarët përballë lajmëruan ndezjen e zjarrit,
Anë trotuarit cicëruan akaciet,
U zgjua reja,
Yllin e saj e fshehu në dhomën tonë,
Në shtëpi dhe jashtë saj u zgjua drita,
Përmbyti flokët e tu,
Të rrodhi në pëllëmbë,
e tu vesh rreth trupit të zhveshur e këmbëve të bardha.
Foto: Nazim Hikmet me bashkëshorten.
Solli në shqip: Petrit Sulaj