Poezi nga Nikollë Loka

Poezi nga Nikollë Loka

 

Rruga ishte e gjatë

Rruga ishte e gjatë,
shtatë ditë udhë,
iku java e parë,
fryni një erë,
hyri java e dytë,
era u bë frymë,
e tash ditët s’vijnë…

Prej larg
e shoh një muaj,
a ka më kohë
për këtë largësi!
S’e di!…

U bë një vit
e më përtej,
e tash ka ditë,
ka javë,
ka muaj,
por nuk ka stinë.
Në pejsazhe gri,
s’ka ndjenjë,
nuk ka më rrugë…

 

Atdheu nga përtej Jonit

Pamje që ikin,
dallgët shkojnë deri përtej,
dallgë këmbëlehta,
dritaret nga deti të kthjellta.
E dlirë kjo pamje malli,
përtërihet në kohë
me lindje dielli.
Udhëton çdo ditë
një varkë e vjetër,
nëpër rrjedhë vitesh
e lë gjurmë ditësh,
prej këtej deri andej
në bregun tjetër.
Atdheu mbi një mal
atje përtej,
një premtim në gurë
me kroje gjashtëqindvjeçe.
Kruja
një qytet nën diell,
vjen nëpër det,
tash gjashtëqind vjet.

 

Andej nga kalon syri

Sytë përkthejnë
copa ndjenjash
në gjuhën më të vjetër.
Kujtime të çveshura
që s’ngjisin,
përballen mundueshëm,
mbledhur në një lëmsh
mjegullash e dritash,
andej nga shkon një re.
Pamje e re,
fije mirëbesimi,
nyje keqkuptimi,
prej nesh
deri te ne,
andej nga kalon syri.

Andej nga kalon syri
lind një pse.

 

Një mur

Deshe të ndërtoje një mur,
po s’kishe gur.
E muri yt imagjinar
shtrirë gjërë e gjatë sa hija jote,
të mban siç je,
nën një strehë me pika shiu,
ku të vajton koha,
se ti nuk paske shpirt njeriu!

Me mur vetmie mbështjellë
rreth kreje,
po të soset jeta,
pa ia njoh të mirat kësaj bote.
E gjakun ujë ta bën mendimi,
se asgjë s’vlen,
se si ti s’paska shpirt njeriu!
Sa të pëlqen!

 

Me flakën jam prekur

Me flakën jam prekur,
pas një vetëtime të beftë,
trupi im i ndezur
ka pritur bubullimën,
a thua qenka thënë
të digjem pa e dijtë,
a thua flaka
është ilaç për zemrën!

Me flakën jam prekur
në një ditë të epshme,
në një ditë
kur trupi humb në shpirt.
Shatrivani
prej syve të një femre,
në vend që të më ftohte,
më ka djeg.

Me flakën jam prekur
te një lule zoje,
që si nuse
harlisej në livadh.
E shkela padashje
e me pafajësi fëmije,
guxova e i thashë: Më fal!
Dhe nga lule e shkelur
flakë dilte,
flakë e ndezur gabimisht,
zjarr i saj
tek unë nuk po arrinte,
por shpirtin
po ma digjte dhëmbshurisht.

Flakë në shpirtin tim
nuk ndjeva kurrë,
u enda ndër ylberë e vetëtima.
Më ishte djegur shpirti
që me flakën e parë,
e tash pa flakë
po më digjej vetëm fryma.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s