Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

ZILIA

Rrini ju nëpër mejtepe
Se s’keni haber
Në këtë jetë
Unë sot bashkë
Me dadën Zejnepe
Përfundova një fakultet

Këtë të dytin e kam gati
Edhe dy provime
Tani më kanë mbetur
Mor ju nuk dini
Sa është sahati
Në ëndrrat e juaja
Shumë keq jeni tretur

S’do të vonohem
Tani këtë herë
Sepse kjo shoqëri
Po lëngon
Do të regjistrojë or balë
Edhe master
Pasi që kungulli
Mbi ujë po noton

S’është kjo orë
Për t’u lavdëruar
Po i grahi makinës
Me gjashtë shpejtësi
Kur do dëgjoni
Se kam doktoruar
S’duhet të keni
Aspak zili.

 

ASNJË ZË NJERIU

Më duket se gjërat që kishin
Dje një kuptim
Sot paskan mbetur lakuriqe
Ashtu nudo
Të venitura si lulet e dimrit

U ngjajnë kazermave
Të së kaluarës
Pa asnjë njeri përbrenda
Vetëm erërat e çmendura
Ndonjëherë marrëzisht
Fryjnë nga të katër anët e dynjasë

Të zbrazëta si ëndrrat
Janë edhe ditët tona në vijim
Bredhin pa kurrfarë shprese
Rrugëve qorre
Dhe në fund të sokakut
Takohen me parathëniet e pakuptimta

Nuk dëgjohen më as lehjet monotone të erës
Asnjë zë njeriu
S’del nga brendia e guaskës
Deti i përmbytur si anijet e piratëve
Kotet tok me balenat e bardha
Në diellin e përskuqur të Adriatikut dënes era.

 

MBUSHI KUTITË MOR LALUSH

Mbushi kutitë mor lalush
Flamurin e nguli në maje të Çakorit
Mua më thonë Rambo – Ramush
S’më luajnë fjalët si bishti i maçorrit

Kam shumë miq në Karadak
Për asgjë s’ma prishin qejfin
I qojmë për shëndet disa bardak
Më pastaj e kallim defin

Unë pres nga ju votën e juaj
Për atdhe e për vatan
Voto o vëllaçko e mos luaj
Mbushi kutitë si me sanë

Uroj Zotin të fitojmë
Të ulem njëherë në ballë të oxhakut
Pastaj të tjerëve u tregojmë
Se sa vlen fjala e plakut.

 

PËR KËTA BURRA

Lum vatani e rroftë mileti
Na kanë dalë disa dai
Flakë po del
nga interneti
Prej kulloshtrës në tepsi

Shajnë përqeshin këta burra
Mu si me qentë
Në berberhane
Pastaj dalin të kërleshur
Hyxhym shkojnë
Në mejhane
Me patriotizëm
Për t’u ngjeshur

Dehen burrat
Bëhen tapë
Besa na shiten patriot
Pastaj dalin
Në rrugë me vrap
Këta bastard e të pazot

A do bre vëllaçko
Diçka me të vet
Sa vite fjete në hapsane
Unë isha rrafsh
Dyzet vjet
Kalova si dashi në kasaphane

Pastaj fill ulen në internet
Me i sha të tjerët
si e kanë zakon
Sa jeta pa sharje
nuk ka lezet
Për këta burra të fortë
Të kombit tonë.

 

DONKISHOTI

Nuk di sa vlen
Një bisht gomari
Por pa përdhosur dikë
Ti dot nuk jeton
Mendo pakëz me kokë
Mor bir zuzari
Kur si qeni i tërbuar
Nëpër mëhallë hungëron

Leh në stele e internet
Po del në rrugë
E shanë miletin
Shih se si dukesh
Ti mor hukubet
Thua se e ka kapur
Për mjekre mbretin
Tundu e shkundu
Ti mor zevzek
Po të duket vetja
Tamam si vezir
Shih siç ke mbetur
Me duar në shkek
O njeri i pasoj
O mor rezil

Ja po ta qëndisi
Një letër sot
Për sorrollapin e pasoj
Që ha kikirik
“Turp e ndot
Nesër e mot “
Që e shet lëkurën
Mor stramastik

Në daç ndërro lëkurë
E trego përralla
O zuzar
Ti shpirtit katran
Kjo botë do të ketë
Përherë budalla
Si Donkishotin
Atë trim azgan

Shko në ahur te Rosinanti
Lodroje kalin
Si për bajram
Nuk është më
Nëntëdhjetë e nënta
Për patriotët në bateri
Që shesin ajran

Në këto vargje
Nuk është askush
Kurrë s’kam takuar
Kësi soji të keq
Por mund të identifikohet
Edhe çdo kush
Që kakaris si pula
E shitet për dreq

Ndalu pakëz
Mor Donkishot
Duhet të kesh vëllaçko
Mendim pozitiv
Se përndryshe të vret
I madhi Zot
Me këtë të sëmurë
Kokë portativ

E di vet
Se je analfabet
Nuk të kosit kosa
Asnjë lloj bari
Nëse ke kokë
Shkruaj në gazetë
E mos pall nëpër rrugë
Si në pazar gomari

Këtu askënd
Nuk e kam marrë në thumb
Shumë e shumë të fala
Djemve të internetit
Ke do ta zë
Kjo satirë pa plumb
Le të jetë i mallkuar
Si biri i lanetit.

 

PUSHTETI TË MBAN

Ah mor mik
Mor dallkauk
Në politikë
Shumë po përzihesh
Shih siç je katandisur
Or kokë suxhuk
Si dhjami i derrit
Një ditë
Në fasule do të zihesh

Të mungon vegshi e tenxherja
Me zie lakra e bizele
Pak bythë viçi
E tinajxherja
Për shtatë qejfe
Me një kokë pele

Heu or burrë
Ti trim me fletë
Kah na dole
kështu kaq mbarë
Apo të gjetën në internet
Duke bërë qejfe
E kullotur bar

Të bëftë mirë
Sana e motmotit
Besa edhe kashta
Nuk të mungon
Po ta jap besën e Zotit
Se bali ty
Nuk të tradhton

Ne jemi tok
Miqtë e internetit
Kemi një gjak
E jemi një fis
Arnaut grekë
E turkoshak
Budallenj e kokë tramakë

Por mjerisht
Po përzihen hesapet
Na larosin në internet
Na janë turrur
Xhambazët
Tok me kasapët
Po na kafshojnë
Hiç pa siklet

Rrini pa gajle
E mos keni dert
Si veshkë në dhjam
Pushteti ju mban
Veç t’i larosni njerëzit
Në internet
Për çdo ditë
Gjeni nga një kurban.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s