Poezi nga Xhemile Adili

Poezi nga Xhemile Adili

 

BLERIMI PO ZË PLLAJAT

Çdo njeri del nga kuvlia, pa vonuar gjatë,
mos kujtove gjë… apo pse do më thirrësh?
Ka mundësi ke harruar ngjyrën e rrugëve,
e zërin e valëve që kurrë nuk qemë bashkë,
po ku do shpiesh shkretëtirën e mëkateve?
Ku do hedhësh zemrën që në trup mbanë ende?

Çdo njeri del nga kuvlia, pa vonuar gjatë
dhe nuk desha, nuk dua për asnjë çast
të më hedhësh në kurthë. Nuk arrite kurrë,
blerimi po zë pllajat, por ti prore helmin
të derdhje mbi mua, doje…
Kujton se unë jam, të shesësh kot ca fjalë
e çelësa nuk kanë të këqijat, dot të shiten,
shpaguajnë makthin e zi të shkalluar rëndë,
shpaguajnë mëkatet ato, heret a vonë.

 

PUTHJEN PËRVËLUESE DUA!

Akoma nuk e kuptoj që trokas në portën tënde,
edhe hedh këmbën mbi prag, kap dorezën, portën hap.

Akoma prek flokët me duar, zë gjoksin, nuk di ku të lë
këto duar, si më zënë hapësirë e pengesë i kam.

Të qe në vend timin perëndia, do të falte? Do të ikte?
E di që po ra shi, po ra bore, po qe dita më e bukur,

kjo ngjet, sepse, si këtë lulë, nuk takova kund tjetër,
për shkak se pjesë deti jeton në buzëqeshjen që ti ke.

Akoma nuk e kuptoj pse tingëllon si çast lufte
rënia e një gjethi të një dege mbi këpuckën tënde.

Më pëlqen që shumë veta vërsulen mbi valë lumi,
por unë nga uji hidhem mbi një re jonesh në lëvizje
e puthja përvëluese dua shtatë jetë të më tret.

 

JAM ROBINJË RREZESH

Kush i dha shpirt natyrës së harlisur për jetë,
nuk i dha shpirt djallit të zi të rrënimit…
Si nuk ngopen ata me trille e kurthe
e do mbesin në arë misër i pakorrur shkret,
në hendek, një govatë me plot gjëra pa vlerë,
në kronika do mbesin ca njolla të rrëshqitura
ngjyre prej pene nga i vogli kallamar.
Jeta është e madhe, kërkon zemër mamute, fryte,
buzëqeshje, kalim lumenjsh… nuk do pandehma,
as lajka, as lëmshe vesesh të zinj…
Kush i dha shpirt natyrës së harlisur në jetë,
oh, unë e di, fati i cytur kap qiejt e nuk fle gjumë
butakësh të baltrave gjithmonë atje në hendek.
Por mbes unë, robinjë rrezesh më të dëlira.

 

PLOT ZI, SHPIRTRAT E HUMBUR

Sa shumë zi shpirtrat e degdisur
në jetën e tyre, – hon pabesish!
I vret dritë e diellit e dritë e qiririt.
Lulë e mëngjesit i mbërthen për shtëpi,
nuk ta falin, kur kokrra punësh
atmosferën, kohën mbush me shumë vuajtje.
Por, vallë, kanë nënë, miq, shokë, fëmijë?
Kanë lot në sy? Gjak në zemër? Perëndi?
Sa shumë helm mbanë buzëqeshja e tyre
e djalli nuk do t’ua hap sytë
dhe gotën plot poshtërime ata pinë,
e të hurbin edhe sytë.
Sa shumë ujë mbajnë dejt e tyre!

 

NJË KITARË

Për shumë ëndrra që dua, kitara ka skuqur telat,
do të vjen momenti, kur tjetër këngë, melodi
do të dëgjohet dhe jehon një kitarë…
E di që rënkimet e mia, tek burimi yt,
gjejnë freskinë e një uji damarësh të jugut,
si puhi e lehtë… tamam si këta gishta maestroje
që tundullojnë telat, të rritet dhe më tepër
arti i artë, kjo kështjellë notash si ngrihet lart.

Një kitarë në duar të një maestroje me shpirt qiejsh
është një gjumë i shqitur nga koha e rëndë
e kërkon: “Të mos fle gjumë asnjëherë askush!”
Prehu, dashuri, artit të tingujve me sa mesazh!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s