Dashuri brënda mureve të kështjellës / Tregim nga Sabina Darova

Dashuri brënda mureve të kështjellës
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Nëse merr rrugën në ngjitje drejt kalasë dhe ndodh, që ndonjë nga gurët e lëmuar zhvendoset, mos e shaj, por ulu dhe rivendose po aty ku ndodhej. Ai gur, bart peshën e një këpuce apo sandaleje pak si të ndrojtur, që çliron avull dashurie të ngjizur ndër vite. Zakonisht, ky kalldrëm në të tatëpjetë, ndër shkrime njihet si përcjellës patkonjsh kuajsh që kalëroheshin nga kalorës trima. Nga ata që ngritën flamurë e rezistuan ndër luftra në shekuj. Po trime, duhet të kenë qënë dhe dashuritë që ju ngjitën këtyre mureve. Edhe ato gjetën kurajë të kalëronin edhe pse, në anonimat të plotë. E kush nuk e ruan në kujtesë një moment të jetës, i dashuruar në këtë kështjellë, në Krujë? Dashuritë në atë vend ngjiteshin si dashuri të turpshme,të brishta, të fshehura,të lëkundura, të purpurta, të heshtura, të qeshura, të dhimbsura, të ndaluara, të tallura, të vrara,tekanjoze apo të fyera.
Ishin dashuri që kërkuan një mundësi që të gjallonin, kërkuan oksigjen të lulëzonin, kërkuan gjymtyrë të lëviznin, kërkuan forcë diellore që ti piqte. Në skutat e fshehura të kështjellës, u vodhën puthjet e para, sepse puthja e vjedhur shijohet deri në përvëlim.
Djaloshi, hareshëm kthehej me vrap në kthinat e kërrusura e të fjetura të shtëpisë, mbyllte sytë e strukej i kënaqur poshtë mbulesave. Puthja e parë e kish burrëruar.
Ndërsa vajza, përjetonte paradoksin: Lumturinë qiellore të shijimit nektar,të buzëve lëng të djaloshit, frikën në paditurinë, se ç’fat do ti sillte si përgjigje e nesërmja.
Po, e nesërmja! Sepse dashuria duhet të ketë një të nesërme të sigurt. Dashuria duhet të jetë një “operacion matematik”, ku llogaritë duhet të superojnë perfeksionin. Po nëse është operacion aritmetik, a mund ta quajmë dashuri? A mund ta llogarisim forcën e llavës së vullkanit që nuk dihet seç’merr përpara, kur shpërthen? Ajo llavë që ti lëviz gjymtyrët e ti sposton nga një skaj i vendit në tjetrin? Apo që gjendesh si pa kuptuar, mbi kalldrëmin e lashtë, tek ngjitesh për të pirë në kupë, gjakun e diellit që perëndon mbi kështjellë? A mund ti quajmë veprime matematikore instiktet e Adamit e të Evës, të cilët kafshuan mollën e argjëndtë pranë kullës së sahatit, atje lart në kala?
E kur e kafshuan, njohën përqafimet epshore,njohën saldimin e dy trupave dhe bulëzimin e djersëve që i ftonte në amshim. Por ajo çka ishte më e bukur, ishte mësimi i thënjes me zë, të fjalës magjike. Fjalës që askush nuk kish guxuar t’jua mësonte të rinjve që në fëmijëri. Ishte ajo fjala e butë, e ngrohtë, si një bukë e porsapjekur, që ftonte të njihte bukurinë e trupit, bukurinë e shpirtit. Bukurisë që i bëhej luftë nga mëngjezi deri në mbrëmje pa ja ditur arësyen. Thuhej vetëm se ishte turp të shqiptohej me zë të lartë, fjala Dashuri. Thuhej se ishte herezi të shqiptoje një numër fjalësh që i përkisnin kësaj familjeje, e që transmetoheshin në heshtje, si loja e telefonit të prishur nga njëri vesh në tjetrin. Nëse merremi vetëm me emrin dashuri dhe ta vendosim si folje apo mbiemër: dashuri, dashuroj, i/e dashuruar, do provojmë të skuqemi, të shqetësohemi poshtë rrobave që kemi veshur, të ulim në tokë vështrimin, të provojmë ti ndërrojmë drejtim bisedës. Mos të guxojmë ta zgjerojmë leksikun e fjalëve që rrjedhin gjatë një akti dashuror. Aty humbasim e thërrasim në ndihmë humnerat për tu hedhur deri në vetmohim. Janë fjalë tabu. Fjalët ” e përdala” gjetën lirinë , deshën apo nuk deshën mëndjet e plakura, në muret që rrethonin kalanë. Po ta dinin të rinjtë, që në urën mbi Sienë në Paris, lidhen me qindra drynj dashurie, muret e kështjellës do ishin veshur e lidhur të gjitha prej tyre. Do kishte qënë dëshmia e patundur, ku edhe në kohrat ” e kolerës”, provohej të thyheshin zinxhirët e robërisë së mendjes e të shpirtit. Do dëshmonin që gjithësesi, bëhej dashuri.
Ndaj, kështjellën e Skëndërbeut, po t’ju bjerë rruga, provoni ta quani pa hezitim edhe kështjellë mburojë e dashurisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s