Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
LUMTURIA QË NDODH
Sërish u ngazëlleva me pranverën
Hijeve të pemëve pushëzova gëzim
Eca me këmbë të lehta prej ajri
Preka trupa të njomë bari të rënë
I kërkova të falur secilës lule me zë
Këndova me vete këngë fëmijërie
I buzëqesha diellit me sy të mbyllur
U deha nga aroma e ngrohtë e tokës
Vetes i fola me fjalë prej vese…
Kjo është lumturia që ndodh!!!
NGA E PARA
Për të të harruar
Mësova gjithë rrugët pa kthim;
Më thanë është një, vdekja!
Ktheva mbrapsht
Të gjitha dhuratat, premtimet
mbetën vetëm lutjet, dhe puthjet.
Hoqa nga muri i kujtesës
Të gjitha fotot ku ti ishe synjomë
dhe mbeta bosh si një kavanoz.
S’dija ku të rrokullisesha
Të thyhesha në njëmijë copa
e të kthehesha në asgjë.
Por, papritur
Një tingëllimë grisi heshtjen
Thirrja që përsërit: më mungon!
Kështu, në një sekondë
U kthyen të gjitha mbrapsht
e unë nisa numërimin nga e para!
LETËR DASHURIE
Të kam jetë…
puhizë e flladit pranveror,
që lehtësisht më prek shpirtin.
Dhe unë vrapoj pas teje
harroj stinën ku jam..
të kam xhan!
Unë jam pranverë kur je ti
dhe kur ka shi ti je ylber…
Advertisements