Ti mësosh dashurinë ajrit / Tregim nga Sabina Darova

Ti mësosh dashurinë ajrit
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Dëshira më shkruan që prej tre javësh ndodhet në Vorë, në vendlindje.
– Nuk ke frikë që nuk mundesh të rihysh më në Itali? – I shkruan një shoqe e saj
-Më detyruan, përgjigjet. – Më detyruan e më gënjyen “ato” që të kthehem.
 
***
E brishtë, me sy dhe flokë të zinj e të gjatë, ajo adhuron ngjyrën e bardhë të pantallonave, takat e larta , vëthët e rrumbullaktë dhe të rendë, me rimelin e zi mbi qerpikët e gjatë që i puthiten mbi sy, si kapak sepeteje. Mbërrin në Itali një ditë të nxehtë vere për një bashkëjetesë të kombinuar.
 
Nuk e njeh burrin e ardhshëm . As në fotografi nuk e ka parë. Di vetëm që ka një problem: i merret goja kur flet, dhe nuk arrin të kuptojë mirë.
 
Për Deshiren këto difekte nuk janë ndonjë problem. I imjafton që ti njohë atësinë foshnjes që mban në peqi prej 3 muajve. Këtë fakt bota nuk e di, përveçse mbleses.
 
Deshira kot se kish atë emer, ajo ishte lindur për të dëshiruar. Si shumë vajza të qytezës, u dashurua me djalin e parë që kish takuar. Djali i parë që një vajzë takon, në Shqipëri, shënon fatin e pakthyeshëm. Atë që Deshira takoi, i mbushi barkun dhe u zhduk.
Një mike e ngushtë , të cilësi kish treguar për netët e nxehta të kaluara me shoferin e kryetarit të bashkisë, u tregua e gatëshme ta ndihmonte. Njihte dikë në Itali që kish një vëlla me pak të meta, për të cilin po kërkonin grua, anipse edhe me të meta, ia falnin, me kusht që ti shërbente vellait të tyre.
 
Deshira mbërrin në një qytet të vogël në qendër të Italisë e lumtur që më së fundi arriti ti verë kapakun problemeve të saja.
Sapo ulet nga avioni, në hollin e aeroportit e presin dy gra. Sikur ta njihnin prej kohësh, e përqafojnë dhe e joshin me premtime: martesë dhe lejë qëndrimi në Itali.
– Po Ai , ku është ?- pyet me gjysëm zëri
– do ta shohëh mbas pak, – i buzëqesh Drita, motra e parë.
– Nuk e morëm me vete, sepse dëshironim të të shpjegonim disa gjëra teknike të vogla:
– Kur ai flet, nuk kuptohet sepse bashkëtingëlloret nuk i shqipton mjaft mirë dhe i nxjerr fjalet të kafshuara, por ka aq sy të gjallë e të ëmbël që do i kuptosh lehtësisht e nuk do të ndihet mungesa e fjalës. Sytë jane libër i hapur.
– e dyta, është që nuk degjon mirë e duhet ta ngresh zërin kur të bisedoni.
E treta, dhe më e rëndësishmja, ai është i virgjër. Nuk ka patur kurrë një femër dhe mjekët thonë që nuk mundet te ketë fëmijë. Por është i bindur, nuk ngre dorë dhe është shumë punëtor. Rrogën e sjell të gjithë në shëpi. Merr dhe ndihmë sociale.
 
Deshires i bie çanta nga dora. Skuqet, zverdhet e zbardhet si gjethja nën dëborën e parë.
– po fëmija? – belbëzon
– Çfarë ? – pyet Lumja, motra e dytë, – ndoshta nuk degjova mirë?
– nuk ju ka thënë gjë mblesja?
– jo!
– jam shtatëzënë – ngashërehet Deshira, – erdha ketu me mendimin që ti jap një baba fëmijës.
– absolutisht jo!- përgjigjet me ton të prerë Drita
Të treja gratë shikohen sy në sy të lebetitura.
– dhe tani çfarë bëhet ?
– sa muajshe je? – pyet Lumja
– tre e gjysëm
– saaaaa?!
-tre e gjysëm
– oh zot i madh, ti me ligj nuk mundesh ta dështosh. Si nuk na e tha më parë ajo shtrigë?
– po ju a nuk keni thënë që pranoni grua me difekte ? –
– e thamë, por jo me këlysh në bark. Këtu të gjithë e njohin Hasanin që nuk është i aftë për të kapur një lule me dorë.
– nesër direkt e në spital e të shohim se çfarë mundet të bejmë,
– përshpejton përgjigjen Drita, – por fëmija, ta dish, në shtëpinë tonë nuk rritet.
– E ç’ duhet të bëj? – pyet e çoroditur.
– Më parë shkojmë në shtëpi , se po na presin me tavolinën shtruar. Duke parë e duke bërë- përgjigjet Lumja.
Pllakos një heshtje varri. Shkëlqimi që kishin në sy zvenitet dhe hija e turbullt futi në kllapë entusiazmin e dy motrave. Nusja kish ardhur me cen.
 
Mbërrijnë në shtëpi dhe nusen e presin me gëzim pjesëtarët e tjerë të familjes. Ai, burri i saj , qëndron i ulur në krye të dhomës mbi një karrige druri të kaftë.Te dy ngrenë vështrimin për tu parë. Ajo e re, e bukur por me sy të trishtë e të brengosur, Ai rreth teë dyzetave, me sy të zinj e të vegjël, fshehur në zgaver, flokët e zeza pis e të drejtë, prerë shkurt dhe me balluke, veshë të mëdhenj, qafë shkurtër
Ajo i zgjat dorën që i dridhet për ta takuar e kërkon ti buzeqeshë. Hasani nuk kupton se çfarë po ndodh rreth tij, i zgjat dorën e shkurtër dhe e tërheq shumë shpejt prej dorës së saj.
Deshira ndjen mbi lekurë një ftohtësirë të djersirë.
– Hasan, të kemi sjellë nusen- flet e para Drita
– Shih sa të bukur ta kemi zgjedhur! Qofshi të lumtur e të trashëgoheni!
Sapo dëgjon fjalën e fundit, ajo shikon me zemrën që i çahet në drejtim të kunatës. Mos ka ndonjë fije shprese për fëmijën e saj?
Ai ngre buzën e sipërme e duket sikur buzëqesh, shqipton disa tinguj që nuk kuptohet çfarë mërmërit.
– thotë faleminderit, – kërkon ti shpjegojë Lumja afër veshit.
– dalengadale do fillosh ta kuptosh. Të duhet vetëm pak durim.
 
Deshira në pak sekonda percepton gjendjen e burrit të saj .E zë e qara të cilën kërkon me të gjitha forcat ta mbysi brenda mureve të trupit të saj.
Mbi shpatulla i rëndojnë vështrimet e familjes që kërkojnë të masin si me kutin e rrobaqepesit qëndrimin e saj. Do ta pranojë Hasanin apo do ja mbathi nga sytë këmbët?
Në pak minuta realizon pamundësinë e jetës së femijës që mban në gremb. Vendos dorën mbi bark dhe për herë të parë e ndjen si të tepërt. Kjo e tremb.
Fillon të rendisë njëra pas tjetrës pyetje që deri në atë çast nuk kish guxuar ti bënte kurrë.
Muret e shtepisë së varfër ja zenë frymën, por nuk sheh asnjë shteg që të arratiset. E heshtur dhe pa fjalë qëndron përkrah njeriut të ri që do të bëhet burri i saj.
 
Mbas darke, largohen të gjithe dhe mbeten vetëm ata të dy. Ai ja ngul sytëdhe nuk flet. E shikon i habitur me sytë e vegjël tëmbyllur si nëguackë.
 
Deshira i afrohet dhe e pyet se ku do flenë. Hasani ngre gishtin tregues dhe i tregon krevatin dopio, ndërsa për vete zgjedh të shtrihet mbi divan.
Deshira kalon natën e parë mbi krevatin martesor e vetme, e pa prekur dhe e mbytur me qindra pyetje që i rëndojnë mbi krye si gardh hudhrash të varur në qilar.
 
E nesërmja risjell shpejt motrat për të sursulluarnkafen turke së bashku. Kureshtare e pyesin nëse Hasani i është afruar ndopak. Dëshira i shikon në sy dhe tund kokën.
– Vëllai juaj nuk e ka idenë se ç’do të thotë grua,- përgjigjet e var kokën poshtë.
– kij durim – merr guximin Drita, – dalengadale, por duhet te dish që edhe ti ta mesosh. Provo e çvishu pak nga pak dhe shih si do reagoje. Pastaj, je grua me përvojë, – e hedh vështrimin mbi barkun e Deshires.
– di si ti tërheqesh meshkujt. Dalëngadalë do mesojë dhe ai.
– duhet të shkojmë në spital,- urdhëron Lumja. Nëse ti je më shumë se 3 muaj, nuk bëhet abort, por fëmijë ketu, ne nuk duam! Mundet ta mbash të fshehur, dhe kur të vije momenti i lindjes, ta falësh. Kam pyetur një mike dhe më tha që ekziston kjo mundësi.
Deshira shtanget e tmerruar.
– Si ka mundësi?- pyet.
– Perse ma kërkoni këtë? – Nuk jeni ju vetë nëna?
– jemi, – përgjigjet Lumja,- por me burrat tanë. Ndryshe, të kthejmë mbrapsht nga ke ardhur! Ne nuk mbajmë fëmijë të botës këtu. Ti e pe dhe vetë, nuk do ta besonte askush që fëmija mund të jetë i vëllait tonë , e ne këtë turp nuk e duam në derë.
 
Në spital i pret asistentja sociale dhe mjekja gjinekologe. Të dyja me buzën në gaz e shoqërojnë ngrohtësisht në një dhomë. Edhe pse nuk kupton asnjë fjalë në italisht, ndjen mirësinë në fjalët që i thuhen.
I shpjegohet që mundet të mos njohë femijën . E sigurojnë që, nëse e le në spital, fëmija do të ketë një familje dhe një të ardhme shumë të mire.
Deshira sillet e përsillet me javë duke analizuar gjendjen ku ndodhet, dhe së fundi vendos që ta besojë në spital foshnjen e saj. Nuk ka ç’ti ofrojë. Në Vorë i jati do i mbylli derën përpara fytyres dhe do e perzejë një herë e përgjithmonë nga shtëpia për turpin që ju krijoi. Këtu në Itali, është e pamundur ta rrisi me një budalla dhe dy motra të egra që e ndjekin si hije. Nuk ka rrugë tjetër.
 
Ndërkohë që muajt shkojnë e barku rritet, Deshira lan shtëpinë dhe mban rregull, lan Hasanin se ai nuk di të lahet, e vesh, ,e mbath si një fëmijë të vogël. Fillon ti tregojë mbi jetën e saj dhe herë mbas here i zbulon barkun që i rritet. Nganjëherë i afron dorën për mbi barkun e saj për të dëgjuar lëvizjet e fëmijës.
 
Hasani qesh dhe fillon të kuptojë diçka. Gruaja me të cilën jeton pret një femijë dhe ai ndjehet i lumtur. Dëshiron t’ju tregojë miqve të tij me mburrje që do bëhet baba. Me xheste bën shenja për të treguar gjendjen e gruas . Të njohurit tallen akoma më shumeë me të.
Sapo kalojnë të dy në pazar për të blerë fruta e perime, burrat fillojnë e imitojnë me shenja lëvizjet që bën Hasani e zgërdhihen.
Zgërdhihen aq shumë sa tërheqin vemendjen e dy motrave.
Ato e ndalojnë rreptësisht Deshiren ti tregojë barkun Hasanit.
Edhe një herë zvenitet shpresa për tu bërë nënë.
Deshira lexon vendosmërinë e kunatave për mos pranimin e krijesës që rritet brenda saj.
 
Mbyllet në vetëvete dhe pret në heshtje momentin e lindjes që nuk vonon.
Është natë kur i plasin ujrat dhe ajo ndodhet vetëm përvetëm me Hasanin. Ai e shikon i shqetësuar dhe nuk di si ta ndihmojë. Nxjerr tinguj të pakuptimtë nga goja e i afrohet ta ledhatojë. E befason. Është hera e parë që ai e përkëdhel. I përkëdhel flokëte buta, shpatullat dhe barkun. Shikon i habitur gjinjtë e fryrë dhe kërkon ti prekë. Ndjen zemrën që ti rrahë dhe gjakun ti pulsojë. Deshira e le ta prekë. Këto ledhatime e qetësojnë pak. Kanë kaluar muaj që ajo nuk ka ndjerë një dorë ti afrohet. E shikon në sy ëmbëlsisht dhe i thotë që i nevojitet telefoni. Hasani e kupton dhe vrapon drejt tij. I njeh tastet që duhet tështypi në rast nevoje.
 
Për pak kohë në shtëpi arrin ambulanca dhe Deshira ndodhet në duar të sigurta. Dëgjon të qarat e para të foshnjës dhe më pas asgjë. I thuhet që ka lindur djalë dhe është i shëndetshëm. Heshtja e dërgon në një guvë boshe e të erret që i fik frymëmarrjen. Ç’do bëhet me të? Prek me dorë barkun qëi dhemb akoma. Nuk dallon dot se cilat dhimbje janë më të forta, ato të trupit apo të shpirtit? I duket sikur ndodhet në një ëndërr te gjatë dhe nuk di si të zgjohet. Petale karafilash të zinj i përkëdhelin gushën dhe i zenë frymën. Mbas pak orësh firmos në heshtje dorëzimin e fëmijës pranë shërbimit social të spitalit. Lotët i thahen mbi buzè. Ne dhomen e spitalit eshte e vetme. Nuk guxon të dalë nëpër korridore se e frikesojnë shikimet e pacienteve nëna dhe të personelit. Ndjen në lëkurë akuzën e një nëne të përdalë që braktis fëmijën. Por ajo nuk e ka braktisur, përpiqet të ngushëllojë vetveten. Po i jep një mundësi jete më te mirë. Imagjinon djalin e saj pa emër tek rritet pranë dy prindërve inxhinjerë e të pasur. Shumë të pasur. Ky element është i rëndësishëm sepse përcakton lumturinë dhe mirëqënien e tij. Po familja që do të rrisi fëmijën e saj do jenë inxhinjerë. Kjo e qetëson disi. Po emri si do jetë? Luca, Gianfranco, Robert apo Andrea? Asaj i pëlqente emri Sajmir. E belbëzon me buzët që i dridhen dhe vrik i thërret arësyes që mos ta pronuncojë më atë emër. Nuk do ti japë jetë jetës që sapo e dorëzoi. Vendosja e emrit është pergjegjësi që ajo nuk duhet ta marri përsipër. Kohën që kalon në spital e mbulon pakohësia. Akrepat nuk shënojnë as ditën dhe as natën.
 
Mbas disa ditësh kthehet në shtëpi. Të qarat nuk i rreshtin dhe Hasani e shikon i preokupuar. I prek barkun dhe me vështrim kërkon të dijë se çu bë me barkun e saj të fryrë që tani duket i çfryrë. Deshira hesht dhe qan.
E ku kupton ai nëse ja shpjegon?
 
Për një javë motrat e Hasanit i qëndrojnë afër dhe i shërbejnë. E marrin me të mira dhe i dhurojnë varëse e byzylykë që asaj i pëlqejnë shumë. Mundohen ta ngushellojnë që është e re dhe koha ilaçi më i mirë. Në një farë mënyre ato kanë të drejtë.
 
Kalojnë ditët dhe muajt, e plaga fillon të zerë kore. Rifillon ta dojë jetën dhe kujdeset për vehten. Shkon shpesh në pazar dhe ble fustane që kushtojnë pak, por të bukura. Mëson nga motrat e Hasanit cigaren dhe kalon kohën shpesh në lokale. Në darkë kthehet në shtëpi dhe çvishet e dëshiruar për të patur një burrë. Hasani e sheh dhe e ledhaton. Gjaku i ndizet dhe Deshira fillon ta mësojë si të levizë mbi trupin e saj. Ndjehen të lumtur.
Ky fakt nuk i shpëtonsyrit vigjëlent të motrave. Mendojnë se ka një të dashur. E pyesin dhe ajo ju përgjigjet që nuk ka njeri.
– Unë e dua Hasanin
– besojeni apo jo, por ai ka zemrën e një zogu. Veç ta shihni sa bukur ledhaton. Është burri im !
Ngre vështrimin dhe ju ngul sytë per tu lënë të nënkuptojnë që vëllai i tyre ështe burrë!
 
Drita dhe Lumja nuk besojnë as edhe një grimë nga ç’ka ju dëgjojnë veshët.
E pergjojnë ditë me radhë ndërsa ajo shëtit rrugëve të qytetit. E shohin ndërsa hyn në dyqanin e rrobave intime dhe vëzhgojnë ndërsa kalon nëpër duar sytjena dhe këmisha nate. Të alarmuara binden që ka të dashur. Turpi po mbulon familjen e tyre.
Planifikojnë martesën e të dyve në Vorë. Çifti ndihen më të lumtur se kurrë.
Deshira mbush valixhet me dhurata për njerëzit e saj që nuk i sheh prej dy vitesh. Ndjehet e emocionuar. Malli hedh degët plot lule në shpirtin e saj. Më së fundi mbas gjithë atyre sakrificave diçka e bukur po realizohej. Do martohej dhe më pas leja e qëndrimit në Itali. Do lëvizte sa herë të dëshironte.
Edhe Hasani ndjehej i lumtur. Shikonte gruan që këndonte dhe gëzonte. Pak rëndësi kishte që nuk kuptonte arësyet e Deshires. Për atë e rëndësishme ishte buzëqeshja e ëmbël që i dhuronte dhe këngët që i nanuriste në vesh . Ah sa i pëlqente zërii saj!
 
Udhëtimin për në atdhe e bëjnë me traget. Ata të dy dhe dy motrat e tij. Shijojnë gjerësinë e detit, thithin ajrin e pastër e mbushin mushkritë.
Dy ditë mbas mbërritjes në Vorë, Drita lajmëron Deshiren që do e lenë për pak ditë në familje për tu çmallur. Pranon e lumtur. Kalojnë pesë ditët dhe kujtohet për burrin dhe kunatat. Rrethuar nga familja dhe shoqet e shkolles, nuk kish vënë re që në këto ditë nuk ishin degjuar as edhe telefonikisht. Kërkon të bëjë numrin e Dritës, por nuk i perjigjet asnje ze. Provon disa herë, por më kot. Merr mikrobuzin e merakosur dhe shkon në fshatin ku jetonin familja e Hasanit. Troket në derë, por askush nuk i përgjigjet.
E shqetësuar fillon të endet lart e poshtë rrugicës. Troket tek komshinjtë me zemrën që i del nga vendi.
Kanë ikur- përgjigjet një burrë i moshuar, – kanë katër ditë që janë kthyer në Itali.
Deshiren nuk e mbajnë gjunjët. Rrëzohet në tokë.
Një karrocë kalon pranë dhe dëgjon zërin e një ambulanti:
– bozë e freskët, blini bozë të freskët.
Pluhuri i rrugës ngrihet dhe i mbulon vështrimin.
 
***
Mbi kalldrëmet e një qyteti mesjetar në Itali, një burrë endet me sytë e humbur e të trishtë, duke kërkuar gruan që në pak kohë kish arritur ti mësonte atë ndjenjë që askush nuk kish ditur t’ja tregonte deri atëherë, dashurinë!
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s