Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

NOMAD

Kam filluar shpesh e më shpesh
Të shkel trotuarët e mbrëmjeve të tua.
Gjurmët e lodhura mbuluar me vjeshtë
Vetëm neonët, si përherë, rrinë zgjuar.

Kam filluar të gërmoj thellë në kujtime,
Aromën e tyre e ndjej mbi qerpikë
Ndodh që përhumbem edhe në vegime,
Por shpirt përherë lundron në dritë.

Kam filluar të ngrihem edhe më herët,
Dua t’i shohë gjurmët mbuluar me vesë.
Rrëshirën kur zbret nga trungu i pemës
Dhe këngën e zogjve në çdo mëngjes.

Kam filluar të numëroj gjysmat e hënës,
Dhe ata yje që digjen në univers.
Kujtimet më ndezin një zjarr në zemër,
Lavdi Zotit!-brohoras çdo mëngjes.

Kam filluar të ndjej një trok të afërt,
Dhe s’di pse më hanë këmbët për udhë,
Në detin e shpirtit gjëmojnë dallgët
Nomad ëndrrash, i tillë mbeta unë.

 

KU KA SI LOTI

Janë ngushtuar rrugët edhe nga makthet,
Ngë klithmat e heshtjes verbuar shtigjet
Por mua më duhet të kalëroj me hapat
Më pret një zemër dhe zjarri që s’fiket.

Nuk jam Uliksi, vonuar nëpër luftë
E di rrugën drejt kështjellës epike
Çirçet s’më joshin me verë e me bukë
As kënga e sirenave me harpat magjike.

Penelopa ime s’end pëlhurë në tezgjah
Ajo shikon të heq ndonjë rrudhë malli
I gufon kraharorin nga dallgët me krahë
Më pret t’i japim shkëndijën zjarrit.

Shtrati i dashurisë në detin e zemrës
I ka rrënjët thellë, si dielli në univers
Ndriçuar i tëri me kaltërisnë e ëndrrës
Ngado të shkojmë aty marrim jetë.

Enden fantazmat në zgavrat e natës
Shkëlqejnë verbueshëm si vetëtimë
Po ku ka si puthja me yjet e flakës
Ku ka si loti që ndriçon dashurinë!

 

MË MBYTE ME ËNDRRA

Më mbytën ëndrrat,
të marrt’e mira,
si nuk më le një natë të qetë?
Çdo ditë më duhet
të rilexoj rubairat,
dhe të pi verë
me Khajamin poet!

Kaq larg më çojnë imazhet
e muzgjeve të bukur,
ku ti sfidon dhe hënën.
Në agun e ditës,
ylber në krahët e fluturës,
shetit përherë një këngë e ëndërrt:
“Natën, kur flija, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në varr s’ka lumturi…,”

Eh, Khajam,
poetët, për ty
e pijnë me fund dollinë,
dhe lundrojnë nëpër ëndrra
mbi dallgët e detit poezi.

***
Të marrt’e mira,
më mbyte me ëndrra,
deri kur do pi për Khajamin?
Eja të dehemi
me verën e puthjeve
dhe ta ndezim për vete, zjarrin!

 

ÇUDI ME KËTA POETËT

Vetëm një çast,
sa një vetull vetëtime,
i dhanë buzëqeshje poetit.

Si pjastër mëshire.

Në pikën e lotit
e vari këngën e thyer,
kupa e gëzimit
u mbush me maj.

Çudi me këta poetët:
kur bota qesh,
ata qajnë!..

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s