Ikja / Tregim nga Zhuljeta Grabocka Çina

Ikja

 

Tregim nga Zhuljeta Grabocka Çina

Orët e natës po shtyheshin me ngadalë. Mbi qerpikë nuk po i rëndonte më gjumi. Mundohej të ndryshonte pozicionin e të flinte sado pak mbi shtratin, që ndoshta nuk do të flinte më kurrë. Kjo ndjesi e mundonte. Ndërsa koha ecte. Nuk po shqetësohej më për atë, që kishte vendosur vetëm dy, tre muajt e fundit. Do të ndahej me njerëzit, dhe me tetëmbëdhjetë pranverat e jetës së saj. E kaluara do të mbetej pas. Si të kishte qënë vetëm një stinë. Pranvera e sapo kaluar së bashku me blerimin e lulëzimin e luleve e kishte bërë të ndiente thellë në perceptime, një ngrohtësi e mendime të reja. Nën fladin e ditëve plot diell ndihej më e rritur dhe e pavarur të merrte vendimin më të rëndësishëm të jetës. Në përvijimin e këtyre vizioneve po linte peng fëmijërinë. Vendimi që kishte marrë e kishte bërë shumë më të vendosur. Thua se rinia i kishte ardhur për t’i hapur krahët e prekur ëndrrën. Ajo i kishte besuar fort zërit të brendshëm. Me ëndrrën më të bukur, që njeriu mund të thurrë i zhveshur nga çdo dilemë. Toka e qielli ishin bërë mburoja e sekretit të saj. Vet i dytë me një djalë pesë vjet më i rritur se ajo, nesër do të ikte larg e do të ndahej prej shtëpisë së prindërve. Shpirtin e kishte të mbushur me besim, por edhe me një gëzim çuditërisht të trishtë. Mbi krezën, të vetmen gjë që mund të përqafonte në këto çaste, i rrodhën dy pika lot. Si për të tradhëtuar guximin e treguar.
Errësira e dhomës pa e kuptuar po davaritej, jo vetëm nga drita e hënës së përgjysmuar, që e kundronte përtej xhamave të dritareve të dhomës, por edhe nga agullimi i dritës së bardhë që po binte. U ngrit, veshi rrobat që kishte lënë mënjanë e i hodhi një sy ambientit përreth. Përherë të fundit e përshkoi dhomën me hapa të pa ndjeshëm, hapi derën duke lënë aty, jo vetëm aromën e trupit të saj, por vitet e pakthyeshme. Më vonë do t’i sillte në kujtime, sa e sa herë këto çaste. Në zemrën e saj diçka u ndrynj pa zhurrmë. Dera u mbyll e ajo kapërxeu pragun e shtëpisë si një xixëllonjë që le pas shkëlqimin në një natë të gjatë. Dikur, si gjithë vajzat e rrugës së shtëpisë së saj të lindjes, kishte rendur të merrte shkëndijën duke u çjerrë mes trëndaflave të egër e për ta vënë mbi ballë. Ajo nuk vuri kurorë me lule të bardha mbi kryet e bukur. Pragun e derës s’e preku fustani i saj i bardhë. As uji s’u derdh prej hibrikut të bakërt nëpër gurët e kalldrëmit të rrugës. Nuk po e përcillte njeri e t’i uronte rrugën e mbarë. A të bënin zakonet, siç u bëjnë nuseve, kur dalin nga shtëpia e babës e të largonin prapësitë, që mund t’i ndodhnin në jetë?! Atë e mbështollën rrezet e para të agimit nën drithërimën, që ndjeu e trembur nga prekja e krahut. Arditi kishte pritur gjithë ankth. Vështrimet e tyre nën freskun e mëngjesit shprehnin më shumë se fjalët. Plani kishte funksionuar. Kjo ikje e beftë, për ata që do të dëgjonin, ishte fillimi i bashkëjetesës. Ajo zgjodhi këtë mënyrë largimi si të vetmen alternativë për të jetuar me djalin që i besoi pa kusht, në një qytet verior, të ngjashëm në temperament, me temperamentin e njerëzve të qytetit të saj të lindjes. Po largohej duke tërhequr pas peshën e kujtimeve, që do t’i ruante të gjalla në zemër për gjithë jetën.
Hapat e para tingëlluan përshëndetëse në qetësinë e rrugës. Njerëzit akoma nuk kishin filluar të dilnin prej shtëpive. Ajo kishte përqafuar të panjohurën ashtu siç dinë të shpërfillim rrezikun të dashuruarit. Ecnin në krah të njërit- tjetrit pa e kuptuar sa shpejt kishin mbërritur tek taksia. U nisën. Zhurrmat e rrotave nëpër rrugët e kalldrëmta dhe lëkundjet e tyre ua afronin supet për t’i përmendur nga përhumbjet. Djali ndiente në thellësi të qënies së tij peshë faji. Më shumë se ankth, ai ndiente përgjegjësinë e veprimit tashmë të kryer. Në heshtje i betohej vetes, se nuk do të ndahej prej saj. Nuk e meritonte ajo, që ai me indiferencën e tij të bëhej i padukshëm në prezencën e saj. Ai ishte i bindur se ajo duhej të ndihej e rëndësishme në fjalët e tij dhe pastaj të mos e zhgënjente me veprimet. Heshtja dhe fjalët e saj të pakta meritonin më shumë se kaq. Ajo meritonte të kërkonte ndihmë, jo vetëm kur kishte nevojë, por se ai duhet t’i ishte gjithmonë pranë, si njeriu tashmë më i afërt. Nuk meritonte trishtim e lotë. Ai duhet t’i sillte vetëm buzëqeshjen. Ndaj vështrimi i tij kërkonte të shihte shkëlqimin e lumturisë së pafaj në gjithë qenien e veçanërisht në sytë e saj.
Pa e kuptuar kishin lënë qytetin e kishin dalë në rrugën nacionale. Kundrimi i fushës deri në prehërin e Malit të Thatë ishte i veshur me bardhësinë e brymësisë së parë që po zhdukej ngadalë nën rrezet e para të diellit. Vjeshta i kishte ftohur ndjeshëm mëngjeset. Aty- këtu ndihej dora e bujqve, që kishte nxituar të tërhiqte prodhimin e stinës. Stinës së begatë të dasmave, e gëzimit të krushqive, e ahengut të këngëve. Nusja e re po merrte me vete hijen e rëndë të malit e kodrave të buta, që zbusnin rrethimin e fushës. E ndiente veten të përkëdhelur nga fati të ndodhej aty në mes të saj, si një pikë e palëvizshme në horizont. Sa e sa herë i kishte përjetuar këto ndjesi mbi tablotë e mrekullueshme të peizazheve të piktorëve të vendlindjes, por asnjëherë nuk e kishte menduar sa i veçantë e i paharruar do të mbetej ky peizazh lëvizës, si sofra e dasmës së saj. Befas rruga ra mbi liqen edhe ajo ndjeu t’i njomeshin sytë. Rrotat e makinës rrëshqitinin mbi asfaltin e mëngjesit si ngjalat e liqenit në kohën kur duhet të shumohen e ndjekin rrugën e rrymave të ngrohta. Ato nëpërmjet të Drinit të Zi kalojnë në Detin Adriatik, pastaj në Detin Mesdhe. Nëpër ngushticën e Gjiblartarit kalojnë në Oqeanin Atlantik dhe më pas në detin Sargas, ku shumohen. Ajo e dinte se ngjalat e reja përsëri nisen nga deti Sargas dhe ndjekin të njëjtën rrugë për të ardhur në vendin e origjinës së tyre, në Liqenin e Ohrit. A do të mundte edhe ajo të përballonte jetesën në ujrat e ëmbëlta dhe të njelmëta të jetës. Kur do të kthehej përsëri?!
Vetëm tani e kuptoi, se po shkonte larg, shumë më larg seç e kishte menduar më parë. Ylli i Mëngjesit akoma nuk ishte shuar. Po përcillte Afërditën më të re të dashurisë.
Ajo largoi nga fytyra shpushpurisjen e flokëve të gjatë e të rëndë. Ato kishin nuancën e kafes së tokës e të lajthisë së pjekur. Era i trazonte, siç trazoheshin mendimet, që mbanin pezull shpirtin e saj. Sytë i shihnin në thellësi të udhëtimit të panjohur, si të ishte në një ëndërr. Mbi bustin e trupit rrezet e diellit luanin me dritë hijen e degëve të pemëve, që kishin filluar të zhvisheshin nga gjethet. Lëkura e fytyrës ovale shkëlqente në të bronctë plot jetë. Në mënyrë të pavetëdijshme dita kishte filluar si zakonisht. Pa çka se ajo do të mbetej tashmë një e kaluar. E shihte veten të ulur në vendin e saj të punës mes shoqeve të ndërmarrjes artistike. E përqëndruar të hidhte ngjyrat mbi dizenjot e luleve, që zbukuronin shportat e kashta. Befas ndjeu një boshllëk. I u duk sikur në dorë kishte penelin e tre ngjyra. Të kuqen, kafen e blunë e do të krijonte ngjyra dhe nuanca të tjera. Ato filloi t’i hidhte mbi telajo në mënyrë të çrregullt. Sa e sa herë kishte ëndërruar të studionte për pikturë! E të luante me ngjyrat mbi telajo! Me penelin nuk po formonte asnjë linjë të rregullt. Ngjyrat shkriheshin e dërmoheshin si pikat e ujit në shkumbën e ujëvarës. Aty ishin të gjitha ngjyrat e ylberit, të harkuara e të mjegulluara dhe derdheshin me bollëk, ashtu siç ia ndiente zemra. Ishin ngjyrat që ajo dëshironte t’i jepte tablosë së jetës së saj. Kjo tabllo do të rruhej thellë në vetëdijen e saj si një trokitje mbi konvencionet me të drejtën e ripërtërritjes në kohë. Si një ëndërr, që rritet vetëm nga dashuria. Fati kishte trokitur në derën e saj. E çfarë kishte më shumë një djalë mbreti nga ato që kishte lexuar nëpër përralla e që drejtojnë qytetin e dalin nëpër pyll e rastësisht takojnë një zanë pylli shumë të bukur, të quajtur Nereida?! Jo ! Edhe ajo kishte zbritur në tokë të prekte përrallën e saj. Djali i mbretit i mahnitur nga bukuria i kërkoi dorën për t`u martuar. Por Nereida refuzon, duke i thënë djalit se, nëse ata martoheshin do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe, por ai i verbuar nga dashuria e rrëmbeu për nuse vajzën e bukur. Hija e tisit të dyshimit tretej nën shin e madh e të rrëmbyer të legjendës që mbyti të gjithë qytetin e krijoi një liqen të madh aty, ku ndodhet sot liqeni. Lulet mbi sipërfaqen e tij janë shpirtrat e njerëzve të dashuruar.

@grabocka 14. 6. 2016

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s