Poezi nga Dijana Toska

Poezi nga Dijana Toska

 

Një ditë

Një ditë
koha kur të vijë
do të ta tregoj atë që mbaj në shpirt
margaritarin në guacën e shpirtit.

Ajo që ndjej
do të përflasë besnikërisht
do të të vë në dialog me unin tim.

Në zemrën e plasaritur do të mbjell urtësinë
të përgjakur
nga marrëzitë që vijnë rresht
e nuk prehen kurrë.

Atë ditë do të dish
se më nuk jam ajo që më njeh
se nuk jam e gjallë më.

Tashmë ti e di
e qetë, e sinqertë,
e padjallëzuar
nuk mund të jem.

Unë jam ajo që era e përplas
shtigjeve të tradhtisë
nëpër damarët e së keqes.

Në fund të pusit
krejtësisht në fund.

Një viktimë
kërkoj
që më bën të ndihem e plotë
krenare deri në grotesk
zotëruese e paskrupullt
i një shpirti të njomë
vetëm një shpirt i njomë mund të jetë viktimë.

Një ditë
kur të mendosh papritmas
sikur dielli mes rresh që hapen
unë jam sërish unë
në kandarët e botës e përshtatur
atëherë beso
do jem e çmendur krejtësisht.

Dhe rri larg
sa më larg meje.

Ik aq larg, sa të mund ta ndjekësh hijen tënde
se të marr me vete në ferr
e ferri ty s’të do
i dënuar je të jetosh në parajsë.

Sepse, ti je shumë i çiltër
me çiltërsi pret si me majë thike dhe mëkaton padashur

Shumë i drejtë, tepër i drejtë.

Dhe bie tepër në sy
në këtë botë ku asnjë rrugë nuk është bërë
me vizore dhe laps
të gjitha rrugët janë hapur me zemër.

Të drejtët e kanë vendin krejt pranë zotit
e unë zoti yt nuk jam
jam vetëm një mëkatare më shumë.

© Dijana Toska ( Gërsheta Malli, 2014)

 

“Çmenduria” e Anës

Përballë kuluareve të aristokracisë
me buzëqeshjen e saj të përmbytur me lot
iu kundërvu të gjitha rregullave të egoizmit
nuk i bëri ballë fisnikërisë së rrejshme.

E pagoi shtrenjtë dashurinë e pakthyer
frikacaku i mbuluar gjoksit përplot me dekorata
si një minok në kurth e zuri peng
zemrën që pa kushte ateroi në pistën e mëkatit.

Ana,
ajo grua e fortë,
Ana,
ajo grua e dobët
shpërtheu si flluskë sapuni
para syve indiferentë të botës
për një çast i ndryshoi krejt bota përreth
mbet pa kuptim
mbi binarë i morën jetën rrotat.

Përse ajo duhej të jepte llogari krejt e vetme
mëkati nuk ishte stolia e saj personale
që e solli në dashuri
çekuilibrohet mendja
e trupi tërheq në drejtime të kundërta
njerëzit ishin vetëm hije
vetëm numra në atë moment.

Ana bëri çmenduri
Ana dashuroi
dashuria atëbotë ishte një projekt
që kishte kosto shumë të lartë
e ajo ishte tepër e brishtë
për të dalë jashtë kornizave të lojës
që quhet jetë.

Hedhja nën rrota
e vetmja rrugë për të kapur fijet
për të dalë.

© Dijana Toska ( Gërsheta Malli, 2014)

 

Të dua për shkak se…

Të dua për shkak se
ti vazhdon të jesh i përbetuar.

I përbetuar për të arritur atë që synon
për të shkrirë akullnajat e Alaskës
në një botë të imagjinuar.

Shumë i drejtpërdrejtë
s’ka tjetër veç të të dua

Të dua për shkak se s’mundohesh
të bëhesh i përsosur.

Nuk e fsheh marrëzinë
dhe shkel aq egërsisht në petalet
e zemrës së plasaritur.

Nuk trishtohesh
kur zemra kullon gjak të helmuar
nga dhimbjet e njëpasnjëshme.

Të dua, sepse gënjeshtrat tua
i thur me aq mjeshtri
ti e bën shpresën të mbijetojë
e detyron të kërkojë
një çik vend për t’u strehuar në gjoksin tënd.

E bën të jetojë diku në një cep të zemrës tënde
në një qoshe dhe hap veç një grimë vend
ngaqë veç pak dashuri unë prej teje kërkova.

U bëra lypsare nga më të ndoturat
në gjunjë të rashë
shtriva dorën për pak ngrohtësi
dhe nuk gjeta asgjë
gjeta vetëm dridhje të rebeluar barku.

Të dua dhe të urrej
sepse u bëra çerdhe e fluturave të llahtarisura
të trembura për vdekje
që drithërojnë në barkun tim.
Të dua, se jeta më mori kuptimin dhe energjinë.

Të dua, se ti je ai
që më mësoi urtinë e të dashuruarit marrëzisht
të dua, sepse ti më dhurove qiellin
pafundësisht
sepse frymova vetëm për ty
frymova frymën
si të ishte për të fundit herë.

Të dua, sepse je ti…je ti
dhe askush tjetër.

Të dua, se më kërkon
dhe me askënd nuk më ndan as për kiamet
po lotoj dhe po të dua
a e kam nga tymi i duhanit a nga dashuria
nuk e di.

Sikur palma, qerpikët luhaten mbi bebëza
e fllad nuk ka
po të pres nëpër natë
nën strehën e grisur të kujtimeve
mes kërcëllima të gishtave
që thyhen nga monotonia.

© Dijana Toska ( Gërsheta Malli, 2014)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s