Poezi nga Vullent Mato

Poezi nga Vullent Mato

 

LËSHOJE ZOGUN FLUTURIM!

Ndonëse me gojë gjithçka ke mbuluar,
dhe nuk do ta zbulojë sekretin asnjeri,
një zog i fshehur të cicëron pa pushuar,
në kafazin e gjoksit, ku askush nuk e di…

Por mua vështrimi yt më tregon tinëzisht,
me atë pulitjen e syve, si luhatja e valëve,
se zogun e pafajshëm dënon rreptësisht,
vetëm për t’a ruajtur nga thëllimi i fjalëve.

Syri im të vrojton mbi vetull, si qukapik,
kur shkërmoq padashur thërrime mendimi.
Figura ime çdo çast, të endet nën qerpik,
sa herë ty buza të rrudhet nga drithërimi.

E di, se ndrojtja të shtyn ta mbash vluar,
Po sado përpiqesh ta fshehësh me gjeste,
kafazi i gjoksit, nuk mbetet i maskuar,
kur ti padashur tradhton vetveten!

Eh, sa zogj ndjenjash në kafaze janë mbyllur,
pa shtrirë dot krahët në hapësirën e kaltër!…
Lëshoje zogun e gjorë në qiellin e ndritur,
të nxjerrë mallin e fluturimit, krahëhapur!

Të dëgjojmë sërish këngën e tij të nostalgjisë,
të na ndjejë shpirti prapë kënaqësi e ngazëllim!
Lëshoje pa frikë, se mos zbulohet zogu i rinisë,
tani s’jam më skifter, të kap zogj në fluturim!…

 

NJЁ ÇAST DASHURIE…

Shëtita globin
në gjithë kontinentet rrotull,
vizitova mjaft objekte,
dhe mrekulli mahnitëse,
njoha ngjyrime njerëzish
dhe shekujt në çdo popull,
pashë botën nëpër skena
dhe argëtime zbavitëse;

Por asnjëra nuk më mbeti
në kujtesë, aq fiksuar,
sa fytyra e asaj dashurie
të papërsëritshme,
në çastin kur përjetova
emocione të paharruar,
që ua kalonin të tëra,
mrekullive mahnitëse.

Kjo ndjesi e përveçme,
qenka aq e fortë në jetë,
sa persona të dashuruar,
gjer në fiksim marrëzie,
kur humbasin shpresën
për tjetër dashuri të vërtetë,
ose i japin fund jetës,
ose bëhen pacientë psikiatrie.

Dëshiroj t’i lutem zotit,
në fund të jetës tokësore,
të më bëjë një orakull
të kohëve moderne,
që diku në brendësi
të ndonjë shpelle malore,
nga majat e shkëmbinjve,
me suferina ere,

T’i përsërit botës këtë predikim
të shpërndarë me retë:
O njerëz, për mallra dhe troje,
shumë mos lakmoni!…
Se vetëm dashuria u mbetet
pasuri në fundjetë,
të tjerat s’i vlejnë shpirtit,
as, sa një puthje pasioni!…

 

HATSHEPSUTA DHE TEUTA

A nuk ishte faraonesha Hatshepsuta,
me Kleopatrën e brigjeve egjiptjane,
më pas mbretëresha jonë Teuta,
me sokoleshën malore, Shotën Dardane,

Që u prinë mugëtirave të historisë,
me shpatat e tyre dyfish burrërore,
me jataganin dhe harkun e dashurisë,
ndritën kohërat me bëma femërore?

A nuk ka treguar peshorja e barazisë,
se gratë e kanë njësoj peshën gjinore?
Pse s’e kuptojnë, ca burrecë të burrërisë,
që vrasin gratë me forcën muskulore?

Këtë bëmë të saj, nga më kryesoret bëmë,
fare të qartë, për çdo mendje të vonuar,
se femra krijon dhe ngre njeriun në këmbë,
vetëm nga një qelizë e fekonduar;

Se gruaja në jetën njerëzore universale,
është një qenie e formuar, me atë veçanti,
që i tejkalon nga burri, dallimet seksuale,
si mrekulli e natyrës, me mjaft përsosmëri.

Thirrni mendjes, o fanatikë të patriarkalizmit,
se nuk jeni në egërsinë e lashtë prehistorike,
por në shekujt, kur mendja e njerëzimit,
po vrapon drejt botëve të tjera kozmike!…

 

AI QË ZBRITI ZOTIN NË TOKË

Ai me daltën, penelin dhe penën e tij magjike,
bëri shkëmbinjtë të flasin me gjuhën hyjnore,
bëri tavanet, të reflektojnë parajsën simbolike,
bëri muret të tregojnë historitë e shenjtorëve.

Ai bëri madhështinë monumentale të Moisiut, dijetar,
bëri shëmbëllimin e vetëmohimit njerëzor, të Krishtit,
bëri Shën Pjetrin, të emëruar nga Jezusi, Papa i Parë,
bëri emblemën mashkullore, me trupin epik të Davidit;

Ai bëri Krijimin e përbotshëm, në qiellin e kupolës Sistina,
bëri muralen gjigante të mëkatarëve “Dita e zemërimit”
bëri “Gjykimin e fundit”, të ndarjes së dritës nga errësira,
me përmbysjen tragjike, nga Apokalipsi i shkatërrimit.

Ai bëri Shën Pjetrin, në Vatikanin e prehrit të perëndisë,
Bëri të gjallojnë apostujt nën rrezatime dritash të arta,
bëri “Mëshirën” me trupin e Jezusit, në prehër të Marisë,
bëri të gjitha bukuritë klasike, me përsosmëri të larta.

Ai krijoi në tokë, me lëndë jetësore, parajsën hyjnore,
dhe ngjyrosi frymën e treqind personazheve të shenjtë.
Ai solli kumtin me yje të zjarrtë, në hapësirën tokësore,
dhe u ngjit në Olimpin e famës, për tetëdhjetenëntë vjet.

Ai që me gjenialitetin e tij, zbriti në tokë, Zotin,
skulptori, piktori, poeti, arkitekti titanik, i klasicizmit,
kolosi i Rilindjes evropiane, Mikelanxhelo Buonaroti,
që u bë i pavdekshëm, si simbol i përjetësisë së artistit.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s