Kur iluzioni, trashendentja, fantastikja, e përjetshmja- janë përtej të vërtetave reale ( Portret artistik i piktores autodidakte Inxhiriana Roli ) / Nga Vladimir Avdulla Muça

Kur iluzioni, trashendentja, fantastikja, e përjetshmja- janë përtej të vërtetave reale

(Portret artistik i piktores autodidakte Inxhiriana Roli)

 

Nga Vladimir Avdulla Muça

Pak e njohur nga bota metropolitane e pikturës, por shumë e njohur nga ata artdashës që kanë medituar në dy ekspozitat dhe dhjetra librave të ilustruar nga piktorja autodidakte është Inxhiriana Roli.
Nga një bisedë intime me poetin Nazmi Roli, siç duket, me lindjen e Inxhirianës, kishte lindur dhe talenti për artin e pikturimit.
Bashkëkohësit tregojnë se edhe pse nuk pati mbështetje nga institucionet ndër vitet e adoleshencës e të rinisë, ajo nuk rreshti së pikturuari me ato copa letre e lapsa shumëngjyrësh të cilët i mbante gjithmonë me vete në xhepat e fustanit.
Vullneti dhe puna këmbëngulëse ishin për piktoren e re, gjeneratori që ushqenin talentin e lindur. Mes përvojave jetësore e ndjenjës, talenti nga piktura në pikturë e ilustrimi në ilustrim, mes impresioneve ekzistenciale, shpërtheu si jargavanet në ekspozitën e dytë në interjeret e pallatit “Kavalion”.
Publiku kavajas e të ardhur nga Durrësi, Shijaku, Tirana, Rrogozhina u surprizuan nga përshfaqja e një talenti të mirëpërpunuar, ekzistencialisto- surreal, mbështetur fortas në impresionet realiste që piktorja kishte “vjelur” gjatë kësaj gjatëheshtjeje, në kërkim të vetvetes artistike, konsolidimin e bindjeve artistike, rritjen e dëshiruar të nivelit artistik.
Në këtë ekspozitë të dytë, me një kuratorium profesional, Inxhiriana ka arritur të krijojë plotësisht imazhin e saj artistik, ku gjithçka vjen me një ndërthurje të ekzistenciales të përjetuar dhe të një surrealizmi ëndërrimtar, si dukuri e një substanceje të re në artin e pikturimit.

Duke “vjelur” nga përvojat jetësore ekzistencializmin, ajo stiloi me penel koloritin e një realizmi, me dukuri surreal, përmes subkoshiencës të dëshiruar personale. Tek shikoj këto piktura me këto dukuri, vendosur në këtë mjedis të pallatit “Kavalion”, të krijohet bindja se ato huazojnë tek njera – tjetra, ide e mesazhe, duke përcjellë në syrin dhe mendjen e vizitorit ndjesi të një perspective, me tingëllimat sa të brishta femërore aq dhe të një dramaciteti që lavjerret mes qiellit dhe tokës.
Ndonëse tani, një gjyshe piktore, në moshën e një tejpjekurie jetësore, kur diskuton përballë pikturave, brishtësia pamore dhe artikulimi i qelqtë në të folur, me ato tingëllimat të prera si me thikë vetëbesimi, të lë të kuptosh se në tërësinë e gjykimit stilistiko – estetik, kjo bashkësi pikturash vendosur aq “miqësisht” me njera – tjetrën, është vetë Inxhiriana Roli, shpirtërisht e mendërisht e tjetërsuar në një tjetër materie të pavdekshme.
Që nga ekspozita e parë “Elegji gruaje” me ato gjysmë nudot në vitin 2002, e gjer tek ekspozita e dytë, pas pesëmbëdhjetë vitesh, pëlqyeshmëria e lartë e qytetarisë kavajase, që nga shumëkush e etiketuar si “prapanikë”, bestytë, tregon të kundërtën, se kemi të bëjmë me një publik që nuk trandet, por e pëlqen futjen e estetikave moderne, që realisht e pëlqen artin figurativ, i cili “lexohet “ përmes imazheve në bashkësi ngjyrash e rifiniturash, ku subjektiviteti tregimtar i piktores dhe natyra konvergojnë në një natyralitet.
Siç duket, në konceptet e saj pikturale, Ajo shkrin në koloritin e saj mbi kanavacë mendimin kritik të studjueses të artit pamor Zana Kuke Varvarica e cila në këndvështrimin e saj definon: “Imazhi i plotë ka disa ngarkesa ideo- emocionale që detyrimisht burojnë e nxitin si nga e përgjithshmja e krijimtarisë së artistit, ashtu dhe arsyet vetiake”. ( Zana Kuke Varvarica, “Gazeta shqiptare” 22.12. 1993)
Me amalgamat e një koncepti të tillë, fillova dhe unë diskutimin e një mininterviste, për të “vjedhur” disa të dhëna, në krijimin e portretit artistik të piktores.
Por me aq sa munda të “vjedh”, ishte e pamundur t’i përqasja lexuesit një shpirt kaq të madh, vetmohues, këmbëngulës në ushqimin përdita të një talenti të lindur, nga nëna natyrës njerëzore.
Portretin e saj të mendësuar nuk mund ta stiloja pa një intervistë më të plotë, ku ndjesitë dhe mesazhet që rrezatohen në këto piktura e dhjetra libra të ilustruar, ku një makro e mikrobotë, vjen si një dinamikë dritësore nga nënshtresat e bojrave, e të shpërthente nga goja e vetë autores.
Piktore e lindur, produkt i vetvetes artistike, i një pune të palodhur, në kërkim të një arti të vërtetë me ndihmën e pakursyer të Mjeshtrit të grafikës Musa Qarri e të piktorit Lec Shkreli, të cilët i dhanë me pasion vizatimin e konceptimin piktural.
Teksa ndodhem i përdyzuar në këtë ekspozitë tepër të veçantë, në lloin e saj, që e larton piktoren Inxhiriana si një risi, fenomen në atelietë e femrave piktore.
Në çdo pyetje –përgjigje ndjehem i magjistruar, në korent të ndjesive që më përshkojnë trupin dhe mendjen, herë, herë si një fllad mëngjesi me një ag të bruztë, e herë si një fraq që më mpin trupin e mendjen, nga surprizat e “Kavalionit” kavajas.

 

***

Vladimir Muça: Inxhiriana, na befasove me këtë ekspozitë sa që mua personalisht më fute në botën time të ëndërrimeve, më shtjellove në mendje tregimet e shkurtra të cilat përkojnë si dy pika uji me këto piktura. Komunikimi juaj piktural është drejt një impresionizmi të çiltër. Si e shpjegoni ju këtë në kënvështrimin e artit pamor..?

 

 

Inxhiriana Roli: Kjo eksopzitë vetiake e quajtur “Inxhi-pict” që u çel në fillim të muajit prill, në qytetin e Kavajës, është e dyta në radhë. E para që u hap në verën e vitit 2002, quhej “Elegji gruaje”. Kjo ka një histori që vlen të tregohet.
Gjer atëhere kisha pikturuar një cikël me nudo femërore në tabllo vaji dhe pata dëshirën t’i paraqes në një ekspozitë. Por gjëndesha para dilemave: – E para: nudo në Kavajë?! E dyta: një piktore grua në këtë qytet?!
Kjo do ishte si një herezi, por ishte këmbëngulja e bashkëshortit tim, poetit Nazmi Roli, që u bë e mundur hapja e ekspozitës dhe nudot e mia nuk ishin aq të “tmerrshme” sa i mendoja; bile pati shumë vizitorë për një muaj.
Dua të them se megjithëse kisha bërë ilustrimet e disa librave, me ekspozitën “Elegji gruaje” bashkëqytetarët po më njihnin edhe si një piktore që bëja pikturë të mirfilltë.
Çelja e kësaj ekspozite të dytë erdhi pas pesëmbëdhjetë viteve punë sistemuese të bindjeve të mia artistike. Edhe për këtë ekspozitë vështirësitë ishin në disa plane por që mund të reduktoheshin në një plan: në Kavajë nuk ka mjedise ekspozimi se dhe ajo që ishte projektuar në qendrën kulturore “Kavajlon” u shndrua në shtojcë administrate e Bashkisë. Kështu u detyrova që këtë ekspozitë ta hapja në vartësi të një sipërfaqeje të kufizuar ekspozuese, duke reduktuar numurin e punimeve.
Sidoqoftë kjo ekspozitë tërhoqi vëmendjen e dashamirësve të qytetit tim, në të cilin ka pak jetë kulturore e artistike. Me këtë event mora shumë përgëzime nga qytetarët po edhe nga ju. Përsa i përket impresionizmit të çiltër që cilësoni ju, besoj se e keni fjalën për atë lloj entuziazmi që m’u krijua dhe jo për impresionizmin estetik.

Vladimir Muça: Kur mora ftesën për të ardhë në hapjen e ekspozitës tuaj dhe mësova se do të vizitoja ekspozitën e një autodidakteje, hezitova fillimisht. Kam qenë duke bërë një gabim të pafalshëm në jetën time artistike. Asnjëherë nuk duhet hequr nga mendja fjala e urtë popullore se “ nga gëmushë e vogël, del lepuri i madh”, në mënyrë metaforike po ju a them.
Si ndjeheni ju si autodidakte, e ç’mund të na thuash për përvojën tuaj?

Inxhiriana Roli: Unë nuk kam shkollë akademike. Nëse kjo shkollë të stimulon apo të pengon të realizohesh në jetë si piktor, nuk mund ta jap këtë përgjigje për të tjerët. Kam bindjen time se në art, nuk është shkolla ajo që e bën artist krijuesin, por e çon në shtysa të brebdëshme që ai ka, çfarë sakrificash di të bëjë në shërbim të artit, si e vështron të pjesëshmen tek e plota dhe të plotën tek e pjesëshmja.
Pra talenti është i lindur dhe nuk ta jep shkolla. Sa për veten time, në moshë fare të vogël, te xhepi i fustanit mbaja lapsa me ngjyra e prej plumbi, goma, copa letre; vizatoja, shihja me vëmendje shpendë e kafshë, lëvizjet e tyre, format që krijoheshin në pozicione të ndryshme. Rrija e veçuar nga shoqet, më pëlqente të meditoja, të recitoja poezi. Bëja gjëra që nuk i preferonin moshataret e mia të vogla. Arti i të pikturuarit ishte brenda meje?
Atëhere as e dija këtë dhe as e mendoja, gjithçka ishte hobi që më lëvronte brenda shpirtit, kisha në temperamentin tim një përzjerje të melankolisë me sentimentalizmin.
Vonë do i kuptoja veçoritë e mia, por edhe pse kisha në një shkollë të Tiranës mësues vizatimi piktorin Lec Shkreli, më dhanë të drejtën e studimit në shkollën teknike ( sot, “Harry Fullc”). Pas mbarimit të shkollës teknike, u emërova në zyrën teknike të fabrikës së qelqit në Kavajë e cila sapo qe hapur. Aplikova për studime të larta, fitova konkursin për pikturë në fillim të viteve ’70, por Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe nuk ma dha të drejtën e studimit. Kohë të kaluara këto!
Ajo kohë s’ka qenë dashamirëse me mua, por unë me këmbënguljen time vijova ta kultivoj këtë art në vehten time, të punoj si krimbi i mëndafshit, të end mëndafshin tim.
Në vitet ’70 piktori Musa Qarri krijoi në Kavajë një grup piktorësh amatorë të cilët hapën disa ekspozita kolektive të pikturës. Kjo më ka vlejtur shumë e për këtë i jam mirënjohëse piktorit të talentuar Musa Qarri.
Unë pikturoj për kënaqësitë e mia, të njoh më mirë vetveten në proçese artistike e shpirtërore kur vihet re që koha jonë, realiteti ynë social, bëhet gjithnjë e më shumë banal me kushtëzimin ndaj materies.
Për mua si artiste, kryesore është të ndjehem mirë në raport me vetëveten, t’i pohosh botës, shpirtin tënd

Vladimir Muça : Inxhiriana, më shuaj kuriozitetin, kur kanë filluar këto ndjesi pikturale, si ka ndikuar familja, rrethi shoqëror në punën tuaj me artin e pikturimit?

Inxhiriana Roli : Të punosh për t’u formuar me dije do të thotë të kesh kurreshtje, ta ndjekësh kurreshtjen deri në pambarimin e saj. Në fjalën time përshëndetëse në hapjen e ekspozitës, në intimitet thashë se si grua gatuaj, laj, qep në makinë, thur me shtiza, pres e përcjell miq të familjes, por gjithnjë pa u ndarë nga telajoja në kavalet duke gjetur kohë, duke u “shlodhur” me penelin. Ndonëse në dorën e parë skicat grafite, pikturat, vinë si të rëndomta, ripunimi sjell kënaqësi, sjell kuptimin e vërtetë ekzistencial.
-“Të krijosh nëpërmjet meditimit do të thotë të vetmohosh, të vrasësh vdekjen”- më pohon Nazmiu një thënie të shkrimtarit francez Romen Roland. E unë në meditim mbi veprat e skicuara mundohem ta vras përdita vdekjen e veprës time, t’i jap jetë në përjetësi.
Ndjehem mirë që përkrah kam pasur gjithnjë poetin Nazmi Roli. Shkëmbejmë eksperienca me njeri tjetrin, Ai kërkon në skicat, pikturat e mija poezinë, ndërsa unë në poezinë e Nazmiut kërkoj të gjej imazhe për pikturën time. Në këtë proçes bashkëpunimi ajo që kam mësuar është përpjekja për të rikonstruktuar realitetin që shoh, që ndjej dhe perceptoj me ligjet e artit.
Më përjashtim të piktores Zhuljeta Tengu, organizmat social- kulturore qeveritare as që duhet të i’a dinë se në qytetin e Kavajës ka krijues dhe artistë që me vetmohim luftojnë të rikrijojnë art të vërtetë, botojnë libra artistikë, monografikë, historikë, duke zgjuar kujtesat historike.
Në këtë tranzicion të paradokseve, pushteti është i rëndësishëm për të parëndësishmit, antivlerat.
A mund të flitet sot pas këtij qëndrimi indiferent se si vështrohet arti, se sa mbështetet ai nga politikat e taksapaguesve?
“Vita brevis, ars longa”

Vladimir Muça : Një punë e tillë artistike e një niveli kaq të lartë, flet për një shkollim permanent me të “vjedhur” autodidakt. Sa ka ndikuar kjo këmbëngulje në krijimin e portretit tënd artistik, si zanafilla e ndjenjës, talentit, dhe në krijimin e një koncepti artistik?

Inxhiriana Roli : Pavarësisht çfarë thamë më lart, vlen të shtoj drejt një njohjeje më të afërt të ndjesive të mia, formësimin më të plotë të portretizimit artistik. Gjithçka që i përket njerëzve, më përket dhe mua.

Unë marr frymë duke qenë në dimensionin njerëzor i ngjashëm me atë që shoh diku, si ai që rri para pasqyrës e kërkon të zbulojë si një zen budist rifiniturat më të padallueshme të fytyrëvetes.
Me një ndryshim, se unë mendoj për të bukurën, për të veçantën e prototipen artistike.
Kur mendon për të bukurën e artit e sheh së jashtmi vetëveten, bëhesh i pangjashëm me shumicën. Jeta është e shkurtër, – vita brevis-, por si mund ta bëjmë të gjatë? Të kërkosh, do të thotë të kesh qëllim, të gjesh, do të thotë të humbasësh qëllimin, arti të jep mundësinë të jesh entuziast në jetë, të kërkosh lumin e Heraklitit. Me Nazmiun kemi devizën se dyshimi është hapi i parë drejt së vërtetës, por dyshimi s’është ende provë, rruga për më tej, drejtkësaj prove është kërkimi në art.
Nazmiu me poezinë, unë me të vërtetën në pikturën time, si dy bijnakë pikëtakohemi në art, dhe ndahemi secili në karrexhiatën e vet në autostradën e shkencës humane të artit.

Vladimir Muça : Cilat janë rrymat artistike që keni më për zemër në shijet tuaja, cilat gama koloristike preferoni?

Inxhiriana Roli : Mendoj se vizatimi është elementi teknik bazë për tu realizuar si piktor, ndaj unë kam kultin e pikturimit; aftësia për të vizatuar tek unë është parësore , e natyrshme, është “prona” ime artistike. Ndaj dhe jam thelluar, ushtruar për të konceptuar format, linjat, lakoret, raportet, thellësinë e perspektivës, krijimi i koloriteve me ndriçim të thellë, në ndërvartësi të subjektit që kam në telajo. Prirja ime është realizmi me dukuri moderne.
Pëlqej klasikët italianë, mësoj prej tyre harmoninë, tingullin e ngjyrës, hapësirën dhe ajrin e brendshëm që piktura klasike nxjerr nga vetëvetja. Van Gogu është preferencial me impresionizmin e tij elegant e dramatik, koloristik dhe impozant.
Ndërsa Salvator Dali më magjeps. Surrealizmi i tij është shkolla e madhe e pikturës botërore. Unë kam ëndërruar e të marr sado pak nga këto linja jo vetëm në punimet në vaj por dhe në grafikë.

Vladimir Muça : Pra impresionizmi dhe surrealja që mua më tërhoqi më shumë në ekspozitë e paskan një suport estetik?

Inxhiriana Roli : E drejtë, por unë e kam shkrirë këtë impresionizëm e surrealizëm në biodiversitetin shqiptar. E adhuroj natyrën e me të kam mardhënie të mira fizike, veçanarisht drunjtë me format e tyre, me kontrastet sa të egra aq dhe të buta, paqësore.
Por në këtë natyrë nuk fiksoj konkreten, por summa-n, sepse siç thotë Kanti “natyra nuk vlerësohet për të shfaqurit e saj, por sa ajo është shndruar në art.”
Arti sipas meje nuk është filozofi dhe nuk përcjell mesazhe sepse arti nuk merret me fenomenologjinë e qenies, kurse mesazhi i përket politikës, me atë që trasmetohet te të tjerët si ide, si populizëm.
Ta vështrosh kështu poezinë, pikturën, muzikën, do të thotë t’i heqësh artit funksionin estetik, sepse arti nuk kontribuon në ndërtimin e shoqërisë por në shpirtin njerëzor, në të bukurën e tij për të ndihmuar shoqërinë.
Arti ka tendencën të krijojë subjektiven, individumin, atë që ndryshon dhe mbetet e pandryshueshme, materie në pavdekësi.

Vladimir Muça : Cilët janë piktorët që adhuroni më shumë dhe që i ke shembull në punën tënde në kavalet e në grafikë, se ju keni botuar shumë fletëgrafika në libra të ndryshëm si ilustrime.

Inxhiriana Roli : Në konceptin tim shkolla të vërteta në art janë krijuesit që kanë lënë trashëgimi. Asgjë nuk lind nga asgjëja. Të tilla shkolla që unë kam adhuruar janë Van Gogu, Dali, Pikaso, Stravinski, Çajkovski, Montale, Heminguej, Lorka. Krijimtaria e tyre të mëson më shumë se çdo leksion nga profesorë arti sepse vetë profesori është subjektiv dhe nuk të mëson atë që ti kërkon në të veçantën tënde. Unë kam mësuar nga vlerat e atyre që adhuroj në saj të perceptimeve të mia duke marrë atë që bëhet e përputhshme me të brendshmen time, që më kultivon sublimen.
Në kavalet vendos kuadratin që më jep ndjesi, është e kufizuar kanavaca kur hapet dhe e pakufizuar kur mbyllet. Më pëlqen lirizmi dhe ndërthurja me dramatiken.
Më mirë veten e gjej në grafikë, në kontrastin bardhë e zi. Kam ilusturuar mbi njëzet e pesë libra të autorëve të tjerë si të Muharrem Gazionit, të Tashko Çakos, Leonidha Priftit, pa përfshirë librat e poetit Nazmi Roli.
Grafika është zhanër i veçantë për mua. Në këtë drejtim, grafika e Musa Qarrit është ekselente që vlen të studiohet dhe të përgjithësohet në shkallë kombëtare.
Eshtë e vërtetë që ilustrimet e librave me porosi të Nazmi Rolit i kam realizuar me ekzigjencë, por artdashësit kanë preferuar më tepër ato të librave “Si Bemol” dhe “ Herbariume dashurie” ku me të vërtetë poezia lind ilustrimin dhe ilustrimi lind poezinë, si një binjakëzim artistik.

Vladimir Muça : Sa vepra në pikturë keni realizuar gjet më sot dhe cilat piktura keni më për zemër?

Inxhiriana Roli : Unë nuk kam prirje sasie në krijimtarinë time. “Fertina lente” – shpejto ngadalë- thotë latini. Dhe duhet thënë dëgjueshëm, tablloja e pikturës ka kosto për t’u realizuar. Tregu i shitjes të veprave të artit mungon, piktori nuk e ndihmon dot krijimtarinë me vetëimbursim financiar, mbasi dhe sponsor dashamirës as që bëhet fjalë të ekzistojnë në këtë tranzicion sa ekonomik aq dhe artistik.
Sikundër në një libër poetik apo tregimtar gjithë produktet nuk janë të një niveli artistik, ka më të mira, të mira e të pranueshme. Në krijimet e kësaj ekspozite më për zemër kam “Violinistja”, “ Trishtimi i një letre”, “Vajza me kaçurrela” dhe disa nga punimet grafite, veçanarisht ato me trajtime ekzistencialiste të figurës së femrës. Mund të thuhet se kjo është mani?
Përgjithësisht në artin piktural femrën, gruan e trajtojnë të bukur, estetizante, duke lakmuar feminitetin, domethënë fizikisht si qenie në natyrë, që reflekton te të tjerët çka ata kërkojnë në pamësi të bukurën që preket; kjo si reminishencë e mardhënieve me femrën, raportet universale që në antikitetin grek e romak. Unë kam një këndvështrim tjetër. Pozicioni i femrës në mardhëniet shoqërore shkon sipas substancave kohore, shkon me rrjedhën e vazhdimësinë e kohës dhe sipas rrjedhës ndryshon subkoshiencën.
Edhe e bukura gjendet tek ky evolucion, te kjo lëvizje feminile, te trajtimi ekzistencial.
Vetëm në këtë kontekst del në pah bukuria e shpirtit të femrës. Unë nuk ngulmoj se e kam përftuar plotësisht këtë koncept, se ai çdo ditë është në dinamikë përsosmërie, por unë synoj në konceptet e një trajtimi të tillë në planin e motivimit estetik, duke ngulmuar që me palimsestet e bojrave të nxjerr në pah dritësirën nga thellësia e shpirtit.

Vladimir Muça : Çfarë planesh keni në të ardhmen?

Inxhiriana Roli : Kam në projektet e mia krijuese hapjen e ekspozitës vetiake “ Inxh- pikt” me grafika, vizatime, ilustrime. Dua t’i bëj homazh autorëve me të cilët kam bashkëpunuar në realizimin e ilustrimeve të librave të tyre, mbasi tashmë ata gati janë mbuluar me pluhurin e harresës bashkë me ç’është krijuar dhe botuar më parë. Gjërat janë si në “Tabula rasa”.
Këto grafik, ilustrime, vizatime do jenë të paraqitura me përmasa të vogla, ku aspekti subjektiv në jetën e njeriut të jetë më thelbësor se ai objektiv. Do ketë të njohura e të panjohura për publikun, por vija ime në linjë është për të thënë se çdo kush mund të kthehet në kohë te vetja.

Vladimir Muça :Çfarë hapësire kohe zë puna me kavaletin dhe fletëgrafikën, si amvisë, detyrimet si zonjë shtëpie?

Inxhiriana Roli :Aristoteli në “Politikën” e tij thotë se: “ Lumturia i përket atyre që mjaftojnë vetëvetes.”
Unë përpiqem që t’i mjaftoj vetëvetes duke ulur kokën në punën time, në heshtje aktive; se të merresh me krijimtari artistike do të thotë që çdo ditë ta vrasësh të keqen me bukuri krijuese. Unë, si shumë gra të tjera, jam bashkëshorte, nënë, grua me ngarkesat e përditshme familjare, komshie sociale në komunitet.
Kryesore për mua është se të gjitha këto angazhimeve s’më pengojnë që të mbaj ngritur kavaletin, të hedh në telajo ngjyra, të vizatoj e të ilustroj libra, të lexoj poezi dhe të meditoj mbi to artistikisht.
Sa më shumë artisti do të kërkojë dhe do të gjejë në vetëvete burimin e kënaqësisë, aq më shumë do të jemi të lumtur. Muret e shtëpisë s’më pengojnë.
Fatmirësisht me një poet në krah si bashkëshort çdo ditë është e re për mua.

Vladimir Muça : Në pikturat tuaja mbisundojnë elementë të ekzistencializmit me përqasje të një surrealizmi kozmogonik. Por kur i shikon me vëmendje, në to gjen dhe shumë dukuri të një moderniteti impresionist. Çfarë mendoni ju për këto impresione që trasmetoni te vizitori?

Inxhiriana Roli : Një krijim i vërtetë, është vëzhgues i jetës, ka modus –in e tij, përpiqet ta krijojë jetën sipas parimeve të formimit, ku esenciale mbetet përcjellja estetike, sepse prandaj quhet artist. Filozofia ekzistenciale që është më e krahasueshme se sa njohja që kemi, është nxjerrë në reliev nga makthi i Kierkegardit dhe e strukturuar nga Hajdeger dhe Sartër në shekullin e njëzetë. Kjo i ka shërbyer më tepër individit të shekullit të kaluar në funksionin social, për ta kuptuar vetëveten më mirë si qenie. Sartër me prozën ekzistenciale, Kamy duke evidentuar Kafkën me metamorfozën e personazheve, e bënë më të vërtetë se kushdo tjetër atë që ka të bëjë me individin në shoqëri, ankthin dhe ekzistencën e tij i cili në hapësirat e reja të modernitetit të fund shekullit e bënë të dyshimtë rendin shoqëror.
Ndaj më pëlqen të jem në trajtim ekzistencialist të cilin e reflektoj më shumë në grafikë, ku kantrasti në bardh e zi bëhet ballafaqim i dy poleve. Kurse dëshirën e subkoshiencës time të dëshirueshme, për substanca të reja kohore e gjej te surrealizmi që është gjetje estetike, të cilën Salvador Dali e bëri art të tij të mrekullueshëm. Brenda këtij universi është moderniteti, ku unë gjej përputhjet e mia estetike. Sa për impresionet, unë nuk kam modele, nuk punoj me modele se mund të ndodhem në një realizëm të pavlerë.
Gjithçka që e krijoj, e modeloj sipas impresioneve që në sukoshiencën time marrin formën e imazhit, ndjeshmërisë, asaj që tek unë tjetërsohet në një dyzim, një racionalitet irracional. Çdo gjë tjetër është vazhdimësi se “nuk mund të lahesh dy herë në të njejtin lum”- na ka mësuar nga lashtësia Herakliti.

Vladimir Muça : Faleminderit për mundësinë që më dhatë për të njour botën tuaj artistike.

***

Pas intervistës e pata më lehtë të futesha në botën artistike të Inxhirianës. Refleksionet filluan të rrjedhin vetiu në përsiatjet e një vëzhguesi të thjeshtë në artin pamor.
Pas një pune jetësore që në bangat e klasave të fillores, pas pesëmbëdhjetë viteve nga ekspozita e parë “Elegji gruaje” në vitin 2002 e gjer tek ekspozita personale “Inxh- pict”, me grafika, ilustrime e vizatime, portreti artistik vjen më i formëzuar artistikisht. Pesëmbëdhjetë vite luftë me vetëveten, për të ushqyer talentin e saj, duke përpunuar ndër vete portrete, tabllotë, vizatimet, me bashkësi ngjyrash pas një akumulimi ndjenjësor, Inxhiriana definon në konvergim shpirtëror, në inversion me “Violenistja”, “ Trishtimi i një letre”, portretin “Vajza me kaçurrela” e disa grafika, veçanarisht ato me trajtime ekzistenciale të figurës së femrës, duke patur si leitmotiv piktoral.
Në artin pamor të pas viteve ’90 piktorja e lindur kavajase, në gjergjefin e saj të pikturës, me lapsin e mprehur që në fëmininë e hershme, dhe brushën parmendë, rrëzëlliti talentin krijues, duke nxjerrë në sipërfaqen bardhoshe të kartës dhe të kanavacës, spektrin e bashkësisë bardh e zi e të ngjyrave, duke sjellë në artin pamor, jo vetëm për shikuesit kavajas, një lindje të re artistike, si mes shtërzimeve të lindjeve të një nëne e të një nikoqireje shtëpie.
Kjo lindje artistike, erdhi si një inovacion artistik, si një bashkësi e një realizmi të përjetuar e të një ekzistencializmi të ëndrrave fëminore nën frymën e një impresioni surreal, në kuptimin metaforik të toneve.
Nga pëlqyshmëria dhe diskutimet pro të vizitorëve të shumtë në ekspozitë, kjo stilistikë, vjen si një dritare në panteonin e artit pamor shqiptar.
Eshtë detyrë e analistëve kritikë, që larg klientelizmave, të stimulojnë me fjalën e tyre, këto dukuri të një arti të vërtetë, duke evidentuar shpirtin shqiptar të pikturës, si ëndërrimtare e një substance të re kohore, universale, mes qiellit dhe tokës, ngulmëtare e lëvizjes feminile, shprehur qartë te pikturat gjysmë nudo e ekspozitës “Elegji gruaje”: “Violinistja”, “ Vajza me kaçurrela”, “Siluet”,” Fryma e nënës”, “ Endacaku i natës”.
Me vëzhgimet e mia dhe të vizitorëve, këta kritikë, instancat social- kulturore shtetërore duhet të përkrahin pa ngurrim këtë formim profesional, pothuaj autodidakt, këtë talent të lindur krijues; duke dhënë mesazhe në akord me këtë universialitet artistik.
Janë pikturat gjysmë nudo, është piktura “Siluet”, “ Endacaku” që e diktojnë më të shumti një angazhim të tillë, ku del në pah jo rastësisht ajo që definon kritikja Zana Kuke Varvarica në citimin e mësipërm për definicionin e artit pamor, si produkt i shpirtit krijues.
Në tërësinë ekspoziale, vizitori ushqehet nga një social – poezi që lind nga një social- pikturë e ditëve tona. Gjithçka përjetohet si një shtëpi ateliere, e ngrohtë e pikturës, shembull i një zeje pikturale të trashëguar nga gjyshja ndër breza, ku Kavaja ka tradita në drejtshikimin artistik dhe poetik, piktural e zeje të ndryshme në shërbim të planit shoqëror, me një dritësirë, drejt një rrezatimi mirësie.
Si në tavolinën e zejeve të gjyshes dhe në kinematikën pikturale, në shikim të parë, çdo gjë të jep ndjesi impresioniste, por në rishikimin e dritësirës që vjen nga thellësia e ngjyrave, rishikimi i dritës që vjen nga qiejt e ëngjëjve, sytë e “Vajzës me kaçurrela”, të “ Violinistes” mbi harpën e saj, vizitori ndjen një bashkëjetesë zemrash të ngrohta, duke shpërfillur hapësirat e kornizuara, në kërkim të hapësirave universale.
Këmbëngulja, vetëmohimi artistik, katarsisi shoqëror ka gjithnjë si produkt një Art të Madh, ku veprohet në mënyrë të vetëvetishme, pa nocionin e autoçensurës në hedhjen e ngjyrave e të kontrasteve.
Duke vizituar këtë ekspozitë, ekstra bio- shqiptare, duke debatuar, ndjerë e përjetuar me miqtë piktorë, realizimin e këtyre pikturave, grafiteve në rifinitura ekstra në kuadrin realist dhe ekzistencial, veshur me një mantel surreal, bindesh vetiu se arti, muza e tij mrizojnë dhe këto krijuese vullnet-hekurta, autodidakte, të cilat mangësinë e studimeve akademike e kompensojnë me vullnetin e hekurt, dëshirën për t’i paraprirë zhvillimit kontemporan të artit, në shërbim të substancës shoqërore.
Dritësira që vjen nga thellësia e ngjyrave, thyerjet në ylberiada, janë domethënia e gjithçkaje që tretet në syrin e vizitorit nga peneli i piktores Inxhiriana Roli.
Si një univers, pak i dukur në ekspozita të tilla, ku syri i kritikëve të artit pamor trandet nga klientelizmat e radhës, mes abstraksionesh, profondizmash e dadaizmash.
Kur bisedon lirshëm me piktoren e vetëtalentuar, ajo me koshiencë artistike përgjigjet: “ Iluzioni, trashendentja, fantastikja, e përjetshmja, janë në konceptin tim e vërteta artistike, që është përtej të vërtetës reale.”
E kornizuar dhe e shkrirë në artin pamor, kjo sentencë është dhe amalgama krijuese, shembëlltyra pikturale në këtë ekspozitë të dytë të piktores kavajase e cila më shumë se kurrë gjallëroi këto ditë pranvere ambjentet e pallatit të kulturës “Kavalion”.
Me këtë ekspozitë, produkt i një pune pesëmbëdhjetë vjeçare, piktorja Inxhiriana Roli, si piktore e reformuar, me një bagazh mendimor të përveçëm në artin piktural, përcjell te shikuesit, pse jo dhe kritikët, një art ndryshe, si në konceptin e ngjyrave, ku dritësimi vjen nga thellësia e tyre, si nga një kozmos, përmes dritë- hijeve të gjysmë nudove, gjithnjë në azhornim me mesazhet dhe mendimtarinë që përcjell substanca e re kohore.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s